Home KRYESORE PROBLEMI DHE ZGJIDHJA JEMI VETEM NE

PROBLEMI DHE ZGJIDHJA JEMI VETEM NE

Nga Alfons ÇUPAJ

Një ditë pozitive lidhet ngushtësisht me njerëzit me të cilët kemi kontakte dhe ambientin që na rrethon. E gjitha fillon që tek pallati ku banojmë, lagjja ku jetojmë, njerëzit që na rrethojnë, itinerari që ndjekim. Nis që nga ai supermarketi i vogël, biblioteka ku lexojmë, te kioska ku blejmë çdo ditë gazetat, te shitësi ambulant, berberi, lokali ku pimë kafen, te banka ku tërheqim lekët, te sportelet ku paguajmë energjinë elektrike dhe ujin. Çdo ditë ha një vakt në një mensë.

Porosis ato që dua të marr dhe zotëria në banak, që është edhe pronari i asaj mense modeste më thotë të marr diçka tjetër, pasi ajo që porosita kishtë shumë kohë që ishtë gatuar. Marr diçka tjetër, bëj pagesën dhe ulëm për të ngrënë. Nga tavolina më shkon syri tek një ëmbëlsirë dhe ngrihem që ta marr. Në momentin që nxjerr lekët, ky zotëria rreth 60 vjeç, nuk pranon t’i marrë, duke më thënë se jeni klient i përhershëm, ky një veprim i përsëritur i tij. Nxitimthi, ngrihem për tu larguar, e megjithëse ka një fluks të jashtëzakonshëm, ky zotëri nuk harron kurrë të të urojë një ditë të mbarë.

Ky dhe shumë rastë të tjera, më bëjnë të bësoj se njërëzit pozitivë janë kudo dhe sigurisht që sjellja e tyre ndikon drejtpërdrejtë në lumturinë tonë. Nisem për të shkuar në bankë, por më parë më duhet të kaloj një semafor. Ndaloj, pasi e kuqja urdhëruese është e ndezur, por disa të tjerë më shtyjnë përpara. Me fytyrën ngrysur, duket sikur më vërsulen; po ti pse nuk ecën se ke bllokuar rrugën? Spostohem anash, por sërish pres sa të pulsoje jeshilja, ndërkohë që dikush më godet fort në sup teksa kalonte në të njëjtën kohë me makinat. Kthej kokën. Ishte një mesoburrë që fliste me zë të lartë në telefon, çuditërisht i kollarisur. E ndërsa jeshilja më thotë të kaloj, një makinë më prek lehtë dorën me pasqyrën e saj. Po kalonim në të njëjtën kohë, edhe pse kësaj herë, radha ishte e imja…

Futem në bankë. Portieri më thotë se radha ime ishte pas dy zonjave që ishin ulur në karrige, ndërkohë që një tjetër ishte në sportel. Pres deri në momentin që më vjen radha, veç kur më shfaqet përpara një zonjë që sapo kishte ardhur, edhe pse une kisha 30 minuta që prisja. Nuk flas, thjesht vë buzën në gaz. Gjithë atë çudinë që më shkaktoi ai veprim i pamatur, sesi një zonjë e nderuar prishi radhën e të paktën tre personave, ma largoi arkëtarja, pak a shumë në moshën e mamasë timë, e cila më thotë se një veshje seriozë nuk reflekton gjithmonë edhe edukatë. Ajo arkëtare është një zonjë e nderuar. Gjithmonë e buzëqeshur dhe e dashur. Pas kryen veprimet e duhura me thotë; ditë të mbarë i dashur dhe vazhdo t’i respektosh të tjerët edhe nëse nuk e meritojnë.

Këto janë vetëm 2-3 momente të një ditë të zakonshme që ndikuan drejtpërdrejtë tek unë. Ndoshta të duket e pabesueshmë, por ti ke në dorë lumturinë time.

Ti mund të ma bësh ditën të bukur. Ti mund të bësh që unë të mos e ndjej lodhjen. Ti mund mund të bësh një fytyrë të ngrysur të buzëqeshë. Ti mund t’i japësh shpresë një të pashpresi. Ti mund t’i ngresh krenarinë një të përbuzuri. Ti mund t’i fshish lumin e lotëve një të braktisuri Ti mund të bësh të fluturojë nga gëzimi një i pikëlluar. Ti mund të kontribuosh që të gjithë njërëzit të jenë të lumtur. Jemi ne që kemi në dorë fatet tona.

Jemi ne që i ngrejmë barrierat dhe po ne që mund t’i shembim ato. Jemi ne që mund t’i ndezim dritën e fikur të shpresës atij që dëshpërimisht lufton për bukën e gojës. Jemi ne që me veprime të vogla mund të bëjmë gjëra të mëdha. Jemi ne që me gjëra të thjeshta, që nuk kërkojnë as kohë dhe as lekë, mund të bëjmë që shumë zemra të gëlojnë nga gëzimi. Unë, ti, ai…të gjithë së bashku kemi në dorë fatet e njëri-tjetrit.

Share: