Home KRYESORE Feja ne shkollën e Shqipërise rrezikon ekstremizëm ne Kosove

Feja ne shkollën e Shqipërise rrezikon ekstremizëm ne Kosove

Nga Alma Lama

Së fundi, kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama duhet të tregohet tepër i kujdesëm në lidhje me këtë cështje, sepse si ka përgjegjësi jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë kombin shqiptar.

Ajo çfarë mund të bëhet në Shqipëri mezi pritet të imitohet nga Kosova e cila rrezikohet seriozisht nga ekstremizmi fetar. Çështjen e fesë si komb e kemi zgjidhur në kohën e rilindësve, nuk kemi pse ta hapim më.

Ajo çfarë na duhet është rritja e nivelit arsimor që për momentin është për faqe të zezë, dhe ekstremizmi fetar ka si shkak kryesor injorancën.

Le të angazhohemi pra si Komb për ta luftuar injorancën, për të fituar dijen, për ta iluminuar mendjen, siç bëjnë kombet më të përparuara të planetit.

Intervista e plote per Indexi.Net

Pse e konsideroni të gabuar futjen e lëndës për fenë në shkolla?

Se pari duhet te sqarohet nga ana juaj se ky debat po zhvillohet ne Shqiperi dhe per shkollat ne Shqiperi dhe jo per Kosoven, keshtu qe unë nuk kam mandat të flas si deputete për atje, por vetëm, si një qytetare shqiptare. Arsyeja pse jam kundër futjes së lëndës fetare nëpër shkolla publike lidhet me një fakt shumë të thjesht dhe të rëndësishëm: feja bie në kundërshtim me interpretimet shkencore te dukurive.

Shkenca bazohet ne fakte të provuara, ndërsa feja është dogmë, që shpjegon dhe interpreton botën sipas ideve qe nuk kanë asnje bazë shkencore. Nëse femjët iu ekspozohen në të njejtën shkollë të dyja interpretimeve, mendja e tyre do të coroditej. Imagjinoni shpjegimin e teorisë se evolucionit, të cilën e mbështesin të gjitha akademitë shkencore në botë, se si mund të interpretohet në mësimet fetare. Konflikti është i pashmangshëm.

Se dyti, me futjen e lëndëve fetare në shkolla do të cënohej laiciteti i shtetit, që është në themel të shtetit shqiptar. Fete janë të shumta, respektohet liria e besimit, por vetëm si cështje private. Institucionet shtetërore as nuk ndërhyjnë as nuk influencohen nga fetë.

Së treti, luftimi i ekstremizmit fetar, me të cilën po përballet bota nuk mund të bëhet me futjen e lëndëve fetare nepër shkolla, se po të ishte ashtu Arabia Saudite që ua mëson fenë në shkolla fëmijëve do të ishte vendi më i pastër në botë përsa iu përket ekstremistëve fetarë . Në fakt realiteti është plotësisht ndryshe, vendi më fetar në botë është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i ekstremizmit në botë.

Së katërti, njohuritë mbi fenë, rolin e tyre nëpër histori, luftërat fetare, kryqeqëzatat, pushtimet ne emër të saj mësohen aktualisht në histori, ndërsa toleranca ndaj të tjerëve, përfshirë edhe tolerancën fetare mësohet në lëndën e edukatës qytetare. Nëse në tekstet shkollore në Shqipëri ka mungesa të tilla është mirë të plotësohen këto tekste, por kurrsesi të bëhet lendë e vecantë.

Në rast se do të përgatitej një lëndë ku fetë të dekontruktoheshin dhe të shiheshin me kriticizëm, kjo do t’i alarmonte komunitetet fetare, të cilët do të coheshin në këmbë kundër shtetit. Fakti që po e përkrahin idenë e Ramës tregon se ata janë të kënaqur me tekstet qe do të hartohen, e të kënaqur mund të jenë vetëm në rast se përputhen me agjendën e tyre, pra indoktrinimin.

Së pesti, indoktrinimi i fëmijëve është shkelje e të drejtave të tyre, edhe me konventa ndërkombëtare. Fëmijët nuk duhet të manipulohen nga asnjë ideologji, ata duhet të lihen të lirë derisa të arrijnë moshën e pjekurisë, e pastaj të vendosin nëse duan të besojnë në fe apo jo.

Së gjashti, kultura e qytetërimeve mund të mësohet, është shumë interesante, mund të bëhet lëndë për ndonjë klasë në shkollë të mesme ose thjesht të integrohet në lëndën e historisë, por kjo nuk duhet të ketë karakter fetar. Feja është pjesë e kulturës por qytetërimet janë shumë më shumë se feja.

Së fundi, kryeministri i Shqiperise z. Edi Rama duhet të tregohet tepër i kujdeshëm në lidhje me këtë cështje, sepse si ka përgjegjësi jo vetëm për Shqipërinë por për gjithë kombin shqiptar. ajo cfarë mund të bëhet në Shqipëri mezi pritet të imitohet nga Kosova e cila rrezikohet seriozisht nga ekstremizmi fetar.

Cështjen e fesë si komb e kemi zgjidhur në kohën e rilindasve, nuk kemi pse ta hapim më. Ajo cfarë na duhet është rritja e nivelit arsimor që për momentin është për faqe të zezë, dhe ekstremizmi fetar ka si shkak kryesor injorancën. Le të angazhohemi pra si komb për ta luftuar injorancën, për të fituar dijen, për ta iluminuar mendjen, sic bëjnë kombet më të përparuatra të planetit.

Nëse do të futej si lëndë në shkolla a do të kishte efekt në parandalimin e ekstremizmi fetar?

Nuk ka ndonjë studim shkencor që mbështet idenë se nëse futen mësimet rreth fesë në shkolla, do të luftohej ekstremizmi fetar. Është plotësisht e kundërta, me dije luftohet ekstremizmi, me zhvillim dhe mirëqenie, e po kështu me monitorim të objekteve dhe predikuesve fetarë, të cilët nuk duhet të lejohen të bëjnë propagandë antikushtetuese apo të nxisin urrejtje fetare. Një lëndë fetare në shkolla do të na conte 200 vjet pas…

Share: