Nga Dritan Shano
Vizita në Shtëpinë e Bardhë dhe shtrëngimi i duarve me Presidentin e SHBA është pa më të voglin dyshim një ngjarje jo e keqe. Një takim i tillë përcjell që nga dijenia se Shqipëria ekziston e deri tek falenderimi për strehimin e 3000 muxhahedineve, me të gjithë të ëmblat dhe të hidhurat midis këtyre dy skajeve.
Për ofiqarët Ballkanik që “zakonshëm tanimë janë produkte dhe nxitës interesash të korruptuara, oligarkike, që kufizojnë opozitën politike dhe pakënaqësinë, që blejnë politikanë dhe instrumenta mediatike, që dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat e organizatave jo-qeveritare” – John Kerry dixit, një takim me presidentin amerikan të rradhës është ndoshta ngjarja më e rëndësishme e jetës së tyre. Fotografia zyrtare me të, valëvitet me entuziazem më të madh se flamuri kombëtar, dhe as nuk dua t’i imagjinoj se çfarë ndodh mes tyre dhe fotografisë në intimitet.
Fakt është që buzëqeshja e tyre është me 32 dhëmbë, gjoksi i tyre gufon nga krenaria, dhe e gjithë makineria propagandistike që kanë në dispozicion tenton ta shesë këtë shtrëngim duarsh fotografik si konfirmim dhe mbështetje që Presidenti apo zëvendës Presidenti i SHBA i japin ofiqarëve, në rastin tonë Edit.
Për të gjithë veprimet e mira, por sidomos maskarallëqeve që kanë bërë në jetë deri në momentin e takimit të shumë kërkuar e shumë paguar. Veprime që ndoshta llogariten që kur kanë lënë orën e mësimit në fillore, sherrin me dashnoren e parë, etj., etj., dhe deri tek mbushja me gjak të ftohtë e parlamentit me njerëz të inkriminuar.
Pas një takimi të tillë, të gjithë këta ofiqarë ndjehen të çliruar, të lehtësuar, ndjehen sikur iu janë falur të gjitha mëkatet, pa u rrëfyer. Të larë dhe të shpëlarë. Bile ndjehen sikur nuk kanë bërë asnjë të keqe në këtë botë, përkundrazi ideja që kanë bërë vetëm gjëra të mira për njerëzit u dhjetëfishohet. Nuk është çudi që pas këtij lloj takimi këta ofiqarë të jenë të bindur se edhe janë ri-virgjëruar.
Por a është Obama the redeemer of Rama? Kjo pyetje është si tehu i thikës. Të dy administratat do tentojnë të shtyjnë axhendat e tyre mbi të.
Administrata Amerikane përcjell sinjalin se di të jetë mirënjohëse kur t’i bën diçka për ta, shtyn dhe nxit proçese që konsolidojnë demokracinë, dekriminalizim, zgjedhje të lira dhe të ndershme, klime më të mirë për të bërë biznes. Që Shqipëria ka nevojë për qeveritarë dhe ligjvënës të tjerë jo të inkriminuar dhe jo të korruptuar. Gjëra të vogla.
Ndërkaq administrata jonë do ta përcjellë këtë takim si vlerësimin maksimal dhe konfirmimin se gjithshka që ka bërë është e mira e kulluar. Se në Parlament nuk ka të inkriminuar. Se mes qeveritarëve dhe kryebashkiakëve nuk ka as të inkriminuar as rrugaçë ordinerë që ta fusin portofolin në gojë dhe që nëpërkëmbin Presidentin e Republikës. Se Shqipëria nuk është e fundit në rajon dhe se ka humbur 35 vende në klasifikimin e Doing Business 2016. Se shqiptarët nuk janë 6% më të varfër në 2015 dhe se 46% e tyre nuk rrojnë vetëm me 5 dollarë në ditë. Se 100.000 shqiptare nuk kanë ikur nga Shqiperia. Se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk thotë se korrupsioni dhe qeverisja e keqe po e shkatërron Shqipërinë….
Se ky vleresim amerikan i kulmuar me takim dhe me fotografi “shpëtimtare” thotë se këto nuk kanë ndodhur ndonjëherë, dhe kjo duhet jo vetëm të prevalojë mbi realitetin kombëtar, por të gjithë tanimë duhet ta qepin gojën dhe të adhurojnë Edin.
Këtë komandament dha Edi nga oborri i Shtëpisë së Bardhë kur mendoi esell me zë të lartë, i zhytur në magjinë e takimit, fjalimet e tij janë të denja të mbahen në oborrin e Shtëpisë se Bardhë por se Ai është i detyruar nganjëherë të bjerë në nivelin e shqiptarëve. Ai tha gjithashtu se takimi me Obamën i shtoi atij energjitë jo vetëm për të përfunduar mandatin aktual, por edhe për mandatin tjetër.
Çfarë duhet të presim pas këtij takimi dhe kësaj rritje të energjive të Edit? Të presim që nuk do punësohen më 300 mijë, por tashmë 600 mijë shqiptarë? Të presim që nuk do pasurohen më 95% e shqiptarëve, por tashmë 190% e tyre? Të presim që shëndetësia nuk do jetë vetëm falas, por ajo do jetë shëndetësi falas falas? Apo të presim që taksat do rriten prapë? Që nuk do ikin më vetëm 100.000 shqiptarë, por numri i tyre do arrijë 200.000? Që duke qenë se referendumi socialist vendosi se nuk do ketë zgjedhje për Kryetar, të mos kemi më zgjedhje as për Kryeministër?….
Ku i dihet për të gjitha këto?! Goxha ambiguitet. Prandaj takimet e Presidentit Amerikan me tipa ballkanik si Edi, më shumë se të prodhojnë ndonjë gjë, janë thjesht magjike.