Home KRYESORE Busti i Azemit në vend të Enverit Gryka: Po ja ngrenë vrasësit

Busti i Azemit në vend të Enverit Gryka: Po ja ngrenë vrasësit

Ish-truproja i Azem Hajdarit, Marjan Gryka, shprehet se njerëzit e Sali Berishës, disa prej të cilëve të akuzuar si të implikuar në atentat, po i ngrenë një bust Azem Hajdarit, në Tropojë. Sipas tij, busti i Azem Hajdarit është planifikuar të ngrihet në vend të bustit të Enver Hoxhës, bust të cilin e ka rrëzuar vetë Azemi 25 vjet më parë. Por, Marjan Gryka pohon se “Shoqata Mbarëkombëtare Azem Hajdari”, është kundër kësaj iniciative, për shkak se, kontribut për ngritjen e bustit në Tropojë, po jep edhe Fatmir Meta, i akuzuar për vrasjen e Hajdarit, por i shpallur i pafajshëm nga gjykata.

Gryka sjellë detaje për Shqiptarja.com rreth kësaj lëvizjeje. “Aty ku Azemi rrëzoi bustin e Enverit, po i ngrenë bustin. Në listën e sponsorve të bustit të Azemit, 90 për qind janë tropojanë, mes tyre edhe Fatmir Meta, i akuzuar për vrasjen e Azemit. Pas nismës fshihet Saliu, i cili gjithë këto vite është munduar ta shuajë emrin e Azemit. Pasi e vrau bashkë me Pollon dhe Arben Imamin, sërish Azemi e shqetësonte”, shprehet Gryka.

Sponsorit

Ish-truproja i Azem Hajdarit, Marjan Gryka ka një mesazh edhe për dy vëllezër nga SHBA, të cilët kanë sponsorizuar dhe po mbledhin fonde për ngritjen e shtatores së Azem Hajdarit. “Ndërsa vëllezërve nga SHBA, ju rikujtoj se kur erdhën në ’97, unë me Azemin i shoqërova duke ju siguruar jetën dhe në ato momente, Azemi nuk fliste me Saliun. Azemi ishte përjashtuar nga PD dhe nuk kishte asnjë funksion. Asokohe Azemin e kërcënonin lakenjtë e Saliut dhe anëtarët e firmës Shqiponja të Dritan Shehut, sot i përfshirë në dosjen “Panama”, thotë Gyka.

Akuza vëllait të Azemit

Marjan Gryka ka hedhur akuza edhe mbi vëllanë e Azem Hajdarit, Rasimin, i cili sipas tij, është bërë vegël e Sali Berishës. “Është njeriu që përfitoi biznese në emër të Azem Hajdarit. Pas vrasjes së Azemit, u bë vegël e Saliut. Kurrë nuk kërkoi drejtësi për Azemin, pasi vetë Azemi nuk e ka afruar kurrë këtë njeri, të cilin e ka quajtur bashkëpunëtor të komunistëve. Por, sot ky hap biznese, si vëllai i Azem Hajdarit. Tropojanët sot, nën urdhrat e Saliut, kërkojnë të ulin figurën e Azem Hajdarit. Tropojanët e Vranë Azemin. Këta duhet të flisnin të fundit. Azemi nuk është i Tropojës apo si Saliu i UDB, por është i të gjitha Shqipërisë. Busti i tij duhet të vihej në Sheshin Skënderbej”, thotë Gryka.

Panama Papers

Marjan Gryka deklaron se katër zyrtarë të PD kanë fshehur paratë e dyshimta në Panama dhe në parajsa të tjera fiskale. Sipas tij, Sali Berisha, Genc Pollo, Arben Imami dhe Tritan Shehu kanë fshehur paratë në parajsa fiskale. “Sali Berisha, Arben Imami dhe Genc organizuan vrasjen e Azem Hajdarit. Të tre këta, sot janë bankierë në Panama Papers. Llogaritë e tyre në Panama Papers janë lekët e krimit politik dhe ekonomik. Shqiptarët ka 25 vjet që e shohin live Panamanë, por duke heshtur, po kthehen në fukarenj dhe injorantë”, thotë Gryka./Shqiptarja.com

Share: