Home KRYESORE Si i humbi Edi Rama 18.428 anëtarë të PS-së!

Si i humbi Edi Rama 18.428 anëtarë të PS-së!

Nga Luljeta Progni

Socialistët janë ftuar sot nga kryetari Edi Rama t’i drejtohen kutive të votimit për t’iu përgjigjur pyetjes: Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i  saj është zgjedhur kryeministër, a konsiderohet automatikisht i  rinovuar mandati i  kryetarit?

Ka pak gjasa që shumica e anëtarëve të PS-së, kryesisht ata të moshuarit ta kuptojnë këtë pyetje.

Aq më pak dobinë e këtij referendumi.

Kjo pyetje është një kapriço e Ramës një nevojë e tij për t’i mbyllur gojën rivalit Ben Blushi.

Është shfaqje e arrogancës së tij ndaj gjithkujt që guxon t’i dalë kundër, pra një demaskim me votë me rezultatin lapidar të historisë së kësaj partie, 99 përqind.

Se rezultati dihet paraprakisht, “të paktën 99 përqind e socialistëve do të votojnë pro rikonfirmimit të Ramës kryetar”.

Rama ka thirrur sot në votime 81.572 socialistë.

Deputetja Blerina Gjylameti e konfirmoi këtë shifër të anëtarësisë.

Edhe Taulant Balla e ka deklaruar në këtë shifër anëtarësinë e Partisë Socialiste.

Por një vit më parë, Rama na dha një tjetër shifër. Në korrik të vitit 2015, në një takim me të rinjtë e PS në Jalë, Rama shpalli objektivin e tij për rritjen e anëtarësisë.

Ai tha në atë takim se objektivi është që nga 100 mijë anëtarë të PS-së deri në atë moment, anëtarësia e PS-së do të shkojë në 150 mijë, në vitin 2017.

Nëse e besojmë Ramën e korrikut 2015, sot pas gati një viti, duket se objektivi i kryeministrit nuk ka avancuar, madje është rrudhur.

PS ka humbur rreth 20 mijë anëtarë, saktësisht 18428 anëtarë, pra ka humbur vota brenda radhëve të saj, sa për një mandat deputeti.

Shifra zyrtare e deklaruar nga deputetja e kësaj partie Blerina Gjylameti, është 81.572 anëtarë të PS-së.

“Të 81.572 anëtarët do të votojnë në 383 qendra votimi. Për të qenë në përgjigje të problematikave që kanë zona të caktuara, apo njësi administrative të caktuara ku numri i anëtarësisë është më i madh, kemi ngritur edhe 15 qendra të tjera votimi”, tha Blerina Gjylameti dy ditë më parë.

Është fakt se kemi të bëjmë me një manipulim të paktën të deklarimit të shifrës së anëtarësisë.

Ose Rama ka mashtruar, kur tha një vit më parë se PS kishte 100 mijë anëtarë, ose sot Rama e ka ulur shifrën e anëtarësisë me qëllim për të justifikuar një bojkot të mundshëm të një numri jo të vogël socialistësh, ndaj referendumit të tij.

Ka ndodhur rreth dhjetë vite më parë në zgjedhjet e majit të vitit 2007.

Në atë kohë Rama u zgjodh kryetar i  PS-së me 97 përqind të votave, por në votime morën pjesë jo më shumë se 47 përqind e anëtarësisë së PS-së.

Kundërshtarët e Ramës në PS denoncuan manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve duke paraqitur shifra konkrete për pjesëmarrje më pak se 50 përqind në votime.

Duke denoncuar këtë skandal, dha dorëheqje në mes të procesit të numërimit të votave, kryetarja e atëhershme e Komisionit të Zgjedhjeve të PS-së, Zamira Caka.

Ajo e mori këtë vendim, pasi kishte kundërshti për disa procedura, që cënonin legjitimitetin e procesit zgjedhor në PS.

Ishte fjala pikërisht për numrin e anëtarësisë që mori pjesë në zgjedhje më 12 maj.

Edi Rama e zëvëndësoi shpejt e shpejt Cakën me zëvëndëskryetarin Bledar Doracaj, i cili e mbylli procesin zgjedhor.

Rama u shpall kryetar i  PS-së sipas parimit “një anëtar, një vote” me 97 përqind të votave.

Por, shifrat reale të votimit nuk u morën vesh kurrë.

Në situatë të ngjashme Rama i fton sot socialistët të votojnë duke e cilësuar referendumin e  tij si një kontribut për demokracinë: “Nesër, një ditë e shënuar për PS-në që pyet anëtarësinë me referendum. Pjesëmarrja e çdo anëtari kontribut për forcimin e demokracisë në PS.”/27.Al

Share: