Nga Perparim Kabo
Atë ditë kur Kryetari Bashkisë së Lushnjës i tha asaj gruaje…”vetë i polle ata famijë apo me lagjen…dhe ta fus atë portofol në gojë…” ne u indinjuam…
Aroganca sheshit, fyerje e një gruaje dhe një nëne. Pas dy ditësh po në Fb shohim që kryetari del në foto më gruan tanimë jo në shesh të hapur por në një ambient zyre…dhe gjithçka duket e regulluar, e paqte dhe e falur nga gruaja e gjorë që do bukë për fëmijët.
Një shije e hidhur mbeti tek ne të gjithë. Nga aroganca në hipokrizi…! Për ne asgjë nuk ka ndryshuar, kryetari mbetet i njëjti tip zyrtari që është zgjedhur nga votat e popullit për të shërbyer.
Përtej rastit shohim se pushteti është i sëmurë rëndë, sepse kur mendon se nuk e sheh kush shfaqet aroganca, mospërfillja dhe neveria ndaj njeriut në nevojë në mënyrë kaq flagrante.
Kryetari i bashkisë së Lushnjës në rastin e arogancës nuk e dinte që po e xhironin..Kur e ka parë veten në Fb që sot numuron 1,4 miliard përdorues…e ka kuptuar se ai portofol në gojën e gruas ishte më heroik se portofoli tij i mbushur …
Në rastin e dytë ai ka pozuar, ka dalë në fotografi…ka fotografuar nga celulari tij… E mendoni që dikush, sekretaria e tij apo ndihmësi është duke bërë fotot…kanë bërë disa prova që të zgjidhnin…! Hipokrizia bën prova, rregullon buzëqeshjen…
Po atje ka qenë dhe kurthi. Gruas mund t’i kenë thënë…eja se të do kryetari që të dëgjoj si e ke hallin…dhe njeriu në nevojë ka shkuar, ashtu pa teklif me të njëjtin fustan dhe me të njejtën kuletë bosh.
Pikërisht në ato çaste ka rënë në kurthin e hipokrizisë… Mendoj se ky gjesti dytë e bën edhe më motivues qëndrimin tonë që ky tip zyrtari të shkarkohet… Pushteti me arrogancë të dhunon me hipokrizi të poshtëron…ndaj gruaja është dy herë viktime…
Ne dy herë të motivuar t’u themi stop, sepse edhe ne direkt ose indirekt e ndjejmë egërsinë e arrogancës dhe thonjtë e hipokrizisë…