Home KRYESORE MUND TË ISHTE KUSHDO, UNË E TI…Terrorizmi nuk ka identitet

MUND TË ISHTE KUSHDO, UNË E TI…Terrorizmi nuk ka identitet

Nga Alfons ÇUPAJ

Mund të ishte kushdo. Unë, ti, shoku, shoqja, nëna, babai, motra apo vëllai. Mund të ishte çdonjëri. Mund të ishte ai të cilin ke shtrënguar fort në krahë tani, apo ajo të cilës po i ledhaton fytyrën. Mund të ishte i shtrenjti yt. Mund të ishte kushdo.

Ti që je i pasur apo ai që nuk ka asgjë. Mund të ishte katolik, mysliman, ortodoks apo edhe i dëshmitarëve të jehovait. Mund të ishte ateist, budist. Mund të ishte profesor apo i pashkollë, ministër apo i papunë, i bardhë, i verdhë apo i zi, i uritur apo i babëzitur. Mund të ishte nga veriu apo jugu, lindja apo perendimi.

Mund të ishte urbani në të cilin po udhëton tani, treni nga i cili sapo zbrite, avioni ku po ngjit shkallët, universiteti ku po zhvillon orën e leksionit, lokali ku po qëndron me miqtë apo lagjja ku zgjohesh çdo mëngjes.

Sot ishte Brukseli. Dje ishin Stambolli dhe Ankaraja. Në nëntor ishte Parisi. Nesër mund të jetë Tirana, Roma, Berlini, Londra, Pekini, New Dehli, Sidnei, Toronto apo Washingtoni. Mund të jetë rrugica ku jeton, pallati ku punon, shkolla ku edukohesh. Sot ishte Brukseli, por Siria, Iraku, Afgnanistani, Ukraina, Palestina, Nigeria janë çdo ditë.

Terrorizmi nuk ka identitet. Ai godet në mënyrë tinzare. I maskuar. Terroristët janë burracakë. Veprojnë pas shpine ndaj secilit që lufton për paqe, drejtësi dhe barazi.

Ata duan që ne të dorëzohemi, t’u nënshtrohemi, t’u bindemi. Kjo nuk do ndodhë.
Nuk mund të dorëzohemi para një pjellë njerëzore që shkon përtej të imagjinueshmes në djallëzinë antinjerëzore.

Përgjigjja duhet të jetë e menjëhershme, e unifikuar, e prerë dhe frontale.

Terrorizmi ka kohë që na ka shpallur luftë, ndaj nuk mund t’i mbyllim sytë.

Sot u godit zemra e Evropës. I pikëlluar, sot lutem për viktimat e Brukselit.

Share: