Home KRYESORE Qajtore

Qajtore

Nga Edison Ypi

Atë biznesin e vogël të cilit ja kanë ngritur taksat, në Prishtinë e shkruajnë “Qajtore” por është “Çajtore”, ndërsa në Tiranë e shkruajnë gjithfarsoj por është “Qajtore”.

Sa shumë Qajtore në Tiranë, dhe sa për të qarë.

Në një qoshe, pronari, 40-50 vjeç, i cili 20 vitet e para të jetës i ka kaluar duke ngrënë dy herë në ditë përshesh me kos, tani gjith tangërllik, zinxhira floriri rreth qafës së dhjamur të zengjinit të ri, gajaset në një qoshe me ca homologë të tij.

Dy studente flasin e flasin pafund me sy e vetulla duke flakur sa majtas sa djathtas qafave të bardha floknajat e zeza a të kuqe a të ylberta, duke i thënë njëra-tjetrës saktësisht asgjë.

Tre-katër djem me mjekrra të vizatuara si parzmore mesjetare, llafosen seriozisht për për selfie dhe aventura virtuale.

Ai qe gazetat nuk i lexon por i ha, rrufit i vetëm kafenë. Me murin përballë thur e çthur parlamente e qeverira, dënon, fal, lejon, bllokon e çbllokon situata të ndërlikuara politike, ekonomike, gjeopolitike, zigzage juridike.

Muzika e sfondit që ulet e ngrihet sipas shijeve të banakierëve shkatërron pa mëshirë nervat e qajtoristave.

Tre mesoburra “bëjnë biznes” përmbys mbi ca skica me rrathë, shifra, elipsa dhe trekëndësha, që duken si harta yjore.

Mik i vjetër në një qosh. E kotë t’i afrohesh për tu çmallur. I ka ikur mendja. Është bërë dishepull i një sekti të padëgjuar dhe i falet një Profeti që rujna Zot.

Tre vogelushë të vërsulen njëkohësisht për të të shitur të njëjtat paketa dhe çakmaqe. Fitimtari është gjithmonë një thatuq sykaltër qethur zero.

Kalon andejpari dikush që ta bën falas testin e budallallëkut. Të thotë rrëzë veshit se ka mbetur pa miell. Ti tmerrohesh se e mendon të uritur. Por vjen shpejt në vete kur tjetri shton se ka ngut, është i shtrënguar ta shesi për 10 mijë lekë të vjetra një zinxhir floriri që kushton 100 dollarë, paçka se zinxhiri duket që atje tej që është prej bronxi.

Rogneri, Sheratoni, Grandi etj edhe ata qajtore janë.
Qajtore është edhe Gabi që na vesh me zhelet dhe zhulet e dynjasë.

Parlamenti plot me deputetë hajdutë e kriminelë, a nuk është edhe ai një qajtore.

Për pak harrova Qajtoret më të rëndësishme. Ata restorantat jashtë qytetit me male mishi, kodra me bërxolla, kazana me gjëndra, ku shqiptarët postkurvista me rrëke dhjami nëpër turi ngopin urinë e etërve në ato Vajtore.

Share: