Home KRYESORE OPINION PER NJE LETER-THIRRJE PATRIOTIKE, SOT…

OPINION PER NJE LETER-THIRRJE PATRIOTIKE, SOT…

Nga Llazar Syziu

Bëhet fjalë për lajmërimin: “Letër nga malet e Shqipërisë”- drejtuar shqiptarëve kudo, në trevat ku shtrihet kombi ynë. Ajo përcjell ndjesi të forta patriotike, jo vetëm në kontekstin e kohës në të cilën është shkruar, por edhe sot. Kjo letër-thirrje, e pozicionuar mirë në hapësirë dhe në kohë, pavarësisht se është shkruar me shqipen e më shumë se 100 viteve më parë dhe lë për të dëshiruar nga ana gjuhësore, ka një lidhje të fortë logjike të koncepteve. Autori nuk të krijonë mundësi për keqkuptime lidhur me interesat, apo kohështrirjen historike të saj. Për të realizuar perifrazim të saj në kontekstin e sotëm, po provoj ta ndaj atë në tre fragmente. Kjo nuk i kënaq shijet për përcjelljen e ndjesive të saj patriotike, por të krijon mundësi të mira, për të analizuar ecejaket patriotike në trevat shqiptare, sot pas një shekulli, pasi është shkruar kjo letër.

“Komiteti për lirinë e Shqipërisë. Kryengritja shqipëtare (Letër nga malet e Shqipëniës)

I nderuar z. Ivanaj, Drejtor i gazetës “Shpresa e Shqipërisë”, në Ragusa.

Me anën e kësaj letre dua të lajmëroj të gjith vëllezërit patriot shqiptar, miqët t’onë, si edhe të gjith të tjerët që interesohen për çështjen e Shqipërisë, e sidomos të huajtë që janë miqët t’onë: Se unë, me shum shokët e mij (duke lënë shtëpijat, familjet e gjith pasurinë), kemi dalë ndër male, si kryengritës kundra qeveriës barbare-tiranike, për lirinë e Shqipërisë. Duke qenë se qeverija halldupe e Turqisë nukë na epë kurëfare të drejtë dhe aspak liri, as kemi shkolla në gjuhën t’onë, as siguri për jetën e pasuriën e popullit; e n’anën tjetër, qeverija kërkon e i merrë, me pahiri, pagesat e ndryshme të rënda, jo vetëm por edhe duke na grabitur, plaçkitur (me anën e meemurve hajdut), sa s’durohet më dot; pastaj edhe tani po na e kërkon (ma keq e ma me exhele se sa përpara) djelmeriën t’onë, për ta dërgue si ushtar n’Anadollë e gjetkë, – neve të mërzitur e revoltuar shum, dolme, me pushkë në dorë nëpër male për të kërkuar: liri, drejtësi, gjutetërim e përparim të përgjithshim, gjëra këto që i ka gjith Bota përveç neve… as që do t’i kemi asnje nga këto deri që t’e fitojmë lirinë duke e dbuar Turqinë e kalbur nga mëmëdheu ynë i dashur. Dhe jo vetëm që është e tillë, shumë e keqe gjendja në Shqipëri dhe, përgjithësisht, në Ballkane që janë akoma nën robërinë e Turqisë, por se e tillë (mos më e keqe) është gjendja edhe në Stambollë, mbrenda gjytetit, ku ka me mijra spiun e hajdut, të cillet – me emër të Sulltanit gjakatar – grabisin njerzinë dhe pastaj i burgosin kot, shpeshëherë, vetëm për t’i plaçkitur, pastaj, shum nga këta, edhe i vrasin.

Kështu edhe tregëtart, zanatlitë, e sidomos pasanikët (pronart e tjerët) e kanë ka nji qehaja mbi krye, gjoja si kontrollë për gjerra politike, por se, fundi i fundit, është për të plaçkitur, sepse u marrin taksa të rënda, sidomos tregëtarve e pasanikve, shumë kjo që vete deri në 1 000 lira turke në vitë. Dhe këto para, pastaj i dajnë me meemurtë e lartë të qeveriës e me ata që e rrethojnë Sulltanin… Gjithashtu, shpeshëherë dërgohen kësi çetash (hajdutë zyrtar me çizme) edhe nëpër vilajete të ndryshme të Turqiës, si edhe në Shqipëri, për të plaçkitur botën, duke thënë: Sulltani, Veziri, a se filan Pasha, ka urdhëruar për të mbledhur para, shumë para, që lypsen për punra e nevoja të Dauletit, që juve si dini as lypset që t’i dini; prandaj epni kaq e kaq para…

Kështu, nëpunësit e vegjël të zyrave qeveritare as paguhen nga arka e Shtetit, po ia marrin popullit, me pahiri, këto pagesa, para për jetesë, çka qeverija lejon… as mund të çfaqen plotërisht padrejtësirat e ndodhirat e panjerzishme që ndodhin në Turqi… Dhe prandaj një pjesë e mirë e djelmëriës shqiptare e ka sosur: për të lëvizur e për t’u përpjekur – me armë në dorë – për t’i fituar të drejtat t’ona të shenjta bashkë me liriën. Kta sidomos, mbasi që vetëm neve shqipëtart nuk i kemi të drejtat t’ona, asfare: si shkollat në gjuhën shqipe, shërbimin ushtarak mbërnda kufijve të Shqipërisë; etj… E, n’anën tjetër, shkollat u epen grekërve, bullgarëve, sërbëve, rumunve, arapëve, sirianëve etj…

Dhe pse? Sepse vetëm nga gjytetrimi e përparimi i shqiptarëve ka frigë Turqija!…” E para ndjesi e kaluar, që bie ndesh me të sotmen është sensibilizimi i publikut të brendëshëm dhe informimi i publikut ndërkombëtar, për gjendjen e vështirë të jetesës së shqiptarëve të kohës, e cila është premisë për fillimin e lëvizjeve çlirimtare. Sot më së shumti ankohen për gjendjen e vështirë që kanë krijuar në popull tendencat e lëvizjes për shkëputje teritoriale dhe pavarësi shtetërore të grupit etnik shqiptar në trojet e vendeve respektive. Dihet mirë se konfliktet midis grupeve të ndryshme etnike, janë gjithmonë më të forta se sa brenda të njëjtit grup etnik, por sot nuk cilësohen shpesh shkelje të natyrës ekstreme, si ato që vërehen në këtë letër-thirrje. Dhe kjo në asnjë nga vendbanimet shqiptare jashtë teritorit të Shqipërisë. Nuk flasim dot me fakte të plota për gjendjen e etnisë shqiptare në teritoret e përfshira në hartat e shumëllojshme të Shqipërisë etnike apo natyrale, por mund të vërejmë qartë se grupet e turistëve shqiptarë sot, mbeten pa fjalë nga ballafaqimi fizik me praninë e tyre në këto teritore.

Aq i madh është ky efekt, sa që shpesh dyshohet, që edhe Shqipëria mund të arrijë ndonjëherë standarde të tilla në zhvillimin e saj ekonomik dhe në prezantimin e marëdhënieve sociale. Edhe vizita e detyruar e shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri në fundin e shekullit të kaluar, tregoi qartë se ata nuk arritën të përjetonin mirë shpirtërisht kushtet në të cilat banuan, bile edhe kur jetuan në ambjentet familjare të shqiptarëve. Hartat që përdoren për të treguar se sa të mëdha janë teritoret e banuara nga shqiptarët, përgjithësisht janë të ndryshme, por zakonisht ato orjentohen nga kufiri që zotëronte Shqipëria kur ishte nën varësinë e Perandorisë Osmane. Në këto teritore nuk kishte siguri as për pronën dhe as për jetën e njerëzve. Gjuha shqipe ishte e ndaluar dhe me vështirësi të mëdha ishin hapur vetëm disa shkolla fillore. Shpesh herë këto vështirësi përfshinin edhe gjakderdhje në konfliktet e ashpëra.

Por sot gjuha shqipe e folur në trevat jashtë Shqipërisë duket mjaft e kultivuar. Idetë kulturore, artistike dhe politike, që zotërojnë janë gjithashtu për t`u patur zili. Asnjë komb, asnjëherë, nuk duhet të ndërpresë përpjekjet për bashkim. Megjithatë, vetëpërmbajtja dhe qëndrueshmëria duhet t`i përshkojë veprimtaritë e tij patriotike. Epo acarimi i marrëdhënieve nga përpjekjet për shkëputje shtetërore dhe pavarësi, nuk kanë asgjë të përbashkët me gjendjen që ekziston realisht në ndërveprimin e etnisë shqiptare për të plotësuar kërkesat jetësore për punë dhe pushim, për ushtrimin e të drejtave, apo liri në veprime. Pa mohuar konfliktet etnike, mendoj se në kuadër të shteteve ku jetojnë, këta shqiptarë kanë përfituar një kontribut më të lartë zhvillimi ekonumik dhe shoqëror. Kanë përfituar një liri më të madhe për të lëvizur nëpër botë, duke arritur mirëqenie më të lartë ekonomike dhe mundësi reale për ballafaqimin e ideve me të cilat ndërtohet shoqëria. Krahasuar këto gjithmonë, me mundësitë që kanë patur shqiptarët e përfshirë brenda kufirit shtetëror.

Shpesh shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Greqisë dhe Malit të Zi emigrojnë. Kanë emigruar në të kaluarën e afërt dhe të largët, emigrojnë sot, fatkeqësisht do të emigrojnë edhe në të ardhmen. Emigrojnë për punë, shkollim, vendbanim, pse jo, nuk rezervohen edhe për të krijuar familje në të gjitha vendet e botës atje ku shkojnë. Për këtë nuk i pengon prania e grupeve të tjera etnike me tipare aq të ndryshme. Shpes herë ndodh që shqiptarët ushqejnë shpresa dhe kanë FB_IMG_1455222652754dëshirë për të rregulluar jetën jashtë trevës tonë kombëtare. Kjo ka arsye të shumta, por po ndalem në një citim të studiuesit Ferdinand Schevill në librin: ”Ballkani, historia dhe qytetërimi.” – “Nga pikëpamja hidrografike, Gadishulli i Ballkanit përbënë një masë të ngritur e cila bie në drejtim të Detit të Zi dhe Egjeut. Nga kjo rrjedh se masa e ujrave që shkon drejt Detit Adriatik dhe Jon është më e vogël. …lumenjtë e së cilës janë të parëndësishëm, duke patur parasysh se janë të shkurtër dhe kanë karakter teritorial, mbledhin ujërat e shirave të rrëmbyeshëm në dimër dhe thahen në verë.

Këta lumenj jo vetëm që janë të papërshtatshëm për lundrim por dallohen si për erozionin, ashtu edhe për përmbytjet që shkaktojnë. Në perëndim të rrafshit të Maqedonisë, ndodhen vargmalet e Shqipërisë. Këta janë zinxhirë shkëmborë, sipërfaqja e të cilëve përshkohet nga përrenj të shumtë, të cilët në luginat e tyre kanë gjithçka tjetër përveç bimësisë. Këta përrenj rrjedhin në veri, në Alpet e Shqipërisë, të cilat ashtu si malet në jug kanë shumë pak drurë dhe një popullsi mjaftë të shpërndarë. Rrjedhimisht këto troje kanë ushqyer historikisht pak njerëz”. Pra emigracioni e paska një bazë fizike natyrore. Po të llogaritim këtu edhe invazionet Romake, Bizantine , Sllave dhe Osmane, të cilat i grabisnin edhe ato prodhime dhe pasuri të tjera që mund të krijonin me tepër vështirësi shqiptarët, merret me mend lehtë se si ka mbijetuar ky popull i lashtë.

Vazhdon…

Share: