Home KRYESORE Fjalimi aspak i mencur i kryetarit

Fjalimi aspak i mencur i kryetarit

Nga Lis Bukuroca

Fjalimi i Thaçit ishte fjalim i pamencur. Ai fjalim, që ka ditur më së miri ta shkruajë apo t’ia shkruajnë, flet për nivelin e tij intelektual, për aftësitë e tija manipuluese dhe për nivelin intelektual të atyre që këshillojnë atë. Disa fragmente nga ai fjalim paralinguistik:

Si u bashkuan pjesëtarët e etnive në Kosovë gjatë zgjedhjes së Thaçit kryetar ? Si dikur në çaste gëzimi dhe hidhërimi, dmth. , si dikur derisa vriteshin në mes vete dhe, ja çfarë shkruan kryetari i Kosovës:

“Sot jemi të bashkuar si vend dhe si popull. Jemi këtu pjesëtarë të komunitetit shumicë, pjesëtarë të bashkësive etnike dhe fetare…

Kemi qenë të bashkuar në kohë të mira dhe në situata të rënda, në kohë hidhërimesh dhe gëzimesh „

Cila është dëshmia më e madhe e qytetarëve të Kosovës? Uniteti që buron nga proceset demokratike dhe se janë të përkushtuar për sistem uniteti dhe ai sistem, qenka transparent dhe nuk paska dëshirë askush ta çrrënjos.

Ja pra gjykimi i Thaçit për unitetin, që sot nuk ekziston, ose pjesërisht ekziston nga epshi patologjik ndaj karrierës së Thaçit dhe Mustafës :

“Uniteti ynë ka qenë dëshmia më e madhe se jemi të përkushtuar për një sistem uniteti, që buron nga proceset demokratike, transparente dhe që nuk ç’rrënjosen nga askush.”

Çfarë besimi kanë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie? Besim euroatlantik! Në lirinë për ta zhvatur Kosovën, për ata që janë në pozitë, nuk do të ketë asnjë kompromis.

“Nuk do të ketë asnjë kompromis për liritë dhe të drejtat tona.“

Kosova që u lind me zjarr e hekur, për ta parafrazuar, thotë se buron nga proceset demokratike, si Sllovakia dhe Çekia për shembull.

“Një vend që buron nga proceset demokratike, transparente me rrënjë që nuk çrrënjosen më nga askush.“

Në tetë vjetët e fundit të sundimit të tij, Kosova paska arritur pjekuri të një demokracie europiane dhe paska funksionuar si shtet demokratik, por pak njerëz kanë sy rentgeni për ta konstatuar atë.

“Me kontributin dhe sakrificën tuaj, me kohezionin qytetarë, sot i tregojmë botës së kemi arritur pjekuri të një demokracie evropiane në tetë vjetët e fundit të funksionimit si shtet demokratik.“

Këtë mendim nuk e kuptoj, sepse përemri vetor duhet të jetë në vetën e parë, që mungon, por folja është në vetën e tretë. Pra unë ju siguroj, ai siguroi. Ai pauzoi, ose nuk do të pauzojë, edhe pse ajo fjalë është banale.

“Ju siguroi se shteti ynë nuk do të ndalet, nuk do të pauzoi. -“

Dhe është president vetëm i heronjve të vdekur dhe të atyre që do të shpallen nesër nga ai, edhe pse faktikisht është president i komandantëve dhe i Isa Mustafës.

“Sot dua t’ju them se jam shumë i nderuar se jam vetëm president i heronjve që të pa mundurën e bënë të mundur.”

Pastaj për të përkëdhelur sedrën e qytetarëve, shpall heronj edhe serbet dhe pakicat tjera, që u sakrifikuan për ta zhdukur Kosovën.

“Heronj janë të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës. Unë jam vetëm një president i thjesht i një populli heronjsh.“

Se është president i thjeshtë, ordiner, është e qartë, por nuk është aspak modest, sepse me tërë fjalimin ndërtonte përmendoren e vet duke treguar historinë e tij, nga studenti, deri tek kryetari..

Edhe këtë mendim paralinguistik, nuk kuptoj.

“Do të publikoj fort për forcimin e identitetit shtetëror.”

Është krenar se lufton atë që prodhoi vet tetë vitet e fundit, por duke kursyer nga ndjekja misionarët e Erdoganit. Edhe qytetarët, që kanë shkuar në Siri të vrasin myslimanë dhe predikues të urrejtjes, paskan orientim euroatlantik.

Fjalën ka kryetari:

“Jemi krenar që Kosova është pjesë e përpjekjeve globale në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm, qytetarët e Kosovës masovikisht, pa dallim orientimi kanë synim euroatlantik.”

E çfarë paska bërë Skenderbeu? Skënderbeu paska prekur dy bota. Ne dimë se kemi një botë, por ndoshta me atë aludon në botën e gjallë dhe të vdekur.

Ja merita e madhe e Gjergj Kastriotit:

“Qytetarët të nderuar, të nderuar miq, të gjithë ju mysafir nga e gjithë bota, jemi këtu para monumentit të Skënderbeut, shumëkush e sheh si luftëtar mes qytetërimeve por unë e shoh si një njeri që preku dy botërat.“

Ku mburret Thaçi, dhe ku gjenden margaritarët?

„…krenar për gjurmët e shërbëtorëve të krishterë që nga koha e shën Pjetërit dhe shën Palit dhe çmojmë margaritarët e kishës Ortodokse serbe.“

Dhe sipas tij Kosova është shtet sekular:

„Por nuk jemi më të pasurit në Evropë pse kemi kaq pasuri, kaq diversitet, kaq tolerancë shekullore, por të jemi të qartë, ky vend është sekularë.

Çfarë bëri autonomia serbe? Ajo relaksoi Ballkanin.

„Marrëveshja e Brukselit nuk është një ishull, ajo solli relaksim raportesh politike në të gjithë rajonin tonë. „

„Si president i Republikës së Kosovës, si president i një populli heronjsh unë besoj në shtetin tonë dhe në ardhmërinë e tij të sigurt. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj,  Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës, ju faleminderit shumë.„

Duke shpallur popullin heroik, parafrazoi mbretin injorant, Zogun, që kishte vetëm shtatë vite shkollë dhe nga frika se i marrin pushtetin, pat shpallur krejt popullin mbretër. Edhe pse fshatarësia dominonte vendin dhe nuk kishte ambicie politike.

Në krejt fjalimin e tij mund të nxirret një përfundim: kënaqësinë e madhe, që përjetoi me zgjedhjen president, edhe atë, duke shpërfillur të gjitha devijimet. Duke injoruar parashtetin, duke lavdëruar administratën tribale, duke harruar vjedhjen e 300 milion eurove nga autostrada. Duke lavdëruar profesorët, spitalet, gjykatësit, prokurorët dhe duke treguar se ka ndërtuar një shtet dhe një demokraci europiane, që funksionon herë si demokracia libiane, herë si ajo egjyptiane, e ndërtuar nga një njeri me gjene të njëjta si të Putinit dhe Erdoganit.

Ky fjalim jo vetëm se tregon për aftësitë e tij dhe korit të këshilltarëve, por tregon arsyet e mëdha, pse Kosova është izoluar, pse ka mjerim ekonomik dhe se autonomia u fal pa asnjë kushtëzim, vetëm duke shpresuar se anulohen vizat…

Share: