Home KRYESORE Viktimat…kush i mbron?

Viktimat…kush i mbron?

Nga Jeta Tocila Shkurti

Besoj keni dëgjuar për bullizmin, atë fenomenin fatkeqësisht të frikshëm që shfaqet kudo mes njerëzve, në varësi të moshave e rrethanave. Bëhet fjalë për atë sjellje agresive të qëllimshme, të dëmshme, dhunuese të të drejtave të të tjerëve, ku dukshëm ka një disekuilibër forcash mes bullit (tiranizuesit) dhe viktimës dhe ku shënjestra nuk e mbron dot veten.

Ky fenomen ndodh kudo në botë, nuk ka dallime gjinore e moshore. Në adoleshencë përjetohet më shumë, pasi nevoja për vëmëndje në një garë pothuaj të barabartësh është e madhe. Shumica e adoleshentëve kërkojnë të dominojnë. Disa gjejnë forma të shëndetshme duke dominuar me inteligjencë dhe arritje shkollore, të tjerë gjejnë rrugë të shkurtër për t’iu mbajtur mend emri – futjen në listën e nxënësve “tiranizues”, apo “të vështirë” dhe në rastin më të keq në listat e policisë.

Shihni videon tronditëse të publikuar së fundi nga “jeta osht qejf”

Nisur nga video, bullet janë ata të rinj që u dëgjohet zëri dhe u zbatohen urdhrat nga të gjithë moshatarët e tyre. Janë tipa impulsiv që kanë nevojë të jenë të fortët e klasës, shkollës, lagjes, për t’i patur gjërat nën kontroll. Ata besojnë se janë superior ndaj të tjerëve. Ndjejnë kënaqësi kur i shkaktojnë të tjerëve dëme dhe vuajtje dhe pas kësaj nuk shfaqin shenja keqardhjeje. Kanë një dëshirë të sëmurë për të tërhequr vëmendjen qoftë të mësuesit, qoftë të shokëve të klasës, qoftë të “frendsave në fejsbuk” apo rrjet tjetër social. Për këtë mund të bëjnë gjëra jo të zakonshme, deri në kriminale si në këtë video.

Këta të rinj gjithmonë refuzojnë të pranojnë përgjegjësitë për sjelljet e tyre, duke menduar se viktimat e meritojnë pasojën, sepse e nxisin vetë sulmin. Për të mbajtur statusin e të fortit shpesh përdorin format e dhunshme si shkelmat, grushtat, shtyrjet, rrëzimet nga karrikja, apo edhe të tjera me prejardhje nga fantazia e sëmurë, për të vënë në lojë shënjestrën e tyre. Të tjerët, dëshmitarët e këtyre sjelljeve, ngurrojnë të ndërhyjnë pasi kanë frikë nga viktimizimi, ose për të shpëtuar veten bëhen palë me tiranizuesin. Viktimat e këtij grupi të fortësh shpesh bien pre edhe e sulmeve verbale, sharjeve, fyerjeve, thërritjes me emra poshtërues, nofkave, apo më keq duke u bërë objekte të një thashethemnaje që përhapet në të gjithë shkollën, komunitetin për t’u kthyer më pas në legjendë. Dhe kështu ndodh riviktimizimi i tyre.

Bullizmi mes të rinjve po stimulohet më tej edhe nga celularët me kamera të nxënësve, duke shkuar në cyberbullizëm. Brenda castit një video bullizmi qarkullon në të gjithë botën ku në shumicën e rasteve shohim viktimat duke qarë, duke kënaqur dëshirën e tiranizuesit për pushtet.

Për shkak të bullizmit, jeta e tyre ndryshon. Ata bëhen më ankthioz, të pasigurtë ose depresiv, duke rënduar shëndetin e tyre mendor dhe emocional. Bëjnë shumë mungesa dhe duan të braktisin shkollën për të shmangur përballjen me tiraninë, mbyllen në shtëpi. Kanë vështirësi për t’u përqëndruar në detyra, vuajnë nga vetëvlerësimi i ulët, vetë-imazhi negativ, ndihen të turpëruar dhe jo tërheqës, duke realizuar kështu pritshmëritë e tiranizuesve për ta. Nuk ua tregojnë tiranizimin të rriturve ose presin shumë gjatë për të raportuar, pasi ndjejnë turp, nuk duan të shqetësojnë prindërit, kanë frikë nga hakmarrja dhe kanë frikë se të rriturit nuk mund t’i mbrojnë dot. Nga ana tjetër ka edhe raste kur viktimat i përgjigjen tiranisë me tirani, fyerjeve me fyerje, poshtërimeve me poshtërime. Humbja e kontrollit, duke iu kthyer agresionit me agresion, e nxit më tepër tiranizuesin për të shfaqur sjellje agresive dhe për të kundërvënë edhe të tjerët mbi të cilët ka pushtet, ndaj viktimës së tij. Krijimi i grupeve kundër të fortëve, çon drejt krijimit të bandave rivale, duke rënduar klimën e shkollës apo lagjes.

Ju do thoni..ok..ok…por cfarë duhet të bëjnë viktimat?

Si psikologe do thosha që më e mira e mundshme do të ishte që viktimat e bullizmit të injorojnë sjelljen tiranizuese sa më shumë të jetë e mundur që në fillesat e saj. Kështu tiranizuesi arrin në konkluzionin që “ky tipi s’është për gallatë”. Gjithashtu viktima e tiranisë mund ta kthejë situatën në favor të tij duke përdorur humorin. Kjo do t’ia hiqte bullit pushtetin dhe do ti binte vlera edhe në sytë e mbështetësve të tij. Kur sjelljet e tiranizuesit janë të padurueshme dhe agresive, është mirë të kërkojnë që tirania të ndalojë dhe më pas të largohen, nëse kjo nuk funksionon të raportojnë menjëherë në shkollë, tek prindërit dhe në polici. Të rinjtë duhet ta dinë se ky reagim absolutisht nuk konsiderohet “spiunim”, por një sjellje brenda normave sociale e morale për të mbrojtur veten.

Në të vërtetë bullizmi është i pashmangshëm, ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë në çdo ambient social, në çdo cep të botës.

Tashmë bullizmi fizik, verbal e seksual qarkullon me lehtësi përmes internetit, prandaj ajo që mund të bëhet është përfshirja e tij (cyberbullying) si zë më vete në Kodin Penal, krahas krimit kompjuterik, duke patur parasysh që pasojat e bullizmit kanë qenë fatale për shumë të rinj. Dhe meqenëse në sistemin tradicional të drejtësisë, viktimat e sulmeve nuk kanë gjetur mbështetje nga shteti por vetëm nga familja, fisi, apo komuniteti në rastin më të mirë, ka ardhur koha të mendohen përmirësime në legjislacion lidhur me të drejtat e viktimave të quajtur ndryshe si “personat e harruar” të drejtësisë.

Share: