Home KRYESORE ATA NA KANË TURPËRUAR!

ATA NA KANË TURPËRUAR!

Nga Afrim Krasniqi

Diplomatët perëndimorë përdorën dje një gjuhë të ashpër kundër klasës politike penguese për reformën në drejtësi. Gjuha e pazakontë do të kishte shkaktuar skandal në çdo vend ku politikanët kanë integritet dhe ku vlerat e larta ushqejnë vendimmarrjen politike. Shqipëria nuk është ky rast. Përkundrazi.

Tek ne politika dhe integriteti janë dy rrugë paralele që nuk takohen dhe se vlerat e larta të vendimmarrjes politike janë e mbeten utopi. Ndaj edhe denigrimi i elitës politike përmes diplomatëve më të lartë të SHBA e BE nuk sjell reaksion, por nga politika pranohet me bindje të plotë kurse nga qytetarët duartrokitet në heshtje solidarizuese. Disa javë apo muaj më vonë, kur reforma në drejtësi të miratohet dhe kur udhëheqësit tanë politikë do të mbushin ekranet televizive me kujtimet e tyre mbi kontributin e pashoq që dhanë në këtë reformë, diplomatët e huaj dhe ne, publiku që refuzon të jetë turmë, do të ndjejmë neveri dhe do të kemi rast tjetër të kuptojmë sa fatkeq jemi për shkak të paaftësisë tonë për të zgjedhur në krye të punëve njerëz me integritet, me vlera, me kurajë e me vizion larg traditës meskine të provincës otomane.

Për asnjë projekt tjetër politik, përfshirë edhe kushtetutën e vitit 1991 apo 1998, nuk është investuar aq thellë dhe as direkt komuniteti ndërkombëtar sesa për reformën në drejtësi. Ata kanë kuptuar se thelbi i sistemit korruptiv dhe moçalit politik ku ndodhemi është mungesa e një grupi minimal gjyqtarësh e prokurorësh, të aftë të hetojnë dhe gjykojnë raste flagrante korrupsioni, kriminaliteti apo padrejtësie. „Nuk ka reformë tjetër më të rëndësishme që prej ndryshimit politik 1990“ pati thënë fundvitin e kaluar ambasadori amerikan. Mesazhi i reformës u përcoll në Tiranë në nivelet më të larta politike, përfshirë nga kancelarja Merkel, presidenti i BE Tusk, sekretari amerikan I shtetit Kerry dhe një numër zyrtarësh të tjerë të lartë të qeverive të vendeve perëndimore. Imagjinoni: një investim pafund perëndimor për të bindur ca politikanë në Tiranë për rëndësinë e reformës në drejtësi dhe për t’iu kërkuar atyre miratimin e saj! Dhe për ta lehtësuar atë, perëndimorët sollën ekspertët e tyre, bënë disa drafte propozimi, futën në funksion Komisionin e Venecias, si dhe bënë gjithçka tjetër që procesi të marrë jetë.

Tani kur të gjitha energjitë janë shteruar dhe kur palët politike vijojnë lojën e vjetër të maskave, akuzave e kundërakuzave, inskenimeve me incidente e aksione politike të reja që zhvendosin axhendën e vëmendjen ndaj reformës, kur jeta politike po shkon drejt një viti të ri elektoral, e për pasojë, drejt alibisë për të lënë në hije axhendën publike e qytetare, – përfaqësuesit më të lartë perëndimorë në Tiranë, në kor dhe shqip, japin ultimatumin e fundit: miratojeni reformën, shpejt dhe me konsensus! Përndryshe? Ata nuk kanë forcë dhe as të drejtë të dënojnë, por paralajmërojnë me mekanizmin që disponojnë: fjalën, moralitetin dhe partneritetin. Mesazhi i tyre ishte direkt: do të turpëroni veten dhe vendin tuaj përpara SHBA dhe BE-së, dhe qytetarët tuaj nuk do ua falin këtë. Kaq. Një fjali sa mijëra fjalë dhe një politikë që në të qindën e sekondës ndryshon rol, fjalor e sjellje. Brenda pak minutash, përpara kamerave televizive apo në rrjete sociale, të gjithë bëjnë sikur janë pro reformës, të gjithë bëjnë sikur janë pro perëndimorë dhe të gjithë etiketojnë të keqen tek Tjetri, – një alibi pa sens e masë, një traditë vrastare e njëjtë si miti i Rofazës në politikën 26 vjeçare të tranzicionit. Ata nuk kanë turp, por kanë frikë; ata na kanë turpëruar por ne nuk jemi braktisur, dhe ky i fundit është lajm i mirë për të gjithë.

Në politikë ka shumë akte, ka shumë konsum, ka shumë deklarata, por ka një test matës: ditën që palët do jenë në parlament dhe do duhet të votojnë paketën e reformës në drejtësi, atë ditë do të kuptohet, cili ishte pro dhe kundër, cilit i dedikohet etiketimi fyes perëndimor dhe nëse në vendimmarrjen tonë politike kanë ende vlerë vlerat perëndimore dhe përkushtimi ndaj procesit integrues. Këto ditë pranvere mund të ketë ngjarje të reja politike, të enjte parlamentare që prodhojnë kriza, bojkot apo incidente, mund të ketë skandale të reja apo banditë të rinj që bëjnë headline në media me krimet e tyre, por për politikën, nuk ka dhe nuk mund të ketë alibi tjetër: ajo duhet të qëndrojë në parlament, në komisione, në dialog, në debat, në partneritet me asistencën ndërkombëtare dhe do të duhet të votojë pa kushte refuzuese reformën e imponuar perëndimore për drejtësinë.

Nuk ka rëndësi nëse ajo do të jetë 100% efektive, nëse do ndryshojë tërësisht apo pjesërisht gjendjen skandaloze të shtetit të munguar të së drejtës, nëse politika do vijojë të ushtrojë presion ndaj gjyqësorit apo nëse palët do kërkojnë konsensus amnistie për njeri tjetrin. Edhe në këtë rast, pra në rastin më të keq, reforma e premtuar, me një bilanc minimal pozitiv afatshkurtër, do të kishte premisë të krijojë bilanc maksimal afatgjatë duke pasur si garanci, prezencën perëndimore brenda saj dhe përkushtimin perëndimor për të zgjedhur qytetarët dhe koalicionin me qytetarët në vend të partneritetit me elitën e korruptuar politike. Vetëm një sistem drejtësie funksional do ketë premisë të krijojë një sistem demokracie funksional, dhe kështu, të krijojë premisa se pas 25 vitesh, Shqipëria të fitojë shpresën se gjërat edhe mund të ndryshojnë. Reforma mund të bëhet kështu, një mekanizëm presioni pozitiv i mendjeve të hapura kundër mendjeve militante të partive, mund të krijojë hapësirë për më shumë demokraci, më shumë transparencë, më shumë solidaritet e prani perëndimore dhe për kalim nga sloganet rutinë tek aktet konkrete të shtetbërjes. Qoftë edhe për këto arsye, reforma duhet bërë, duhet votuar, duhet mbështetur, dhe duhet jetësuar, shpejt, me votë të gjerë politike dhe e plotë në strukturën e saj.

Parë në këtë këndvështrim retrospektiv dhe perspektiv, gjuha e ashpër diplomatike dhe modeli i ndërhyrjes nga jashtë, i aplikuar nga SHBA-BE edhe në Kosovë e Maqedoni dy vitet e fundit, krijon një sistem të ri referimi dhe një praktikë të re pune, e cila, dikur e papranueshme, vjen natyrore, e pranueshme, e dëshiruar dhe rrugëzgjidhja e vetme për të dalë nga rrethi vicioz ku është zhytur shoqëria e vendimmarrja politike prej mëse një viti. Elitat tona politike na kanë turpëruar disa herë dhe nuk shqetësohen nga turpet e radhës, por elitat tona janë e mbeten provinciale, nuk kanë forcë në asnjë rrethanë ti kundërvihen Perëndimit dhe shumicës që beson tek ai. Si e tillë, zgjidhja mbetet optimiste. Fatmirësisht midis shumicës qytetare të këtij vendi mesazhi mirëpritet, duartrokitet dhe shihet si mjet legjitim përballë lëndës ilegjitime që merr vendime në emrin tonë, – dhe na bën të shpresojmë se Shqipëria nuk është një ishull eksperimental, por axhenda e saj shtetërore e qytetare ka në krah ata që duhet të kemi, Perëndimin.

Share: