Home KRYESORE STUDENTË PA LIBRA, VOGËLUSHË ME ÇANTAT PLOT

STUDENTË PA LIBRA, VOGËLUSHË ME ÇANTAT PLOT

Nga Alfons ÇUPAJ

Në Shqipëri, më shumë libra gjen në çantën e një vogëlushi të klasës së parë, sesa në çantën e një studenti. Ky është një fakt. Madje, shumë studentë nuk mbajnë çantë. Në rastin më të mirë mjaftohen me një bllok shënimesh, i cili është krejt i pastër.

Rrallë gjen shenja boje në të. Sigurisht, jo të gjithë. Përgjithësimet janë absurde.

Çdo ditë dhe më pak të ndodh të shohësh të rinj me krahun plot me libra, ndërsa çdo ditë sheh vogëlushë që me vështirësi arrijnë të mbajnë çantat e tyre.

Mund të shohësh çdo gjë në duart e një studenti; iphone, ipad, kufje, çanta të markave të ndryshme, cigare, por vetëm libra jo.

Ndonjëheri që ka përfunduar studimet prej vitesh, mund të mendojë se kjo është normale, por jo. Megjithëse jemi në epokën e dixhitalizimit, të videokonferencave online, të bibliotekave dixhitale, në Shqipëri leksionet në shumë raste jepen me shkrim dore.

Në një ditë të zakonshme, teksa dal nga shtëpia, më ndodh të shkëmbehem me nxënës të fillorës, gjimnazistë edhe studentë.

Sa më të vogël që janë ata që shoh aq më të madhe e kanë çantën dhe sa më më të rritur që janë aq më të vogël e kanë çantën.

Për të përfunduar tek ata që nuk kanë as libra dhe as çantë.

Një 7-vjeçar mban disa libra dhe fletore në çantë, disa stilolapsa, laps, gomë dhe vizore.

Një student ‘modern’ ka vetëm një fletore të zhubrosur, të cilën e mban në xhepin e mbramë të xhinseve, apo në rastin më të mirë një bllok shënimesh. Nëse profesori lajmëron një miniprovim të befasishëm, shumica e tyrë gumëzhijnë njëherësh; të lutëm, më jep një dyfletësh dhe një stipolaps! Më pas do të grisin trikon që tu tregosh diçka rreth pyetjeve.

Çfarë tmerri! Çfarë theqafje kolektive!

Sigurisht, aty do gjenden gjithmonë një grup studentësh bujarë (kryesisht të heshtur) me kokën plot me dije dhe çantën plot me libra, fletore e stilolapsë, të cilët do të nxjerrin nga situata këta të parët.

Paralelisht po ecnin disa studentë dhe nje grup nxënësish të fillores.

Nxënësit e fillores bisedonin gjithë gëzim për vlerësimet që kishin marrë në klasë. Unë mora ‘Të lumtë dora e vogël” thonte njëri, “Flamur me xixa” ja priste tjetri. Një vogëlushe syjeshile, që flokët i kishte me gërsheta dhe fytyrën rrumbullake, ishte e mërzitur.

Ajo kishtë marrë vetëm “Të lumtë dora”, pa flamur. Dukej sikur fytyrën e saj ëngjëllore e kishte trazuar mungesa e një flamuri.

Gara e studentëve zhvillohej në një fushë tjetër, atë të facebook-ut dhe instagram-it. Enegjitë harxhoheshin tek “liket e komentet” dhe beteja ishte shumë e fortë.

Sa më shumë “like” kishin marrë, aq më të lartë e kishin të folurën, sa më shumë “komente” kishin, aq më të madhe e konsideronin mbështetjen. Buzëqeshja, humori, gjendja emocionale e tyre ishte pashmangshmërisht e lidhur me rrjetet sociale.

Edhe shkollën nuk e linin mbrapa, pasi njëra, teksa lyente buzët, nuk harroi të kujtonte se kishte dy muaj që nuk kishte shkelur në auditore.

Më pas rrugët tona u ndanë.

Fëmijët e vegjël, gjithë gëzim shkuan në shtëpi. Unë, i menduar vazhdova rrugën për në punë. Ndërsa, studentët ishin aq të lodhur, saqë duhej me patjetër të pinin edhe një makiato…

Share: