Nga Enver Bytyçi
Asambleja Parlamentare e NATO-s në Tiranë është dhe mbetet padyshim nje ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dyqind e pesëdhjetë parlamentarë të vendeve anëtare të saj për tri ditë zhvilluan një diskutim të thelluar për sfidat e sotme të Aleancës me theks të veçantë sfidën kundër Rusisë, luftën kundër terrorizmit përfshirë ISIS-in si dhe përballimin e valës së refugjatëve. Si një instrument politik i aleancës politiko-ushtarake, Asambleja Parlamentare e formuar gjashtë vite pas themelimit të NATO-s, përbën një organizëm thellësisht promovues të vlerave të demokracisë. Funksioni i saj është dhe mbetet adaptimi i një qeverisje liberale, demokratike dhe funksionale, me rregulla të qarta, të pakontestueshme dhe strikte bazuar në promovimin e shtetit të së drejtës.
Pandeli Majko, sipas kryeministrit Rama, e realizoi një ëndërr të tijën, që t’i sjellë në Tiranë parlamentarët euro-atlantikë dhe të inicojë një dialog të një niveli të lartë midis palëve pjesmarrëse. Çdo shqiptar ndjehet mirë kur në Tiranë, Prishtinë ose në Shkup ndodhin ngjarje kaq të mëdha. Kjo për shumë arësye, por kryesore është promovimi i Kosovës dhe njohja e të drejtës së saj për të qenë anëtare e këtyre organizmave të rëndësishme ndërkombëtare. Kosova edhe në këtë konferencë zuri një vend të posaëëm, gjë që nuk do të kishte ndodhur, nëse kjo konferencë do të zhvillohej diku tjetër. Folën për domozdoshmërinë e anëtarësimit të saj në NATO ministrat dhe kryeministri i vendit. Dhe deri këtu shkoi mirë rezultati i kësaj konference. Po më tej?
Zhvillimi i kësaj Konference të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë nxori në pah dy përqasje të ndryshme: Pozicionet e të Azebaixhanit dhe Armenisë dhe “Shqipërinë me dy fytyra”. U shfaq qartë dobësia e qeverisjes sonë në Shqipëri, dobësia e komunikimit dhe mungesa e strategjisë për t’iu përgjigjur me seriozitet sfidave të sotme. Në paraqitjen e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dukej qartë mungesa e vizionit dhe konceptit të tij për pozicionin tonë në NATO. Në performancën e Pandeli Majkos mungoi imazhi i bashkëpunimit politik me opozitën, por jo vetëm kaq, edhe me Presientin e Republikës, Shoqatën e Atlantikut të Veriut e më gjerë. Ai i bëri pjesë të Konferencës shumë ministra e qeverisë Rama, duke shpërfillur rolin e qeverisë së Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pa të cilën Majko dhe Rama nuk do të mund të prezantoheshin këto tri ditë si aleatë të ngushtë të NATO-s në Tiranë. Ministrja Kodheli ishte më shumë se butaforike në fjalën e saj. Ajo me një ton urdhërues dhe aspak etik iu drejtua pjesmarrësve si të ishte në një auditor oficerësh të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa kryeministri Rama bëri atë që di të bëjë: Të shkaktojë të qeshura në auditor me batutat e tij tashmë të shplara, por që ai i beson në rolin e liderit botëror.
Konferenca e Asamblesë Parlamentare të Europës në tri ditët e saj u shqoërua gjithashtu me debate të shumta, me kritika dhe konstatime të vlefshme. Në të u trajtuan tri temat kryesore të ditës: Së pari roli destruktiv i Rusisë për paqen dhe sigurrinë në Europë e më gjerë. Së dyti, lufta kundër terrorizmit dhe organizatës së shtetit islamik ISIS. Dhe, së treti, çeshtja e refugjatëve dhe rreziku që kjo valë e fuqishme e tyre të destabilizojë kontinentin europian. Por ndërsa diskutohej çeshtja e refugjatëve, duke përmendur sidomos konfliktin në Siri, lajmet bënë të ditur një fenomen të ri për largimin e shqiptarëve nga vendi. Për herë të parë u njoftua se gomonet çojnë refugjatë shqiptarë nga brigjet lindore të Adriatikut në drejtim të brigjeve të ishullit britanik. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë ky fenomen i trishtë. Ndërkaq një doktor shkencash, doktoruar në universitetin italian “La Sapienza”, Rezart Bejko, mori familjen dhe iku për Itali, për të mos e kthyer më kokën prapa. Vendi i tij nuk ka nevojë për të. Absurdi është se doktori i shkencave në Shqipëri ka një pagë mujore sa të një arsimtari, më shumë se dy herë më të ulët sesa akademikët e ligjëruesit në universitetet e Kosovës. Ministri i Jashtëm dhe ministrja e Mbrojtjes, në vend të flisnin për këtë hemoragji akademike, u mburrën në Asamble se do të “ngrejnë një grup elitar” për çeshtjet e ekstremizmit dhe terrorizmit. Dhe kur një deputet britanik bëri pyetjen në adresë të Ditmir Bushatit: “A keni ju politika për diasporën”?, Bushati u përgjigj sikur të ishte një ministër i “Punëve të Kota”: “Diaspora është një asset”, tha ai. Ndërsa ministrja e Mbrojtes, Mimi Kodheli, kur u pyet nga një deputet britanik se “Pse e keni ulur buxhetin për mbrojtjen”’- u përgjigj kësisoj: “Para 90-ës tek ne i gjithë populli ishte ushtar”. Turpe e skandale si këto e kanë zhvleftësuar plotësisht imazhin që duhej të fitonte vendi nga prania në Tiranë e Aasamblesë Parlamentare të NATO-s.
Ndërsa zoti kryeministër në vend të fliste për përgjegjësitë e tij sa i përket fenomenit të ikjes së shqiptarëve nga Shqipëria, vazhdoi ritualin e replikave për Bexit-in britanik dhe “dobësitë e Europës”, dobësi të cilat e bllokojnë integrimin e Shqipërisë, sipas tij. Atij nuk i bën përshtypje deklarata e kryeministrit britanik, sipas të cilit “të krahasosh Britaninë,,, ekonominë e pestë më të madhe në botë, me Shqipërinë, një vend dëshpërimisht të varfër, që ka zënë radhën prej kohësh për të hyrë në BE, është diçka qesharake”. Në vend që të fliste për sfidat e sigurisë, për rrezikun rus, kërcënimin e terrorizmit etj ai iu drejtua pjesmarrësve me thirrjen që të frekuentojnë turizmin e ndotur e të shpifur të bregdetit shqiptar. Po jo vetëm kaq, i paralajmëroi asambleistët e NATO-s se “Nuk keni parë gjë akoma”!!!
Shqipëria e sotme është vendi i dy fytyrave, u shpreh një deputete gjermane e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në fakt është më shumë se kaq, sepse deputetja në fjalë foli thjesht për varfërinë dhe pabarazinë e zhvillimit të vendit. Kjo është njëra nga pamjet, ndërkohë që pamja tjetër është akoma më e trishtë. Ndërkohë që Asambleja zhvillonte punimet nga bregu perendimor i Adriatikut, pra nga Bari i Italisë vjen lajmi bombë: “Një ton e 200 kg drogë, armë dhe tritol”të sekuestruara nga rojat bregdetare të vendit fqinjë. Droga dhe armët në Greqi, në Itali e deri në Hollandë e Britaninë e Madhe nga organizatat shqiptare të trafikut, së bashku me valën e refugjatëve me gomone e në forma të tjera drejt vendeve të BE-së, përbëjnë pamjen trishtuese të vendit ku u mbajt kjo konferencë.
Në këto kushte Pandeli Majko i ka bërë një nder të madh presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani dhe opozitës shqiptare, kur ai nuk u ka dërguar ftesë për pjesmarrje në konferencë. Çdo president dhe politikan do të skuqej e turpërohej përballë një auditori që ndërsa sheh në podium ministra e kryeministrin butaforik, lexon njëkohësisht në ekranin e telefonit të tij celular lajmet tronditëse që vijnë nga Shqipëria e që në këtë konferencë trajtohen si sfidat e NATO-s. Një president serioz dhe sedërli do të skuqej nga paradoksi i moralit që jepet në një konferencë të tillë në kontrast me realitetin.
Tirana u bë formalisht qendra e diskutimit për zgjidhjen e problemit dhe sfidave të NATO-s, por parlamentarët e vendeve europiane nuk munguan të shquajnë faktin se problemi është vetë Shqipëria, qeverisja e saj jo demokratike, pabarazia dhe diskriminimi i qeverisë për zonat rurale, pjesmarrja dhe implikimi në aferat e trafikut të drogës, prostitucionit etj. Së paku në çeshtjet e trafiqeve dhe refugjatëve. Por edhe në çeshtjet e tjera të sigurisë në rajon, kontinent e më gjerë.
Disa ministra, sidomos zonja Kodheli, folën për sfidën ndaj Rusisë. Por ndërkohë asnjëri prej tyre nuk përmendi modelin rus të aplikuar në qeverisjen e vendit nga ana e rilindjes. Në fund të fundit Asambleja Parlamtare e NATO-s ka mission demokracinë dhe promovimin e saj. Ndërkohë pikërisht këto probleme nuk u përmendën nga përfaqësuesit e Shqipërisë, përveçse një fjalie të Ditmir Bushatit, kur tha se “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte razultat i zhvillimit të demokracisë në vend”. Kësisoj pala shqiptare u shfaq gjithkund e për gjithçka me dy fytyra. Me dy fytyra në zhvillimin e vendit e luftën kundër varfërisë, me dy fytyra në ndaljen e valës së refugjatëve, me dy fytyra në modelin e qeverisjes, me dy fytyra në çeshtjet e luftës kundër krimit, si parakusht edhe për suksesin e luftës kundër terrorizmit e ekstremizmit. Kjo dyftyrësi për fat të mirë u mor përsipër vetëm nga mazhoranca, e cila me cinizmin e saj e kurseu nga kjo dyftyrësi presidentin dhe opozitën.