Blerje ilaçesh kontrabandë që nuk japin asnjë siguri për cilësinë e tyre, kryerje të analizave jashtë
QSUTsë për shkak se vetë spitali nuk e ofron një gjë të tillë. Këto janë problemet kryesore të gritura nga shoqata “Together for Life”, e cila organizoi sot një thirrje për të advokuar për të drejtat e pacientëve me kancer.
Të afërm të pacientëve me kancer ngritën zërin lidhur me problemet me të cilat ata përballen çdo ditë, duke theksuar blerjen e ilaçeve shumë të shtrenjta për xhepat e tyre për të realizuar kimioterapitë.
Gjithashtu, shumë prej analizave të nevojshme nuk kryhen në Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, duke i detyruar familjarët e të sëmurëve që t’i realizojnë jashtë spitalit me kosto shumë të mëdha.
I pranishëm ishte edhe Mystret Dervishi, nga Lushnja, vajza e të cilit vuan nga kanceri i mushkërive. I u shpreh se shumë prej ilaçeve për kimioterapinë i kanë blerë jashtë spitalit, ndërkohë që nuk kanë arritur të realizojnë gjithë analizat për shkak të kostos shumë të madhe. “Analizat kushtojnë mbi 1 milion lekë.
Kemi arritur t’i bëjmë vetëm gjysmat. Duhen shumë shumë para për të bërë të gjitha analizat e për më tepër, për t’i përsëritur ato. Ndërsa tani shpresojmë që të na ndihmojnë për të pasur ilaçe të paktën për të qetësuar dhimbjet e vajzës”, u shpreh Mystreti, i cili vetëm shpreson që, të paktën, ilaçet kundër dhimbjeve t’u sigurohen, siç në fakt u takon me ligj.
Eglantina Bardhi, drejtoreshë e shoqatës “Together for Life”, u shpreh se pacientëve me kancer po u shkelen të drejtat pasi nuk u sigurohen ilaçet, çka bën që trajtimi i tyre të mos jetë i plotë dhe jeta e tyre të jetë nën rrezik, edhe kur sëmundja është në stadet e para të saj.
Shoqata “Together for Life”, me mbështetjen e Fondacionit SOROS, po zbaton projektin “Investigim mbi abuzimin e pacientëve me kancer”. / shendeti.com.al