Home KRYESORE SHQIPERIA, PROTEKTORAT NDËRKOMBËTAR I PASHPALLUR

SHQIPERIA, PROTEKTORAT NDËRKOMBËTAR I PASHPALLUR

Nga Sulejman ABAZI (NESHAJ)

Sqaroj që në fillim. Kur flas për Shqipërinë, kam parasysh tërë trojet shqiptare, ku flitet shqip dhe jeton popullsia jonë. Kemi shtet dhe do të bëjmë Shqipërinë, apo jemi katandisur Protektorat Ndërkombëtar, ku politika zvarritet pas “detyrave të shtëpisë”?!

Le t’i kuptojmë pak gjëra ashtu siç janë në të vërtetë.

Shqiptarët po përjetojnë një situatë në një pikë vlimi të frikëshme, në përballje me fenomenet shkatërrimtare brenda jetës së tyre. Përballë tyre, Politika e ditës në “kohën moderne”, po manifeston një prirje të gabuar dhe shumë të dëmshme. Për shkaqe thelbësore dhe aspak humane e kombëtare, kjo politikë po vazhdon të endet e trubullt mbi shtrate dhe “horizonte” imagjinare. Ajo, çuditërisht është mbërthyer fort pas këtij qëndrimi, e bindur se “po shkrihet” për komb e atdhe, duke shfaqur mbingarkesat e saj emocionale, delirante, ekstremiste, fluide, tolerante, pacifiste …dhe religjioze.

Politika flet dhe moralizon, kur brenda Kombit zhvillohet një situatë e rëndë me frymë të hapur antishqiptare. Terrori i të gjitha ngjyrave, psikologjik, kriminal mafioz, terrori politik, terrori në shkolla, institucione, mbi jetën dhe pronën, terrori etnik dhe fetar, terrori i grabitjeve të mëdha me refleksione shekullore, po ushtrohet me efekte të drejtpërdrejta mbi popullin e lënë në harresë.

Bashkë me një hije të pashmangshme historike që po na ndjek pas, shqiptarët janë përfshirë në një perceptim të pikëllueshëm të mundësive dhe pamundësive për jetën, në një depresion total, në humbjen e shpresës, duke braktisur vendin e tyre me dhimbje të tmerrëshme në shpirt e në zemër. Përrallat fëmijërore për vijueshmërinë pozitive “të progresit social”, kundër kaosit dhe pasigurisë, kundër mjerimit dhe pabarazisë, për Shqipërinë “evropiane”, janë vendosur pabarazisht në një distancë të gabuar të kësaj politike bajate, pa kockë e pa bosht, e cila ka një perceptim shumë të gabuar midis demagogjisë, hipokrizisë, aventurizmit politik dhe mafioz, qëllimit të saj të mbrapshtë antishqiptar dhe mjeteve për realizimin e tyre.
Demokracia dhe shteti janë kthyer në një kërbaç “në duart e popullit” për të fshikulluar mirë fizikisht dhe shpierërisht vetë popullin e mjerë. Kjo skemë hipokrite, e vendosur mbi shinat e makabritetit kundër jetës dhe pronës, kundër pasurisë kombëtare, po ndjek një ritual politik të përsëritur në këto 24 vite, duke e kaluar nga një dorë në tjetrën, në mënyrë që me të dy duart të mundohen të pastrojnë fytyrën e lerosuar nga krimi dhe pabesia, nga antishqiptarizmi e deri tradhëtia.

Në emër të pushtetit të “votës dhe demokracisë” po bëhen arnime spektakolare, “duke grisur këmishën për të andruar brekët”, po flitet në emër të “popullit votues një milionsh”, për të justiufikuar të gjithë ndërmarrjet e dhunëshme mbi jetën, pronën, vlerat dhe moralin, mbi familjen, pasurinë kombëtare, mbi gjithçka që ka brenda saj traditën e vyer shqiptare dhe pasuritë dhe mundësitë që na ka falur natyra.

Një popull i varfër në një vend të pasur. Përrallat për rezerva të mëdha nafte, për miliona tonelata minerale, për ujëra të ëmbël që të mbajmë tërë Evropën, përrallat për flori, magnesium, bakër e krom, për 400 km bregdet fantastik, për shumëçka tjetër, vetëm për njërëz të mirë, jo. Shitje dhe vetëm shitje të pasurisë kombëtar për një copë bukë, konçesione vrasëse, duke na sjellë në krye një klasë oligarkësh të rinj, përballë pasurisë të të cilëve janë xheloz vetë bosët e Evropës. Tani kanë mbetur dhe energjitika dhe hidrocentralet. Shitini dhe ato që t’ja hidhni dhe ca ditë hidhërimit që keni për arkën e shtetit bosh. Na nxirrni dhe ne popullin në Pazar, sepse në sytë e kësaj politike, njeriu në Shqipëri është veç një mall, por mos harroni, “një mall pa inventar”.

Kjo dhunë psikike mbi një popull të traumatizuar, e ushtruar nga një politikë e egër që nuk njeh parime e norma, po shoqërohet me një demagogji të sofistikuar mbi “këpucët e futbollit” dhe “revolucionet e buta demokratike”, duke e çuar Shqipërinë brinjëdalë drejtë çoroditjes totale, varfërisë dhe kaosit. Jeta jonë është në kufijtë e rrudhosjes së frikëshme pa mundësi regjenerimi….. Rrudhosja nuk është vetëm fenomen fiziologjik. Kuptimi i saj filozofik bazohet në mundësinë dhe pamundësinë e ripërtëritjes, të stanjacionit moral dhe politik, të shkatërrimit ekonomik dhe rënies graduale të energjive, venitjes në kohë të aftësive dhe potencialeve kombëtare, duke e çuar me duart tona ardhmërinë tonë drejtë greminës.

Rrudhosja morale po përjeton dhe simulon qëllimshëm midis nesh, në mënyrë të pakthyeshme, çoroditjen marramendëse të shkaktuar nga sindromi “i Njëshit”, përbetimi për “liderët historikë” të gjallë e të vdekur, “të doktrinarëve vizionarë” dhe “shefave” të tyre përtej kufijve, që po na dhunojnë dhe fyejnë përditë me injorancën e inteligjencies së tyre “të zhvilluar”, me metoda të skajëshme makiaveliste. Makiaveli po të ishte gjallë do të xhelozohej mbi boshllëqet e veprës së tij.

Autokratizëm, diktaturë dhe tash ka mbetur vetë tirania. Çfarë kërkojmë dhe ku duam të shkojmë kështu. Shkalla e inferioritetit dhe paaftësia politike e një klase njerëzish interesaxhinj, të korruptuar dhe të kriminalizuar, po lejon dhe stimulon çdo ditë një gjenocid moral me përmasa tragjike në jetën e njerëzve të çoriditur nga padrejtësia dhe varfëria. Të vrarë, të gjymtuar, të kërcënuar, nga depresioni i skajshëm, nga mungesa e rregullave, nga çmenduritë shqiptare, me jetën dhe pronën të pasigurtë, po i detyron shqiptarët t’i kthejnë kurrizin vendit të tyre! Sa shqiptarë do të mbeten në këtë vend pas 10 vitesh? Sa, 1 milion, apo 500 mijë?

Rrudhosja dhe degradimi politik dhe social, për shkak të sëmundjeve psikike të huazuara nga “sokaku i të marrëve”, të atyre që kanë drejtuar vendin në këto 24 vjet, po vuan mungesën e mendimit progresist, duke e mbajtur këtë politikë të kriminalizuar rob të mendësive dhe veseve të vjetra, pa vizionin, lolo për teatër para trupit diplomatik, të kamufluar me një maskë teatrale qesharake që çdo ditë po na i sjell zorrët e barkut në grykë.

Ju na sollët mes nesh “Haurët e qelbur të Avgjisë”. Këtu është ndotur thellë gjithçka.

Të njëtën situatë përjetojnë shqiptarët në trojet e tyre ku jetojnë. Të nëpërkëmbur, të diskriminuar, të shantazhuar, të rënuar ekonomikisht, të zhytur në një mizerabilitet për shkak të varfërisë së skajëshme, të mbetur në mes të rrugës, jetim “me nënë e me babë”, dobiçër në sytë e botës reaksionare ksenofobe, të katandisur “në kope delesh”, nën presionin e bandave politike dhe armiqve tradicional, ku nuk i dëgjon dhe nuk i pyet më askush.

Si në Tiranë, dhe në trojet e tjera shqiptare, populli fyhet rëndë nga një klasë politike që rezulton e përkulur, servile, hipokrite, pa gjak e damarë, që rezulton e shitur, e cila çdo ditë bën pazar me interesat e popullit shqiptar. Ngërçet e shkaktuara nga pasojat e një historie të trazuar dhe tejet të gjakosur, ka sjellë në skenë këto pjella të poshtëruara shumë herët, të lugëve me “çorbë të prishur”, të mbështetur verbërisht, pikërisht atje ku buron e keqia më e madhe e shqiptarëve, në Rrjetën e Merimangës së Zezë Ballkanike, e cila e ka kaluar me të gjitha format makiaveliste kombin shqiptar në gjendje reanimacioni.

Ata kanë marrë përsipër të shkatërrojnë gjithçka që lidhet me emrin Shqipëri dhe shqiptar. Ky “protektorat” ndërkombëtar i pashpallur, i mjaftuar vetëm për siguri rajonale me disa baza ushtarake, pa ushtri e siguri kombëtare, i lën qëllimisht i paarmatosur, që po mburret me një “batalion operacional”, po dhunohet deri në gen, pasojë e një eksperimentimi poshtërues. Askush nuk po vret mendjen se po e çon me dashje këtë popull drejtë aventurës së tij tradicionale për jetë dhe mbijetesë, te ikjes, por mos harroni, dhe të një rikthimi, ashtu sic ka qene tradita jon. Po na shisni gjithcka, por nuk na shisni e bleni dot shpirtin. Atë ja kemi falur vetëm Shqipërisë, e cila një ditë do të ringrihet, pa ju njerëzit e veckël delirantë, që ja keni shitur shpirtin tuaj djallit dhe të birit. Dikush duhet të ndalet një moment dhe të gjykojë me gjakftohtësi:

Çfarë kërkojnë sot shqiptarët?!

Share: