Home KRYESORE Briseida…bikinit…dhe dogana…

Briseida…bikinit…dhe dogana…

Nga Desada METAJ-

Ajo u bë e famshme pikërisht për fotot me bikini ku shfaqej në superformë fizike, por jo aq sa për të fituar bindshëm postin e drejtoreshës së përgjithshme të tatimeve. Sot pas 3 vitesh, kreu i institucionit më të lartë tatimor, u shfaq sërish në media me bikini, por kësaj here, ndryshe nga fotot e para, zonjusha e tatimeve dukej të kishte pozuar me dëshirë dhe të kishte dhenë miratimin për botimin e tyre për publikun.

Madje formati gjysëm familjar me banane në dore që ajo kishte zgjedhur për t’u fotografuar, ishte ndoshta edhe më ekzoktik se fotot e prezantimit të saj me publikun, kur u emërua në këtë post, ku në shoqërinë e miqve (sot bashkëpunëtorë të saj në tatime) dukej krejt e shkujdesur dhe krejt normale per moshën dhe qejfet e saj.

Por Briseida nuk ka qenë e vetme në plazhet e jugut të Shqipërisë. Ministrat e Edi Ramës, të urdhëruar për të bërë pushime në Shqipëri nga shefi i tyre, kanë nxituar të jenë prezent në plazhet e Dhërmiut. Edhe pse çmimet e atjeshme konkurrojnë me plazhet e shtrenjta të Europës, anëtarë të kabinetit qeveritar duket të kenë kursyer gjatë dimrit për të përballuar pushimet. Më të kursyer në foto dhe pa fruta në dorë, ministrat e Edi Ramës kanë mësuar të jenë diskretë dhe mos ta vrasin mendjen për kuponin tatimor. Sepse në thelb edhe grindjet mes tyre janë tashmë në gradën “ti hamë kokën tjetrit”.

Kështu që e vetmja që u përpoq të shfaqej kur ishte me pushime, drejtoresha e tatimeve, vetëm se i la hapësirë kundërshtarëve të saj brenda qeverisë kur u shfaq me bikini në suplementin e një të përditshmeje. Sepse sado e kujdesshme dhe e përmbajtur të jetë përpjekur të dukej gjatë gjithë kësaj kohe, zonjusha në fjalë nuk arriti dot të shmangte dëshirën dhe pasionin e vjetër për të pozuar kur sheh një aparat që po e fotografon.

Duke e bërë mision të pamundur të gjithë punën dhe përpjekjet e marrëdhënieve me publikun, që nuk arriti thuajse kurrë të perceptonte rritje në të ardhurat e tatimeve apo se diçka po ndryshonte për mirë në administratën tatimore. Për këtë Brisidën nuk e ndihmuan dot as intervistat e porositura dhe as “aleancat femërore” që më shumë të ulin pikët ndonjëherë.

Dhe i gjithë ky dështim në fakt nuk është thjesht për fajin e saj, se sa për  politikat kaotike fiskale, emërimet politike dhe nepotike apo dhe ndërhyrjet “nga lart”. Kështu që zonjusha “e fortë”, e emëruar me bujë së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të doganave Spiropali, nuk arriti t’i përmbushte pritshmëritë që kryeministri kishte për to.

Ndërsa Spiropali u “dorëhoq” me njollën e dëmeve dhe fjalët për korrupsion, Briseida nuk e pati këtë shans. Ajo u pa rrallë në publik me kujdesin qe të tregohej sa më diskrete dhe profesioniste. Por si shumë ministra dhe kolegë të saj, e vetmja gjë që të thonë kur përballen me pyetjet për dhjetra problemet e qeverisjes është: “e ku është problemi këtu?”

*Desada METAJ / Kryeredaktore e “Opinion”

Share: