Nga Dritan Shano
“Të bësh të njëjtin veprim dhe të presësh rezultate të ndryshme është budallallëk”
Ainshtain
Ulja e interesave bazë supozohet të dekurajojë aktivitetin depozitues dhe do duhet të nxiste kreditimin e ekonomisë. Mendohet se këtë synon dhe ulja e fundit e datës 4 Prill e normës bazë të interesit që e zbret atë në 1.25%. Por a ka ndodhur kjo?
Të dhënat e vetë Bankës së Shqipërisë demonstrojnë se bankat e nivelit të dytë mbeten prej dy vjetësh krejtësisht indiferente ndaj kësaj politike të ndjekur me këmbëngulje prej saj. Banka e Shqipërisë e ka ulur normën bazë të interesit me 240% ose 2.4 herë në dy vjet, nga 3% në vitin 2013, në 1.25% së fundmi. Norma depozita/kredi e Shqipërisë mbetet rreth 49%, më ulëta në Ballkan. Ky tregues nuk vjen era zhvillim.
Për më tepër, por jo dhe aq e rëndësishme, ulja e interesave për kredi, nëse ndodh, vjen shumë ngadalë dhe dukshëm e sfazuar nga përpjekjet e Bankës së Shqipërisë. Interesat e kredisë 1 vjeçare në Lek në vitin 2013 ishin 9.52% ndërsa në 2015 arritën të ulen vetëm në 8.29%. Nga ana tjetër interesat e depozitave 1 vjeçare në Lek kanë rënë në mënyrë drastike, ato ishin 4.17% në 2013 dhe arritën në 1.15% në 2015. Bankat e nivelit të dytë për të ruajtur fitimin e tyre, kanë ulur fitimin e gjithë depozituesve.
Sjellja gjakftohtë e bankave të nivelit të dytë ndaj kësaj përpjekje masive të BSH-së me uljen e normës bazë të interesit e rrëzon dhe idenë e ndonjë lehtësimi sasior, veprim i cili po të kryhej do bëhej me shpresën se bankat e nivelit të dytë do rrisnin kreditimin për ekonominë. Këto banka janë plot me para, por nuk ka asnjë sinjal që ato duan ta kreditojnë ekonominë. Në fakt, kredia për ekonominë e cila në Dhjetor 2013 ishte 547,927 milion Lek, ra vazhdimisht në 544,355 milion Lek në Dhjetor të 2015. Besimi tek qeveria dhe politikat e saj ekonomike dhe fiskale është nën zero. Çfarë ato perceptojnë si risk mbetet aty palëvizur, i pandikuar si nga ulja interesave bazë ashtu dhe nga ëndërra e lehtësimit sasior. Kështu që rritja ekonomike dhe rritja e punësimit mbeten thjesht pallavra.
Banka e Shqipërisë në këtë përpjekje vetmitare, për ta rindezur ekonominë, i ngjan dikujt me një tufë çelësash në duart e djersitura nga sikleti, që provon e provon pa arritur të gjejë çelësin e duhur që hap bravën e portës që i është mbyllur në surrat. Sado të provojë e provojë, është thuajse se sigurtë se çelësin e duhur ja ka vjedhur qeveria. Atëherë pse e bën Banka e Shqipërisë këtë gjë?
E para, se vetë tregu bankar duket se i ka ulur interesat poshtë 1% pa pritur që BSH t’i heqi udhë. Kështuqë, në vend që BSH të paraprijë me politikat e saj zhvillimet në tregun bankar, thjesht po ndjek me një kohë vonesë atë ç’ka në fakt ka ndodhur paraprakisht.
E dyta gjë që më vjen ndërmend, prirja për t’i nxjerrë paratë e njerëzve nga bankat. Njerëzit do fillojnë ta kuptojnë që janë në prag të situatës kur do t’u duhet të paguajnë para direkt nga xhepi i tyre, që të mbajnë paratë në bankë. Për shqiptarët e varfër kjo është e paimagjinueshme. Kjo mund të çojë në tërheqjen e parave nga bankat dhe rikrijimin e një ekonomie të bazuar në cash. A është kjo është ajo që do qeveria, me shpresën se duke i patur paratë nën jastëk njerëzit do rrisin konsumin? Apo investimet? Në fakt, konsumi dhe investimet nuk rriten. Nxjerrja e parave nga depozitat në tregun e investimeve është shpresa e kahershme e qeverisë, por në mungesë të tregut të kapitaleve në Shqipëri vështirë se kjo mund të ndodhë. Paratë po dolën nga bankat me shumë gjasë do futen në dyshek. Ose do largohen nga vendi.
E treta gjë që më vjen në mend, është ulja e kostos së shërbimit të borxhit të Qeverisë. Stoku i borxhit të brendshëm në vitin 2013 ishte 520,786 milion Lek, ndërsa në vitin 2015 ai ishte më i lartë në 551, 374 milion Lek. Nga ana tjetër, shpenzimet për borxhin e brendshëm në 2013 ishin 36,100 milion Lek, ndërsa shpenzimet respektive në vitin 2015 ishin 28,850 milion Lek, edhe pse stoku i borxhit të brendshëm ishte më i lartë se dy vite më parë. Kështu qeveria kursen ndonjë gjë, dhe sidomos amortizon performancën e keqe të mbledhjes së të ardhurave për shkak se ka çuar ekonominë shqiptare në recesion me taksat e larta dhe dhunën ndaj biznesit.
Ndoshta, çuarja e interesave bazë në 0 do ishte një politike më e ndershme. Më e drejtpërdrejtë. Dhe që i paraprin tendencës drejt 0% që po ndjek tregu bankar. Qeverisë i bie shpirti rehat se i ulet kostoja e shërbimit të borxhit edhe më tej. Ndoshta kjo do fillonte të nxiste ndonjë lloj konkurrence mes bankave të nivelit të dytë. Kështuqë dhe Banka e Shqipërisë mbledh mëndjen dhe nuk e përdor më si instrument të politikës monetare. Pas kësaj, Bankës së Shqipërisë i mbetet vetëm të fillojë të zhvlerësojë Lekun.
Por përpara se ta bëjë këtë mund të konsiderojë, për shembull, se pjesëmarrja e Bankave të nivelit të dytë në ankandet e Bonove të Thesarit të Qeverisë nuk është as e drejtë kushtetuese dhe as nuk listohet tek Deklarata e të Drejtave të Njeriut. Kështuqë nëse BSH do lejonte vetëm qytetarët të investonin në Bono Thesari dhe do i përjashtonte bankat e nivelit të dytë nga pjesëmarrja në ankandet e qeverisë për to, ndoshta bankat do të fillonin realisht të mendonin për të kredituar ekonomine dhe jo thjesht të rronin me qeranë e Qeverisë. Nxjerrja e fitimeve nga rritja e vazhdueshme e fee-ve për çdo transaksion bankar duket se po ezaurohet. Fee-të bankare janë rritur mjaftueshëm në nivele që po i rrite dhe pak, konsumatoret do fillojnë të mos kryejnë më veprime në bankë.
Ditët e fundit, Qeveria shqiptare bëri me dije, me mburrje, se është rritur numri i depozitave nga 0 – 2.500.000 Lek. Ndërsa edhe ritmi i rritjes së depozitave ka rënë, nuk e kam zbuluar ende mjekimin që duhet të marr, që të më ndihmojnë të kuptoj sesi qeveria e një vendi që ka nevojë për çdo lek që të mund të konsumohet, të investohet në ekonomi, të mund të mburret se u rritën depozitat.
Nga se mund të ndikohet kjo rritje depozitash. Volumi i rritjes së depozitave mund të ndikohet nga mungesa e besimit për të konsumuar ç’ka bën që bankat të kenë ende më tepër reputacion dhe të jenë më tërheqëse për të depozituar para në to, kundrejt pasigurisë në tashmen dhe të ardhmen që mbizotëron në treg. Numri i depozitave mund te rritet edhe se janë njerëzit që kanë të depozituara më shumë se 2.500.000 Lek që po i ndajnë llogaritë e tyre në këto shuma. Sepse deri në 2.500.000 Lek llogaritë bankare janë të siguruara nga çdo mënxyrë. Nuk ka rëndësi sa më shumë sesa kaq ke në llogari. Por kjo nuk është e vlefshme nëse është i njëjti person që ka shumë llogari bankare nën 2.500.000 Lek. Nëse kjo po ndodh, ende nuk e di pse po ndodh. Ndaj, nëse Shqiptarët kanë gjetur ndonjë hapësirë ligjore që ua mundëson këtë gjë, bravo u qoftë. Bankat e nivelit të dytë janë të detyruara me ligj t’i provigjonojne këto llogari bankare. Banka e Shqipërisë duhet ta garantojë këtë. Nuk do mund të mos ua këshilloja kujtdo këtë zgjidhje, nëse ekziston.
Në muajt që vijnë na mbetet të kuptojmë a është Banka e Shqipërisë që e dikton politikën monetare në këtë vend apo janë bankat e nivelit të dytë? A është Banka e Shqipërisë nën urdhërat e Qeverisë kur kjo e fundit i kërkon të ulë sa të mundë kostot e shërbimit të borxhit për të mbuluar rënien e të ardhurave në buxhet? A e ka kuptuar Banka e Shqipërisë se zhurma e taksave dhe arbitraritetit qeveritar është me fuqishme se melodia e mekur e uljes së normave bazë të interesit? A do jetë sistemi ynë bankar në gjendje të përballojë ndonjë goditje të mundshme? Si do reagojë ekonomia ndaj një zhvlerësimi të mundshëm të Lekut? A do mund t’i krijojmë një treg kapitalesh sipërmarrjeve mikroskopike shqiptare, kur dhe titujt e pronësisë nuk janë të garantuar dhe bilancet në tri versione mund të jenë ende prezent? Koha do të na tregojë.
BSH po ia bën të qartë qeverisë se të thuash që nuk i ka punët mirë, është pak. Është po ashtu e qartë se bankat e nivelit të dyte nuk duan ta kuptojnë gjuhën e Bankës së Shqipërisë. Derisa këto të ndryshojnë, duke filluar ndoshta nga vetë qeveria, ekonomia shqiptare nuk do lëvizë, por do vazhdojë të rrijë si sfinksi, e ulur galiç mbi 7 miliardë Euro.