Home KRYESORE Porositë e FMN-së!

Porositë e FMN-së!

Misioni Fondit Monetar Ndërkombëtar qëndroi në Tiranë nga data 9 – 22 Mars 2016 për të kryer rishikmin e shtatë të marrëveshjes me qeverinë Shqiptare. Në deklaratën e tyre për shtyp, Misioni i FMN-se u shpreh se “kishin arritur një marrëveshje me autoritetet duke nënvizuar se programi i tyre në Shqipëri është në rregull në vija të përgjithshme. Stafi i Misionit beson se rritja ekonomike do vazhdojë ndërsa disa reforma të rëndësishme strukturore duhet të përshpejtohen. Risku i realizmit të të ardhurave mbetet prezent, ndërsa manaxhimi i investimeve publike dhe i PPP-ve duhet të orintohet tek mbështetja e rritjes ekonomike dhe konsolidimi i borxhit publik.” Kështu foli FMN-ja. Më poshtë do gjeni çfarë në fakt tha ajo, mbasi foli:
***
“E dimë që jeni mësuar të rroni me të keq, dhe tani as ne si Staf i FMN-së nuk na bën më përshtypje. U mësuam me vonesat tuaja dhe nuk është se presim ndonjë progres në reformat strukturore, sidomos ato që lidhen me të drejtat e pronës, qeverisjen dhe sistemin e drejtësisë si katalizatore të rritjes ekonomike. Prandaj edhe pse arritëm në marrëveshje edhe këtë herë në 22 Mars, Stafi ngre disa çështje si më poshtë:
Për rritjen ekonomike
Po u kryen investime të huaja në hidroçentralet e kaskadës së lumit Devoll dhe për TAP-in, dhe po u rrit konsumi i Shqiptareve do ketë rritje ekonomike. Përndryshe, kthehuni nga dielli të thaheni. Edhe nëse kryhen këto investime, rritja do jetë arithmetike, sasiore dhe jo cilësore – pra nuk sjell as punësim dhe as pasurim të shqiptarëve. Kjo lloj rritjeje arithmetike, për të gjithë amatorët e ekonomisë, sidomos për ata që stafi takon në qeveri, është njësoj si t’i hedhësh nga pak ujë qumështit. Ja e fillojmë me nga 1.8% dje, 2.7% sot, dhe 3.4% nesër me shpresë të Zotit. Do vazhdohet derisa qumështi të bëhet ujë fare. Nëse investimet mbi lumin Devoll dhe ato të TAP-it nuk ndodhin, për 1001 arsye që lidhen me investitorët, nuk do të ketë as të ardhura në buxhet nga mos kryerja e investimit të huaj.
Stafi ngeli duke i thënë shqiptarit: po fute dorën në xhep o burrë, harxho ndonjë lek o burrë, rrite konsumin, por ne fakt nuk pret që kjo realisht të ndodhë në afatmesëm. Kush është ai budalla që fut dorën në xhep në Shqipëri sot. Qartazi, inflacionin e presim jo më shumë se 1.9%. Për këtë fajin e ka kryesisht armiku i jashtëm se ngeli duke ulur çmimin e naftës. Po edhe shqiptarët si faktorë të brendshëm, sepse janë dembela dhe punojnë më pak nga sa kanë fuqi, dhe justifikohen se bëjnë kështu ngaqë nuk kanë besim te qeveria. Diskutimet e fundit per deflacionin, disinflacionin na kanë çuditur por mbetet të themi se inflacioni në Shqipëri është si puna e Elvis Preslit që thonë se e shohin herë pas here në kohë dhe vënde të ndryshme, por që në fakt nuk gjendet askund, sepse realisht ka vekur.
Për këto arsye, edhe pse është e qartë që treni i shqiptarëve nuk lëviz nga stacioni, qeveria ka për detyrë të lëvizë vetë, të këndojë e të kërcejë brenda vagonave, që të duket sikur treni lëviz. Pavarësisht ndonjë kritike, çfarëdo që të ndodhë, është mirë edhe për popullin, që ju të vazhdoni të këndoni bukur dhe të kërceni mirë dhe të jeni euforik. Të gjithë. Jo vetëm njëri. Mos kemi llafe.
Për buxhetin e shtetit 2016
Ne e kemi te qarte që tani në Mars, se të ardhurat buxhetore në vitin 2016 nuk do realizohen. Mungesa e tyre nuk do jetë aq keq sa në 2015, por rreziku është i madh. Nuk i dihet nëse të ardhurat, nuk do mblidhen, do futen në ato pak xhepa privatë që dijmë, apo do mungojnë për arsye të tjera.
Stafi vlerëson se duhet ende shumë punë që të zgjerohet baza e taksueshme, domethënë që të shtohen realisht numri i ndërmarrjeve, jo ashtu kot, me aksion. Për më tepër stafi gjykon se duhet të rritet bindja fiskale, domethënë që njerëzit të paguajnë se marrin ndonjë shërbim mbrapsht nga shteti dhe jo nga frika.
Në këto kushte, në çdo rast, pavarësisht se ku i çoni lekët, duhet të thoni se të ardhurat nuk u realizuan, kryesisht për faj se u ulën çmimet e karburanteve në tregun ndërkombëtar. Mos pranoni asnjë argument tjetër. Ndërkaq, i inkurajojmë autoritetet të heqin dorë nga dhuna për zgjerimin e bazës së taksueshme dhe rritjen e bindjes fiskale. Mjaft e ënjtët dhe kërcënuat biznesin me burg, me gjoba dhe me dru. Shqiptaret dallohen tashmë në çdo aeroport të botës nga koka me gunga dhe kurrizi pelte.
Për Investimet publike dhe konçesionet:
Perspektiva e investimeve publike mbetet e njëjtë me atë të dy viteve që shkuan. Mysybet. Performanca e dobët e tyre, krejt sporadike, kryesisht në qëndra qytetesh dhe mbjellje bimësh dekorative vështirë se do ndikojë pozitivish tek rritja e shumëpritur ekonomike apo tek ulja e riskut fiskal. Për më tepër proçesi i PPP-ve i ndërmarrë me vendosmëri nga autoritetet, ka nevojë për transparencë, projeksion dhe analizë të kostove dhe përfitimeve. Është e qartë se rritja e borxhit publik do mund të jetë një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e këtyre PPP-ve në periudhën afatmesme.
Prandaj, bëni ndonjë investim në ekonomi, mbaroni ndonjë segment rrugor, a hapni ndonjë rrugë të re. Blini ndonjë ilaç për të qënë për spitalet. Mos mbillni vetëm palma dhe kërpudha, ndërsa në një moment të dytë duhet hequr dorë edhe nga rregullimi i vazhdueshëm i strehës tek Kryeministria. PPP-të duhen ndërprerë, nuk keni këllqe të merreni me to, dhe po vazhduat kështu brenda tre vjetëve borxhi publik arrin në 90% të GDP-së. Po kështu, i duhet vënë fre ndjenjës së papërmbajtur të lidhjeve personale Kineze, përmes të cilave autoritetet besojnë, përmes një formule sekrete, se do realizojnë integrimin e Shqipërisë në BE.
Kredia për ekonominë.
Sektori bankar është i zhytur në para. Ai ka 7 miliardë Euro depozita por ka dhënë vetëm 3.9 miliardë Euro kredi për ekonominë. Kredimarrësit e dinë këtë gjë. Ekzekutimi i kolateraleve nuk arrin të ndalojë tendencën e fortë të përkeqësimit të kredive të këqija. Prandaj bankat e nivelit të dytë nuk kanë ndërmend të japin më kredi. Mbetemi me shpresën se Banka e Shqipërisë nuk do ndërmarrë lehtësimin sasior, të cilin ka kohë që e bluan në mendje se i duket vetja si Federal Reserve, ndërsa duhet kufizuar çdo tendencë drejt normave negative të interesit.
Kështu që, mos bëni gafë të çoni interesat negative se Shqiptari i varfër nuk ka ndërmend të paguajë nga xhepi bankën, që ajo vetëm t’i mbajë paratë si kuti teneqeje. Do ju gjejë belaja. E inkurajojmë Bankën e Shqipërisë të vazhdojë të ule interesat bazë nën 1.5% që të rritet kredia për ekonominë, edhe pse e dimë se siç thotë Ainshtaini që kur bën të njëjtin veprim dhe pret rezultat të ndryshëm je idiot.”
Share: