Home KRYESORE REALITETI KONFLIKTUAL I POLITIKËS SHQIPTARE NUK ËSHTË FATALITET!

REALITETI KONFLIKTUAL I POLITIKËS SHQIPTARE NUK ËSHTË FATALITET!

E ardhmja i takon politikës së moderuar dhe liderëve të stilit të ri që do të ecin në shëmbullin e Konicës e të Nolit dhe kështu do të mund nga artikujt e faqeve të para të gazetave e periodikëve – fletushka efemere – të hyjnë në historinë e kombit të tyre dhe në atë të botës. À bon entendeur, salut!

Nga Klara Buda

Flash – ftesë për lexim
«  Udha që shpie në nder, liri e në shpëtim, nuk është shtruar me lule, por me ferra ;

ai që arrin në kulm, arrin i grisur, i përgjakur, i djersitur e i lodhur. » Faik Konica

Zhvillimet politike të këtij fillim mijëvjecari në Shqipëri, Kosovë dhe mes faktorit shqiptar në Maqedoni, me përjashtim të shëmbullit të liderit historik Ibrahim Rugova, babait të Rezistencës Paqësore, kanë rimuar shumë shpesh me konflikt, zënka e grindje e madje edhe përleshje fizike. Kjo ka bërë që elita jashtë politikës, por edhe qytetari i thjeshtë i ndërgjegjësuar të jenë në një deziluzion të vazhduar dhe shpesh ta shohë konfliktin e shprehur dhunshëm midis palëve të ndryshme si fatalitet të politikës shqiptare. Studimi analitik i Shekulli i Ri i Politikës Shqiptare.* i Dr.Veton Latifit**  konfirmon se nuk ka qënë gjithmonë kështu: politika konfliktuale në trevat shqiptare është një perceptim përmes asocimit me fenomenet e shpeshta së fundmi, por jo tipar dhe as traditë e politikës moderne shqiptare.  Një studim. i botuar nga Toena, që ri-ngjall optimizmin dhe imponohet si referencë në analizat perëndimore të politikës shqiptare, një fushë ku deri tani kanë shkruar vetëm të huajt, disa herë pasaktësisht dhe me paragjykim.

veton-1

Është në këtë stad që formësohet konkluzioni i punimit – duke u bazuar në historinë e zhvillimeve politike që prej krijimit të shtetit Shqiptar më 1912 dhe të programit të Rilidjes Shqiptare – se në themel dhe esencë  të politikës shqiptare janë vlerat e paqes, të dialogut dhe të tolerancës dhe jo konflikti. Në një qasje pozitive, duke iu referuar fakteve, Veton Latifi i vë përballë të sotmes një mënyrë tjetër shqiptare të të bërit politikë, duke ia paraqitur këtë lexuesit si një shëmbull informues e edukues, me optimizëm dhe duke shmangur tonin e  leksionit. Studimi konfirmon se politika konfliktuale aktuale shqiptare nuk është fatalitet!

Qasja por edhe natyra e shkrimit të librit janë që të dyja në përmbajtje e formë risi dhe do të qe shumë e vlefshme, që ky libër të lexohet nga çdo politikan, madje nga çdo qytetar, që dëshëron të njihet me një mënyrë tjetër të të bërit politikë, të ndryshme nga ajo e seancave parlamentare të kthyera në shfaqje komedie apo që përmbysin totalisht funksionimin e parlamentit si  një vend dialogu duke e kthyer atë në fushë proteste të dhunëshme që oa kalon asaj të rrugës dhe ku ndërhyn policia,  duke na përballur me pamje absurde e pa precedent të parlamentarëve që ngjeshin kundragaz!

Dhe sikurse Konica e Noli, janë ndër emrat e pakët që citohen në këtë rrugë njëqindvjecare të politikës shqiptare, në mënyrë të pakundërshtueshme Vatra, e New York-ut ishte vendi simbolik për ta promovuar tek Shqiptarët e Diasporës, librin Shekulli i Ri i Politikës Shqiptare.

Presidenti  i Vatrës Dr. Buçaj, dhe vatranët e pranishëm në bisedë me autorin e vlerësuan studimin dhe mirëpritën ftesën për një rol më aktiv të Vatrës në këtë fushë. Shoqata mithike për nga roli i saj historik në zhvillimet shqiptare, më pak aktive aktualisht, edhe sot mund ta rimarrë këtë rol. Në shëmbullin e figurave si Noli e Konica dhe duke u mbështetur në pjesën më elitare shqiptare në Atdhe e Diaspore, ajo mund të kontribuojë në përpilimin e një programi gjithëpërfshirës të zhvillimit politik shqiptar, një program kompaktësues, siç e përkufizon Dr. Latifi, duke shmangur termin unifikues, që do të konsiderohej i tepruar në stadin aktual të politikës Shqiptare dhe do të hidhte në ” llogore” ata që frikësohen nga “Shqipëria e Madhe” por qe sikurse kombe të tjerë të vjetër të Europës, si gjermanët është a aftë të kompaktësojë kombin pa rënë në shovinizëm.

E ardhmja i takon politikës së moderuar dhe liderëve të stilit të ri që do të ecin në shëmbullin e Konicës e të Nolit dhe kështu do të mund nga artikujt e faqeve të para të gazetave e periodikëve – fletushka efemere – të hyjnë në historinë e kombit të tyre dhe në atë të botës. À bon entendeur, salut!

* Botimet Toena, Tiranë, 2014

** Prof. Dr. Veton Latifi, Universiteti Jug-Lindor i Tetovës

Botim i Klarabudapost

Share: