Nga Edison Ypi
Të gjitha veset, huqet, zakonet, tarbiatet, që njerëzisë i janë ngjitur 50 vitet e fundit, të harrohen urgjentisht.
Femrat që nuk janë ujë e sapun të shihen me dyshim.
Ai ose ajo që kapet duke e pritur të dashurën ose të dashurin me kufje në vesh, 7 vjet burg pa të drejtë apelimi.
Ndalohet dalja në fotografi më tepër se 1 herë në muaj. Kush del në fotografi me të ngrëna përpara dënohet me vdekje. Selfiet dënohen me pushkatim në vend, pa gjyq.
Jo vetëm kush eksperimenton apo prodhon, por edhe kush ha, qoftë edhe pa dijeninë e vet, ushqime të modifikuara genetikisht, varet në litar.
Përveç avullit, korentit, motorrit, barutit, synetllëkut, mëndafshit të brekëve të femrave, kush tenton të shpiki të tjera facilitete që ngathtësojnë trupin dhe mpijnë trurin, si për shembull karrike të rehatëshme, divanë të butë, dyshekë ortopedikë, jorganë të ngrohtë, thekse buke, qëruese patatesh, dënohet me izolim të përjetshëm në ishullin e Sazanit.
Ndalohet rreptësisht përdorimi i ashensorëve si mjet i dëmshëm për shëndetin që favorizon dhjamosjen.
Në pamundësi për tu zëvendësuar nga govata milenare, lavatriçja moderne edhe mund të rrijë, por e thjeshtë, pa mrrokulla elektronike.
Frigoriferi, ky dimër i vogël i panevojshëm, tu lejohet si mjet eutanazik atyre që me vullnetin e vet duan të vdesin.
Kondicionerët e ajrit të shpallen “Armik i Shëndetit të Popullit”. Asgjësimi i kondicionerëve me çdo mjet dhe mënyrë të konsiderohet detyrë patriotike. Kush shkatërron sa më tepër kondicionerë, të dekorohet “Mjek Autodidakt”.
Në oborr të shtëpisë duhet të ketë një kotec pulash, një kalibe qeni, si dhe një pus ku zbriten me litar për tu freskuar sharqinjtë dhe kosi. Porta e shtëpisë natën mbyllet me lloz.
Udhëtimet bëhen vetëm me tren më qymur me shtëllunga tymi që ikin drejt qiellit nga oxhaku i një lokomotive të zezë si nga një çibuk gjigand. Lokomotiva bën çuf-çuf dhe fiuuuuuuuu. Treni ndalon në çdo stacion. Më të shijshmit e stacioneve janë ata ku as hypën as zbret kush.
Makina ndizet me manovelë. Ndenjëset jenë të forta. Xhamat të ulen e ngrihen me një rrip ose me dorezë rrotulluese. Motori bën zhurmë sikur thyen arra. Makina nxjerr nga pas pak tym.
Romanet shkruhen vetëm me penë e bojë dhe lexohen pranë dritares gjysëm shtrirë në brinjë.
Autorët që kërkojnë “forma të reja” të shkruari dënohen me internim.
Ndalohet të shohësh më tepër se 1 film në javë. Kurrë në televizor. Vetëm në kinema.
Pse bëhet lufta duhet ta dinë vetëm gjeneralët.
Në luftë ushtarët përleshen trup me trup nëpër llogore të baltosura. Ushtarëve u lejohet të mbajnë me vete fotografitë e të dashurave. Nëse të dashur nuk kanë, le të mbajnë fotografinë e nënës, por jo shoqëruar me vargjet e Eseninit. Ushtarët e plagosur mund të dashurohen me infermieret që kujdesen për plagët.
Mosmarrveshjet mes burrave nuk zgjidhen me llallalla të pafundme por brenda gjysëm ore në mënyrë kavalareske, me duel.
Kush ankohet se i ngrihet temperatura, e zë gripi, i rrjedhin qurrat, i dhemb kurrizi, seksi s’i bëhet, kollitet kot, teshtin pa kriter, të shpallet zyrtarisht ngordhalaq.
Për habere të ngutëshme dërgohen dhe merren telegrame.
Për komunikime të gjata, përdoret letër e shkruar me penë e bojë mbyllur në zarf, zarfi laget me gjuhë, ngjitet me tutkall, adresë dhe pullë mbi zarf, kuti postare, heshtje, pritje, ankth.
Televizioni nuk duhet të jetë me personazhe të ftohtë dhe të famshëm por vetëm me personazhe të ngrohtë dhe të dashur. Nëse të tillë s’ka, televizorin hidhe në plehra.
Interneti dhe celulari nuk duhen shpikur. Mallkuar qoftë dita kur do shpiken. Bekuar qoftë dita kur do harrohen.