Home KRYESORE Pensioni për shqiptarët, kafshatë që s’kaperdihet

Pensioni për shqiptarët, kafshatë që s’kaperdihet

Luela Myftari

Pensioni është kafshatë që nuk kapërdihet. Këtë e shkrova katër vjet më parë në gazetën ku punoja. Bëja një llogaritje të thjeshtë të një nënokeje shumë të paqtë që jetonte në lagjjen time. Sot, kjo nënoke nuk jeton më, por po ta pyesja sërish mbrëmë, do të më thonte të njëjtat fjalë: Nuk i kam mbledhur akoma paratë e varrit. Do t’i bëhem barrë djalit, se ky pension është kafshatë që s’kapërdihet.

E meqënëse, ajo u largua kështu nga jeta, pa siguruar dot as një vend ku të prehet pa hyrë në borxh, më mbeti veç kujtoja sërish, bashkë me një brengë tjetër shqiptare, që është pasoja më e shpifur që i ka rënë për hise ta mbajnë si turp në histori të gjithë shqiptarëve.

Shqiptarët ndërrojnë etninë për pensionin

Pensionet e Greqisë në Shqipëri janë pensionet më të përfolura, bashkë me ata shqiptarë që vetëdeklarohen grekë. Në fakt, banorët me pensione më të larta në Shqipëri janë ata të ashtuquajturit “minoritarë grekë” dhe ata të vërtetët grekë. Në jug të Shqipërisë, në Himarë e në disa fshatra përreth, për vite të tëra shqiptarët marrin një pension nga shteti grek, ku e ku më të lartë se ai që i siguron shteti shqiptar. Ka vetëm një kërkesë nga pala greke: që ata të deklarojnë se i përkasin minoritetit të tyre. Ka nga ata që edhe mund të ndërrojnë emrat, njëlloj si fëmijët që kanë dërguar në Greqi.

Nuk kanë faj sepse kur stomaku kërkon të hajë, nuk ke më kohë të mendosh për atdhetarizma. Stomaku nuk e njeh nacionalizmi dhe dashurinë për atdheun. Stomaku njeh vetëm urinë. Ndaj trupin dhe stomakun mund t’ia falim grekut, për aq kohë sa ai mund të na sigurojë bukë. Me kalimin e kohës, atëherë kur gjendja të jetë edhe pak më e vështirë, mund të shesim edhe shpirtin. Dhe në kohën kur Greqia të ofron një pension tre herë më të madh se Shqipëria, ia vlen të thuash që i përket minoritetit grek. Dhe kur të gjithë banorët e fshatit tënd hanë si pashallarë me lekët e Greqisë, përsëri ia vlen të ecësh me turmën. Sepse ajo është turma që ushqehet dhe jeton.

Ajo nuk ka lekë, por ka nuse të mirë

pensionistet me shkopPensioni. Kur ia përmend, të moshuarit shqiptarë nuk kanë shumë shpresa. Madje, edhe ata që besojnë në rritjen e pensioneve, janë të sigurt edhe për rritjen e taksave, çka do të thotë se ato që do t’u japin, do t’ua marrin sërish. Midis shumë të moshuarve, Flora Vata është ajo që na shfaqet më pak e ndrojtura. E takojmë tek Liqeni Artificial, një ndër të paktat vende ku nuk ka nevojë të paguash për të marrë ca rreze dielli. Së bashku me disa mikesha të saj, ndonjë të diel, ajo organizon një piknik me çaj. E përgatisin vetë çajin sepse nuk kanë mundësi ta konsumojnë atë në baret e kryeqytetit. Në bisedën me të zbulojmë se po të mos ishte djali i saj që e ndihmon ca financiarisht, ajo nuk do t’ia dilte mbanë. Ajo merr çdo muaj 13.700 lekë të reja. Në rininë e saj ka pasur një dyqan në markatën e lagjes. Ka qenë shitëse. Nuk ka ndenjur as edhe një ditë pa punuar. Së fundmi, ka pasur edhe disa probleme shëndetësore, çka e rëndon shumë ekonominë e saj. Flora na tregon me detaje se si fluturon pensioni i saj. Tregon se do ta kishte të pamundur jetesën nëse nuk do të jetonte pranë birit të saj, i cili shtron në tryezën e familjes së tij edhe një pjatë për të ëmën.

Në fillim të muajit

Pensioniste duke mbajtur rradhen, per te terhequr shperblimin prej pese mije lekesh, te akorduar nga qeveria me rastin e festave te fundvitit.

Çdo fillim muaji, Flora paraqitet në atë kioskën ku merr pensionin e saj të vyer. Për çdo muaj, asaj i takojnë 13700 lekë të reja. I merr me buzëqeshje, por rrugës i ikën buzëqeshja. Sepse ajo e di se edhe këtë muaj faturat e energjisë elektrike, telefonit, ujit dhe ilaçeve do t’ia shterojnë ato pak para që sapo ka marrë. E megjithatë, ajo shkon me shpejtësi në shtëpi. Gjatë gjithë kohës, e shoqëron një lloj pasigurie. “Një mikes sime i morën të gjithë pensionin sapo doli nga kabina. Ka të rinj që e njohin shumë mirë aftësinë tonë për të vrapuar. Prandaj edhe shkoj me frikë deri në shtëpi. Ka raste që marr taksi kur e shoh që aty ka djem të rinj që po rrinë kot”.

Fatura e energjisë elektrike

fatura energjiseKjo është fatura që e shqetëson më shumë. “Energjia elektrike është ajo që kushton më shumë. Përgjithësisht, paguaj 3000 lekë të reja në muaj. Disa herë më shumë e disa herë më pak. Por, përafërsisht aq”, na thotë Flora për të hequr një barrë të madhe. E fillon menjëherë me faturën e energjisë elektrike. Ngrohet me një rezistencë që ka tre shufra. “Ndez gjithnjë 1 ose 2 shufra, asnjëherë 3. Pasi më janë ngrohur këmbët, marr një batanije e mbështillem. Unë për vete, e fik rezistencën gjatë gjithë ditës, por kur vijnë nipërit, jam e detyruar ta ndez. Për veten time nuk ka gjë, por ata duhet të ndihen ngrohtë”. Flora na rrëfen gjithashtu se sobën nuk e përdor thuajse fare. Nusja e djalit gatuan edhe për të. Kafenë dhe çajin për vete dhe për mikeshat e saj e bën me një bombol të vogël gazi.

Fatura e telefonit

Duke qenë se jeton vetëm, ndonjëherë telefoni është mjeti i vetëm që i sjell afër kushërinjtë e saj. Ajo flet aq sa mund të flasin të gjitha moshataret e saj. Përafërsisht, e përdor telefonin katër herë në ditë. Në mbrëmje flet me të bijën. Ajo e merr gjithnjë. Por, fatura e telefonit vjen përafërsisht 1500 lekë të reja. Pasi ka paguar edhe faturën e telefonit, Florës i mbeten edhe 9200 lekë të reja.

Fatura e ujit

Flora nuk është e qartë për faturën e ujit. “Në të përfshihen uji, pastrimi, rrjedhja e tubacioneve e kush e merr vesh se çfarë tjetër. Nuk kam qenë asnjëherë e qartë për këtë faturë. Di që paguaj çdo muaj 2000 lekë. Janë shumë për mua”. Ajo pi ujë të blerë. Në lagjen e saj vjen çdo javë një autobot që mbush bidonë 5 litërsh me ujë. Flora mbush 3 shishe plastike prej 5 litrash çdo javë. Këto tre shishe kushtojnë 100 lekë. Gjatë një muaji që ka katër javë ajo harxhon për ujë të pijshëm rreth 400 lekë. Këto i bashkëngjiten faturës së ujit prej 2000 lekësh të reja. Kanë kaluar vetëm dhjetë ditë nga marrja e pensionit dhe asaj i kanë mbetur më pak se 6800 lekë të reja. Më shumë se gjysmën e pensionit ia ka dorëzuar shtetit ashtu siç e mori. Fundja, tani i ka mbetur pak më pak se gjysma e pensionit. Të gjitha këto, janë vetëm për të.

Ilaçet

ilacetËshtë e moshuar dhe ka nevojë për të blerë ilaçe. Jo të gjitha i ka të rimburësueshme. Ato do t’i blejë tre ose katër ditë pasi të ketë paguar të gjitha faturat e shtetit. “Ilaçet i blej në mes të muajit. Përgjithësisht, harxhoj 1000 lekë të reja për to. Dhe pasi të kem blerë edhe ato, në portofol mund të më kenë mbetur rreth 5500 lekë të reja. Por pleqëria nuk rezervon vetëm ditë të mira. Ka ditë që ti e ndien se duhet të bësh ndonjë vizitë mjekësore. Mua më duhet të bëj analizën e gjakut javë për javë. Ajo kushton 500 lekë. Analizat për mpiksjen e gjakut, në fund të muajit më marrin 2000 lekë nga portofoli. E ç’më mbetet për të ngrënë”? Në fakt, Florës i kanë mbetur disa qindarka për të shtyrë muajin. I kanë mbetur plot 3800 lekë për të shtyrë muajin. Janë të gjitha për t’u ushqyer, për blerë ndonjë gjë për vete ose për të bërë ndonjë qokë. Si ia bën Flora për t’u ushqyer?

Më ushqen im bir!

djale nenePa të birin ajo nuk do të mund të mbijetonte. Na tregon se në shtëpinë e saj nuk ka karamele apo biskota për të qerasur ndonjë vizitor. Ushqehet tek i biri. Ato 3800 lekë po t’i pjesëtosh për 30 ditë të muajit do t’i jepnin asaj të drejtën për të shpenzuar jo më shumë se 125 lekë në ditë. Ajo na tregon se vetëm sallata jeshile kushton 170 lekë, çka nuk e lejon atë të bëjë asnjë lëvizje për ushqimin. Blen pak çaj, një pako kafe dhe ca fruta. Të paktën të ketë fruta në shtëpi. Këto i kushtojnë rreth 200 lekë në javë. Për të tjerat bën sikur nuk ka nevojë. Po sikur të mos e kishte nusen e djalit aq të mirë sa t’i shtrojë një pjatë në tryezë, çfarë do të bënte Flora? Nuk do të mund të mbijetonte. Të paktën jo me 125 lekë në ditë. Sepse edhe një palë çorape kushtojnë më shumë se aq. Sigurisht, që gardëroba e saj do të ketë nevojë për ca ndryshime. Por asaj i duhet ta qepë një fustan të grisur sepse një i ri kushton 2000 lekë. Dhe ajo nuk i ka aq. Pasi ka blerë 200 lekë në javë ose 800 lekë në muaj, fruta, çaj dhe një pako kafe, Florës i kanë mbetur 3000 lekë. Abone nuk blen, sepse del vetëm të dielave nga Liqeni Artificial. Lëvizja i kushton rreth 500 lekë në muaj. Pa llogaritur këtu taksinë që merr ndonjëherë kur del nga kabina e pensionit. Ajo nuk harron gjithsesi t’i japë tre nipërve të saj nga 100 lekë secilit. I do shumë.

Kursimet

LEKUNë fund Florës i mbetet vetëm 2200 lekë. Këto i ka për ndonjë ditë të keqe. “Bie fjala kam një qokë muajin tjetër. Jam e detyruar të hedh ndonjë gjë. Në muajt kur kam mundur të kursej 2000 lekë jam shumë e lumtur. Kështu mund t’i blej një dhuratë të vogël nipit që muajin tjetër ka ditëlindjen”. “Për çfarë i vjen keq Florës…”, pyesim. “Më vjen keq, që nuk po mundem të siguroj edhe një copë varri për veten. Edhe e vdekur do t’i bëhem barrë tim biri. Mirë tani që nuk mund të siguroj asnjë kafshatë bukë për veten, por edhe e vdekur do t’i kushtoj para”. Ajo nuk e mendonte kurrë që do të vinte një ditë e tillë, një ditë kur as fëmijës tënd nuk mund t’i thuash që je sëmurë. Nuk e mendon dot se si do të ishte një ditë pa të birin. Nuk e mendon dot ditën e një të moshuari që i duhet të ushqehet gjatë gjithë muajit me 2000 lekë, pra me 65 lekë në ditë.

Share: