Nga Emin Azemi
Ne që merremi mbi 30 vjet me gazetari, nuk mund ta pranojmë një material të servuar prej kanaleve policore si “brumë’’ prej të cilit do të “gatuanim’’ ndonjë produkt të caktuar mediatik, sidomos kur ai prek privatësinë e njerëzve. Gazetaria hulumtuese ka rregulla e parime të tjera, prandaj edhe përfaqëson një sistem të tërë vlerash. Është e palejueshme profesionalisht dhe e dënueshme ligjërisht që xhirimet sekrete, montimi i video-pamjeve, fotoshop-i, prezantimi i rrejshëm, audio-regjistrimi pa lejen e bashkëbiseduesit, të shfrytëzohen si material për një storje hulumtuese gazetareske.
Në radhë të parë, vetë gazetari a media vendos për temën, për protagonistët e targetuar në hulumtim, si dhe për mënyrat dhe procedurat e eksplorimit të materialit hulumtues. Fundja, ky është edhe misioni i gazetarisë hulumtuese: Që të zbulojë diçka që dikush qëllimisht e fsheh. Por, në asnjë mënyrë hulumtimi nuk guxon të iniciohet prej të tjerëve, sidomos prej atyre që në mënyrë selektive, poshtëruese e joprofesionale synojnë të godasin ndonjë kundërshtar a jobashkëmendimtar. Sepse në këtë rast nuk kemi hulumtim të mirëfilltë gazetaresk, por një survejim të paligjshëm policor, i cili nuk e ka për bazë interesin publik, por diskreditimin e personave të caktuar.
Gazetaria e mirëfilltë profesionale e kritike, në asnjë rast dhe me asnjë kusht nuk i përvetëson rezultatet dhe të arriturat e të tjerëve, e më së paku kur ato vijnë prej segmenteve të caktuara të shërbimeve sekrete. Jo rastësisht kjo gazetari i përdor edhe “veglat’’ e saj të punës që i shërbejnë si teknika vetjake të hulumtimit, siç janë: intervistat, lajmet, deklaratat, anketat, reportazhet e ndryshme, hulumtimet arkivore, lundrimi në internet etj. Pra, një gazetari quhet e paanshme dhe profesionale vetëm atëherë kur produkti mediatik krijohet pas një pune të mundimshme, origjinale dhe krejt vetjake, duke i ikur plagjiaturave dhe bartjes së zbulimeve të huaja.
Nëse nuk ndodh kjo, atëherë gazetaria shfrytëzohet nga paradhomat e ndryshme të shërbimeve policore, si megafon për të përforcuar trullosjen publike përmes shantazhimit klasik të personave e institucioneve të caktuara, kurse privatësinë e njerëzve e nxjerr në ankand publik, duke iu nënshtruar linçimit, para se këtë ta kenë bërë organet kompetente, përmes procedurave të parapara të hetimit dhe procedimit të paanshëm.
Kur u zbulua afera e njohur Votergejt në vitin 1972, në Amerikë, nga gazetarët e “Washington Postit” Bob Vudvordi dhe Robert Bernshtajni, me ndihmën e një nëpunësi anonim të FBI-së, ngjarje mediatike ishte dorëheqja e presidentit Nikson dhe arrestimi i personave që kishin montuar pajisjet përgjuese.
Afera e ashtuquajtur “Puç” në Maqedoni ka disa pikëtakime dhe dallime me aferën “Votergejt”. Spiunazhi, frikësimi, sabotimi, grumbullimi i fondeve sekrete ishte objektivi i aferës “Votergejt”, të cilën Niksoni e kishte ideuar për të neutralizuar kundërshtarët e tij politik.
Te afera “Puç”, pushteti aktual mundohet të paraqitet si viktimë e “përgjimeve të paautorizuara”, por këtu nuk kemi të bëjmë me kurrfarë dimensioni privat të ndonjë individi. “Përgjimet e paautorizuara” zbuluan afera të rënda korruptive me përzierje direkte të pushtetarëve dhe ata që duan ta ndajnë këtë aferë në aspektin politik dhe atë juridik, kanë arsye të mbështesin njërin apo argumentin tjetër, por diçka që mbetet e “pambuluar” është dëmi që i bëhet shoqërisë me përvetësimet financiare për llogari personale të funksionarëve të lartë shtetëror.
Aktualisht, opinioni publik po bombardohet me audio-regjistrime të fshehta që kanë përmbajtje të turpshme dhe asnjë njeri normal nuk do të pajtohej me ato përmbajtje dhe me individët e përfshirë në to. Por, tani ekziston një dilemë që ndërlidhet me argumentet e mësipërme: Duhet apo jo të publikohen këto audio-regjistrime dhe sa ato paraqesin interes publik? Do të pajtohemi me një rregull të pashkruar se politikanët dhe personat e ndryshëm që ushtrojnë funksione publike, mund të kenë impakt, me veprimet e tyre private, në jetën publike, nëse ato veprime e dëmtojnë rëndë funksionimin normal të detyrave që ata kanë, apo nëse e dëmtojnë imazhin e tyre dhe institucioneve që përfaqësojnë. S’do mend, se në rastet konkrete ka ndodhur edhe njëra edhe tjetra, por dilema profesionale nuk përfundon këtu.
Pse po serviren në mënyrë selektive këto audio-përgjime dhe pse ato kanë objekt targetimi vetëm politikanët shqiptarë? Jo se dikush e ka ndërmend me këtë rast të marrë në mbrojtje ndonjë individ të politikës, por ajo çka na bie ndërmend ta theksojmë tani është dëmi që mund t’i shkaktohet pikërisht interesit publik, duke u munduar që përmes bisedave të “turpshme”, të mjegullohen (eklipsohen) aferat dhe proceset e mëdha të montuara nga vetë njerëzit e pushtetit. Ata që po i bëjnë këto audio-regjistrime dhe që po i distribuojnë nëpër media nuk e kanë hallin e interesit publik, sa e kanë për qëllim shantazhimin e dikujt për llogari të tjetërkujt.
Cili shqiptar normal në këtë shtet do të pajtohej që politikani i tij të shantazhohet, jo pse ka bërë ndonjë veprim të turpshëm, por pse atij duhet t’i mbyllet goja të mos iniciojë projekte me interes shoqëror për ndonjë vendbanim shqiptar apo edhe të mos ndriçojë ndonjë aferë të montuar nga vetë pushteti.
Pra, çështja është shumë më komplekse sesa na duket në shikim të parë dhe ata që vërtet janë ithtarë të kësaj metode hulumtuese-shantazhuese le të insistojnë t’i sigurojnë fillimisht materialet se si u inskenua “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra”, “Kumanova” dhe pastaj të kalojnë në bisedat e ‘turpshme’ të politikanëve.