Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe Diapsorë
Nga Emin AZEMI
Sindromi i zgjatimit në politikë, nuk është fenomen i panjohur, por kur ai shndërrohet në doktrinë ka rrezik që të bëhet pengesë për zhvillimin normal të ideve dhe platformave autentike e origjinale.
Shqiptarët në Maqedoni çuditërisht prej vitesh e kanë kultivuar këtë sindrom dhe ai ka ardhur duke u zhvilluar në përmasat e një nyje që padrejtësisht ka bllokuar kapilarizimin e jetës politike. Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vazaliteti të pakuptimt.
Shkëputja e Maqedonisë nga ish Federate Jugosllave nuk kaloi pa pasoja edhe në mendësinë politike të shqiptarëve. Në emër të organizimit autokton e autentik të jetës politike, shqiptarët e Maqedonisë u larguan nga idetë pak a shumë panshqiptare, dhe kjo nuk mbeti pa u reflektuar pastaj në marrëdhëniet politike e institucionale me maqedonasit.
Prishtina si qendër, që për vite të tëra nuk shkolloi vetëm profesor, mjekë, inxhinjer shqiptar nga Maqedonia, por krijoi parakushte edhe për një pikë referuese të zhvillimeve të shumta në politikë dhe në jetën kombëtare përgjithësisht, gradualisht dhe padrejtësisht filloi të zëvendësohet nga Tetova. Kjo e fundit arriti të grumbulloj partiakisht trurin e shqiptarëve, por jo edhe të ridimensionoj fuqinë ndikuese të intelektualëve në politikë, siç e bëri Prishtina me dekada të tëra. Kjo qasje tepër e ngusht që kishte për bazë ekskluzivisht përshtatshmërinë dhe dëgjueshmërinë partiake në dëm të kapaciteteve intelektuale e krijuese shqiptare, kryeisisht atyre të shkolluar në Prishtinë, i bëri dëm të pariparueshëm politikbërjes shqiptare në Maqedoni.
Kjo zhveshje e politikës nga bagazhi intelektual i ndihmoi procesit të degradimit të ideve nga niveli i shteformimit në skema koniukturale që kushtëzoheshin prej marrëdhënieve politike të partneritetit shqiptaro-maqedon brenda koalicioneve bashkëqeverisëse. Një skematizim i tillë i organizimit politik të shqiptarëve, solli surrogate të papëlqyeshme të teknologjisë së pushtetbërjes, duke nxjerë në pah pragmatizmin partiak para kauzave afatgjate kombëtare.
Dy opcionet dominante maqedonase që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM, me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opcione dhe për pasojë politikbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicjes së pashpjeguar për ‘’bashkëshortësi’’ të përjetshme me këto 2 parti kontradiktore maqedonase.
Sikur pasojat negative të reduktoheshin vetëm në suaza të mendësisë politike, dëmi do të ishte shumëfish më i vogël, por ndodhi që kjo mendësi të shërbejë së letër lakmusi dhe të shtrihet si një lavë e rrezikshme në gjithë shoqërinë shqiptare, duke e bërë ndarjen edhe më të madhe në mes të shqiptarëve që filluan të identifikohen, jo sipas afiniteteve intelektuale e krijuese, por në bazë të dostave dhe kumarëve të tyre maqedon. Pra, shumë shpejt shqiptarët e Maqedonisë tifozllëkun dhe animozitetin e fshehur ndaj partive maqedone filluan t’i shprehin përmes, gjoja, kritikave të tyre drejtuar njërës apo tjetrës parti shqiptare. Ka mjaftuar të dihet se kush është partneri maqedonas i një partie shqiptare për të projektuar te kjo e fundit thumbin e kritikës.
Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politke të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendenceva etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe Diapsorë .
Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevojitet një front i vetëm veprimi e mendimi, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone të cilat ende shkëlqimin e tyre e masin me errësirën e sinkopave shqiptare.