Nga Nikollaq Neranxi*
Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë nuk është e vetme në luftën e saj. Të gjitha Dhomat e Tregtisë dhe Shoqatat e biznesit, flasin të njëjtën gjuhë kur vjen puna për të artikuluar problemet e sipërmarrjes në Shqipëri.
Shoqata e Tregtarëve ku unë jam Kryetar, ka çuar tashmë në Gjykatë paketën e taksave vendore të vitit 2016, e cila sipas të gjitha kalkulimeve tona, është një paketë falimentuese për çdo lloj biznesi (përveç kontrabandistëve dhe klientëve të pushtetit).
Përfaqësuesit ligjorë të Bashkisë, çuditërisht “harrojnë” gjithmonë kartat e identitetit kur vijnë në gjyq, gjë që bën të shtyhet gjyqi e që ata të fitojnë kohë. Kështu ne na vjen afati për të paguar taksat, një manovër kjo tejet e neveritshme.
Gjithsesi për ulje taksat tashmë flasin të gjithë. Siç do ta lexoni edhe në shkrimin e mëposhtëm të realizuar nga revista prestigjoze “Monitor”, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Turke e Tregtisë, konsulentë të investimeve kineze në Shqipëri, Konfindustria, të gjithë janë të alarmuar me situatën e krijuar.
Ata theksojnë se taksat e larta (më të lartat në rajon), politika fiskale e çoroditur, korrupsioni dhe paaftësia ne të gjitha nivelet e administratës publike, etj, e kanë kthyer Shqipërinë një vend ku të bësh biznes është tashmë një mision i pamundur.
Vetëm Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë nuk jep asnjë prononcim në mbështetje të biznesit. Për të, situata është në rregull. Dhe mos harroni, ai është institucioni që e ka për detyrë me ligj, që të mbrojë interesat e biznesit dhe për këtë arsye ne paguajmë kuota të cilat janë disa miliona euro në vit.
Ndërkohë do të dëshiroja që në seancën e ardhshme gjyqësore ku ne jemi përballë Bashkisë, të shihja në sallë të gjitha këto dhoma dhe shoqata që nuk janë dakord me taksat. Të bashkuar do të jemi më të fortë!
Autori eshte kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë.