Nga Jeta Tocila Shkurti
Sipas meje ka nevojë për qartësime kjo teza e të mësuarit të fesë në shkollë. Ne ende nuk kemi informacionin e saktë se si është menduar të transmetohen njohuritë? Apo eshte hedhur nje shashke nga kryeministri per te testuar opinionin, edhe pse dyshoj per kete. A do të jetë lëndë me zgjedhje? A do të jetë e integruar në një lëndë tjetër? Cila do të jetë përmbajtja? Në c’moshë mendohet t’u transmetohet nxënësve? Kush do t’a hartojë tekstin? Cfarë formimi do të kenë mësimdhënësit? A do merret konsenti I prindërve? Po nëse prindërit refuzojnë?
Kultura nuk I bën dëm askujt, por edukimi mbi fetë hyn në ato lloj dijesh që duhet të jenë në zgjedhjen e gjithsecilit. Dhe deri në moshën 18-vjecare, janë prindërit ata që vendosin për edukimin e fëmijëve të tyre. Unë e shoh të rrezikshme idenë se ky lloj edukimi do të nisë në klasën e 6, domethënë në moshën 12-vjecare.
Jam kurioze se si do ua shpjegojnë kësaj moshe apokalipsin e përmendur në librat e fesë? E dini se ka patur raste tek fëmijët e kësaj moshe që kanë kryer vetëvrasje, për të cilat është dyshuar fort mbi shkakun e mësimit mbi jetën në botën e përtejme?
Duhet theksuar se konceptet abstrakte, ku përfshihen edhe ato mbi fenë përpunohen pak më vonë. Jo më kot është vëzhguar se etja për tu marrë me filozofi lind natyrshëm në atë fazë të adoleshencës, kur arrihet një nivel I caktuar I të menduarit që lidhet shumë me përpunimin e koncepteve abstrakte. Që do të thotë se klasa e 11 apo 12 do të ishte më e përshtatshme. Dhe sërish këtu ka rezerva, pasi jo të gjithë nxënësit mund të arrijnë atë nivel zhvillimi sa të operojnë mirë me konceptet abstrakte.
Nje merak tjetër është tek mënyra e paraqitjes së mësimeve, përmbajtja e tyre, ekuilibrat në trajtim, të cilat druaj se do kenë saktësinë e matematikës.
A do gjenden mësues kaq të zotë për të gjitha llojet e besimeve, që t’ua përcjellin këtyre nxënësve në formën më të thjeshtë të mundshme? Sot po hasen probleme të mëdha me nivelin profesional të mësuesve, referuar të dhënave nga Ministria e Arsimit.
Të shpjegosh koncepte fetare, do të thotë ti kesh asimiluar mirë ato, ti njohësh në majë të gishtave. Ku do të gjenden mësues të tillë, për të gjitha besimet? Ku do të gjenden mësues që tu shpëtojnë qëndrimeve të tyre personale duke I përcjelllë me paanshmëri informacionet? A do të mundej për shembull një mësues letërsie të fshihte pasionin e tij për veprat e Oskar Ëild-it??
Si përfundim mendoj se nuk mund të bëhet një ndryshim I tillë në arsimin tonë, I shkëputur nga cdo kontekst. Njerëzit blejnë një send të ri për shtëpinë e tyre dhe e rrotullojnë nga të gjitha anët për të gjetur se ku përshtatet më mirë. Përvec kënaqësisë së syrit, mendohen edhe efektet e asaj kënaqësie në të gjitha aspektet e jetës së njeriut brenda mureve të shtëpisë.