Home KRYESORE SHKËLZEN DOLI: KËNGA SHQIP NË HARK VIOLINË

SHKËLZEN DOLI: KËNGA SHQIP NË HARK VIOLINË

NGA MIRA TUCI

Sytë e gjithë shqiptarëve u drejtuan nga një violinist gjatë koncertit tradicional të Vjenës në agim të vitit 2015, një profil shqiptari i vërtetë që buronte tinguj nga kabaja e Përmetit e më tej na merrte përdore duke na drejtuar për nga ritmet më të vrullshme të Veriut. Tingull pas tingulli ai do të çonte peshë zemrat e shqiptarëve që po e ndiqnin nga të katra anët e globit dhe jo vetëm të tyre.

Shkëlzen Doli, violinisti që shkëlqen në orkestrën e filarmonisë së Vjenës, e bën muzikën shqiptare jo vetëm të çelë një nga ngjarjet muzikore klasike më të ndjekura në botë, por edhe ta rendisë muzikën shqiptare përkrah Gardel, Debussy, Strauss.

Kush është i informuar se si funksionojnë qarqet dhe lobet e mëdha brenda industrisë muzikore, e di mirë se një mençuri e pazakontë dhe lëvizje shah-mat ka bërë që intervali muzikor në introduksionin e koncertit të Vitit të Ri, me hapje kulturore nga muzika ballkanike, jo vetëm të tingëllonte tërësisht shqip, por edhe të mbante emrin simbolik dhe të fuqishëm Albanian Soul.

Meqenëse detajet e këtij, po e quajmë “rrengu”, nga ana e Shkëlzenit më janë rrëfyer në një bisedë off record, nuk po i bëj publike, por për këdo që e ka marrë si të mirëqenë të rendisje muzikën shqiptare brenda koncertit të Vitit të Ri Vjenez, në fakt ka qenë një sipërmarrje titanësh kundër lobeve më të fuqishme që shqiptarët apo kulturën tonë nuk është se kanë ndonjë interes ta promovojnë.

Por rruga dhe pasioni i violinistit Shkëlzen Doli janë ngjizur dhe testuar shumë herët me muzikën dhe harkun e violinës. Shkëlzeni, me sytë që i burojnë muzikë dhe gishtat që sjellin melodi, nuk resht së kërkuari dhe promovuari shpirtin shqip. Në një rast të tillë e takuam edhe ne, edhe pse kësaj here nuk ka marrë me vete “të dashurën” e tij që nga fëmijëria; po flasim për violinën, sigurisht.

E nga Albanian Soul kanë zënë trup edhe perla të tjera të muzikës shqiptare, ripërpunime që janë vlerësuar dhe duartrokitur në skenat shqiptare, nga Baresha tek Arbëreshës time, Shkëlzeni është në kërkim të motiveve autentike, të cilat të ripërpunuara mund të bëjnë kapërcime interesante jo thjesht nga arkivat e memories kolektive muzikore shqiptare në skenat dhe arenat ndërkombëtare, por edhe nga memoria kolektive e një brezi, te njohja dhe joshja e një brezi të ri të cilit po i deformohen shija muzikore dhe identiteti me një ritëm që i ngjan rënies në humnerë. Të mos harrojmë, muzikantë të apasionuar botërorë, si Carlos Gardel apo Astor Piazzolla, të dashuruar me muzikën dhe me tingujt e tokës nga vinin, arritën të na e përkthejnë muzikën e rrugëve të Buenos Airesit me një prekje klasike që tashmë e ka bërë të njohur dhe të interpretuar në gjitha anët e globit.

Duhet dashuri për rrënjët, dhe këtë Xeni – siç e thërrasin miqtë – e ka provuar me vepra dhe pa rrahje gjoksi me ritme patriotike. Duhet pasion për muzikën, dhe këtë ia kanë dhënë, bashkë me qumështin, edhe aromat e fëmijërisë. Duhet kthjelltësi se ku dëshiron të arrijë dhe këmbëngulje për të duruar dhimbje shpatullash, ndërsa nuk e heq violinën nga dora, apo kallo gishtërinjsh prej ashpërsisë së harkut mbi violinë.

Që prej suksesit në ditën e parë të 2015-ës, Shkëlzeni po përjeton një admirim në rritje për talentin e tij, edhe pse nuk është e thjeshtë të bëhesh i famshëm duke luajtur muzikë klasike.

Për kombinimin kaba shqiptare dhe arkitekturë vjeneze ai rrëfen me shumë çiltërsi, “nuk qëndronin fare bashkë”, por insistimi i tij bëri që shpirti shqiptar të ndiqet nga miliona teleshikues në të gjithë botën, madje edhe në vende ku togfjalëshi “Albanian Soul” shkakton aq bezdi sa të ndryshojnë titull duke e cilësuar thjesht muzikë ballkanike.

Vetë jeta e violinistit i ngjan një rrugëtimi të gjatë dhe me një itinerar që ka formësuar dhe gdhendur dimensionet e tij muzikore. Lindur në Elbasan, rritur në Gjakovë, studiuar në Novisad dhe në Vjenë, e më pas skenat e të gjithë botës, nga Tokio deri në Los Angeles, e presin krahëhapur me ture të përvitshme.

Tashmë për të është koha për të bërë udhëtimin mbrapsht në kërkim të rrënjëve, që gjithsesi ai nuk i ka harruar asnjëherë.

Ndonëse luan perlat më të njohura të muzikës botërore, Shkëlzen Doli duket se ka një dobësi për kabanë e Përmetit (nëna e tij është nga qyteti i Përmetit), por edhe për ritmet e këngëve qytetare të Gjakovës, ku është rritur. Ndaj kjo është një prej arsyeve që e ka sjellë në Tiranë, një koncert i plotë me këngë shqiptare, të përzgjedhura dhe përpunuara me kujdes nga kompozitori Gerti Druga, me të cilin ka një trofe muzikor, si Baresha për violinë solo dhe orkestër.

Tashmë me formacionin orkestral të ansamblit, Gerti dhe Shkëlzeni do të sjellin një koncert që do të evokojë shkëlqimin dhe magjepsjen e një epoke të artë të muzikës shqiptare dhe të Ansamblit të Shtetit. Sepse, siç të dy e pohojnë me zë të plotë, identiteti nis nga tingulli parak, ai popullori që është ngjizur nga dëshira për të shprehur mallin, dashurinë apo humbjet veç përmes muzikës. Kështu, më 4 qershor përgatituni për një mbrëmje krejt të rrallë nën prekjet e violinës së Shkëlzen Dolit dhe ritmeve shqiptare.

Nëse fati është me të (dhe 2015-ta ka nisur me një ogur të tillë) ai do të sjellë pak Vjenë dhe muzikë vjeneze në Tiranë bashkë me ansamblin e tij muzikor “Philarmonic Ensemble Vienna” në ngjizje të vitit që vjen.

Share: