Zyra e nën presidentit amerikan në një njoftim për shtyp për takimin me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama të enjten në Shtëpinë e Bardhë, njofton se në takimin e Nën Presidentit Biden me Kryeministrin Rama mori pjesë edhe Presidenti Obama.
Presidenti, nën presidenti dhe kryeministri theksuan rëndësinë e partneritetit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Presidenti dhe nën presidenti, thuhet në njoftimin për shtyp, shprehën vlerësimin e tyre për rolin kritik që luan Shqipëria për çuarjen përpra të sigurisë në rajon dhe ripohuan rëndësinë e mbajtjes hapur të dyerve të integrimit Euro-Atlantik për stabilitetin në Ballkan.
Presidenti dhe nën presidenti përshëndetën Shqipërinë për rolin e saj udhëheqës në nxitjen e tolerancës fetare, për ndihmesën e rëndësishme të Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar kundër grupit ISIL dhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria ka ndërmarrë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Presidenti, nën presidenti dhe kryeministri ranë dakort për rëndësinë e vazhdimit të reformave në mënyrë që Shqipëria të përparojë në integrimin europian, përfundon njoftimi i zyrës së nën presidentit Biden./VOA