Nga Flutura Acka
Gjithë kjo furtunë në një gotë ujë për Ardit Gjebrenë, por kur duhet të bëni furtunë të vërtetë, ku jeni ju? Pak ditë më parë Nexhmije Hoxha u tall me ne të gjithë, kur me përdëllimet e saj na tregonte se në ç’qoshka të Tiranës kishte kaluar çastet sensuale me Enver Hoxhën.
Askush, asnjë gazetar, deri më sot nuk i ka bërë një pyetje të thjeshtë: “Zonjë, ju keni bërë genocid, a e dini se ku duhet të jenë ata që bëjnë genocid?” Jo vetëm që nuk ia bëmë këtë pyetje, por mbushëm gazetat në faqet e para me portretin e saj, bashkë e përdëllmet dhe cinizmin se në demokraci “qenkërkëshn vrarë në trafik më shumë njerëz se ç’ka vrarë Enveri”.
Atë ditë ju duhet të ishit në protestë të gjithë. As kur u varros me funeral shtetëror Ramiz Alia, me urdhër të të cilit u vranë në kufij me dhjetëra djem shqiptarë, ju nuk protestuat. Merreni me Ardit Gjebrenë, që pavarësisht mospëlqimit tim personal ndaj aktiit të tij, funda nuk e ndryshon thelbin e krimit të kriminelit, as fajësinë dhe detyrimin e tij të heqjes së lirisë.
Kur ju thërret Shoqëria Civile për parkun, ku jeni ju? Kur e shihni që lëndina e vetme para Galerisë Kombëtare po kthehet në kinse art, ku jeni ju? Kur ngrihen themele mu pranë pallatit ku jetoni, ku jeni ju? Kur kriminelët e rinj e të vjetër me pushtet, ju qesëndisin pa kurrfarë turpi, ku jeni ju? Kur 7 miliard lekë të Bankës Shqiptare, nuk do t’ju kthehen kurrë, ku jeni ju? Kur betonizuesit e qyteteve tuaja, dalin të pafajshëm nga dyer gjykatash, ku jeni ju?
Tani heshtni, sepse mjerisht, çështja “Adit Gjebreja” është vetëm një justifikim për tredhjen tuaj kombëtare! Të gjithë ne shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, bashkë me mua, jemi të paaftë të mbrojmë veten, se Atdheut s’kemi ç’i bëjmë më! E mori lumi, bashkë me krenarinë tonë false shqiptare!