Duket se sherri për divorcin dhe dhuna që 50-vjeçari A. Kurti, kishte ushtruar ndaj gruas së tij, eshte shkaku i vrasjes së mbrëmshme te bujshme në ish-Bllok.
Viktima A. Kurti nuk e ka pranuar faktin se do të divorcohej nga e shoqja dhe në gjendje të dehur e kishte dhunuar edhe dy ditë më parë.
Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se 50-vjeçari A. Kurti shkonte shpesh në shtëpi në gjendje të dehur dhe dhunonte fizikisht e psikologjikisht gruan dhe djalin e tij.
Mësohet se ka qenë gruaja ajo që ka kërkuar divorcin dhe 50-vjeçari kishte nisur një lidhje me një vajzë 25-vjeçare, e cila thuhet se është shtatzënë.
Ngjarja
Sh. Kurti, bashkëshortja e viktimës, kishte thirrur mbrëmjen e djeshme të vëllain, L. R. dhe djalin e saj, J. Kurti të cilëve u kishte treguar se ishte dhunuar të shtunën nga i shoqi.
Ajo ka kërkuar ndihmën e tyre, pasi i shoqi, A. Kurti, kishte shkuar në shtëpi në gjendje të alkoolizuar dhe e kishte rrahur. Kur ata ndodheshin në shtëpi, rreth orës 21:00, te dera e apartamentit ku jetonte Sh. Kurti, është shfaqur i shoqi, i cili mbante në dorë një thikë të madhe, me të cilën e kërcënoi.
Vëllai i Sh. Kurtit doli para dhe u plagos, më pas aty ndërhyri J. Kurti, dhe gjatë përleshjes 50-vjeçari A. Kurti mbeti i vdekur.
Pas ngjarjes, gruaja Sh. Kurti, është vënë nën efektin e qetësuesve. Ajo ka kërkuar që pranë saj të ketë vetëm të birin për ta vërtetuar që ai nuk kishte vdekur. Ky fakt bëhet me dije për “GSH” nga hetuesit e ngjarjes, të cilët kishin mundur të shkëmbenin vetëm disa fjalë me gruan.
“Dua të shoh djalin tim. Më sillni djalin ta shoh këtu që ta besoj që ai nuk ma ka vrarë”. Kështu u është drejtuar gruaja oficerëve të policisë, e ndërsa më pas është vënë nën efektin e qetësuesve.
Mësohet se policia ka arrestuar djalin e viktimës J. Kurtin dhe kunatin e tij L. R., të cilët mësohet se kanë pranuar të dy krimin. Burime për “News24” bëjnë të ditur se 23-vjeçari J. Kurti është në gjendje shoku./BalkanWeb