Diten e sotme eshte mbledhur Asamblea Kombetare e LDE – Partia per Liri, Demokraci dhe Etike, ne ambjentet e Muzeut Historik Kombetar. Kryetari i LDE Arian Galdini ka thene ne fjalen e tij se: “Kalimi i Reformes ne Drejtesi nga Kuvendi Shqiptar me konsensus, ka qene nje fitore e jashtezakonshme per Shqiperine dhe shqiptaret por edhe per Partneret tane Strategjike, SHBA dhe BE. Konsensusi ishte Diga e energjive pozitive te shoqerise shqiptare, per te ndalur shperthimin e kriminalzimit ne cdo vater e hapesire te institucioneve tona shteterore, ne te treja shtyllat e pushteteve. Kryeministri Edi Rama nuk e donte konsensusin, sepse donte zaptimin. Opozita shqiptare ia doli mbane qe te merte konsensusin e Partnereve Strategjike, SHBA dhe BE, e kesisoj te linte Edi Ramen ne vetmi, si votues te deshperuar te njd Reforme ne Drejtesi te miratuar nga gjithe te tjeret bashke.
LDE gjate ketij procesi, nuk kishte rol ne Kuvend, ngase nuk ka numrat dhe mandatet ne kete Kuvend, por ka luajtur me dinjitet e pergjegjshmeri te gjithe rolin e saj qe i takonte si nje aktor politik ne fushen e veprimit Opozitarist, shtetberes dhe patriotik. Kemi qene ne krahun e duhur dhe kemi mbajtur qendrimet e duhura e te drejta per ardhmerine Perendimore dhe shpreseplote te vendit tone.
Reforma kaloi me konsensus. Pengmarrja e te ardhmes se vendit dhe institucioneve tona nga krimi ne politike, u ndalua. Por krimi ne politike ka ende qeverisjen ne duart e tij. Ndaj e sotmja eshte nisja e betejes se re. Beteja per clirimin e qeverisjes se vendit nga krimi ne politike. Shqiperise i duhet nje Qeveri e re teknike, ose e nje Shumice te re jopolitike ne Kuvend, e cila te kete ne mandatin e saj berjen e Reformes me te rendesishme ne axhenden per ardhmerine europiane te Shqiperise, Reformen Zgjedhore.
Nje Qeveri teknike ose nje Qeveri e nje Shumice Jopolitikd ne Kuvend, duhet te mare perpsiper organizimin dhe themelimin e zgjedhjeve te para vertetesisht te lira dhe te ndershme ne Shqiperi. Ky eshte nje mision madhor i Opozites dhe klases politike shqiptare.
Po nuk organizuam dhe themeluam zgjedhjet e para vertetesisht te lira dhe te ndershme, e kemi te sigurte deshtimin ne rrugen tone europiane, shtetberese e demokracindertuese. ”
Asamblea Kombetare e LDE miratoi edhe Programin Paraprak Politik te LDE qe u quajt Programi i Shqiperise se te mireve dhe te merituarve.
Programi Politik Paraprak ose Karta e Vlerave të LDE
Pas dy dekadash e gjysëm tranzicion rraskapitës në Shqipëri, neve qytetarëve shqiptarë na bie mbi shpinë barra e rëndë për tu bërë edhe njëherë autorë, aktorë dhe faktorë të ndryshimit për të sjellë transformimet e domosdoshme që në këtë vendin tonë të mos lulëzojnë më lulet e dhunës dhe arbitraritetit.
Pikëpamja mbi të cilën ne si anëtarë e përfaqësues të LDE, ne si dalëzotsa, dëshirojmë të hedhim këto ide vjen sigurisht bazuar fortësisht në përvojën e drejtpërdrejtë dhe ndjeshmerinë e sinqertë tonën si aktivistë politikë dhe civilë për gati 25 – 26 vite, por edhe në parti të tjera shqiptare, por edhe si besues e ndjekës të natyrshëm e të përkushtuar të Kauzave Kombëtariste por edhe të doktrinës, parimeve dhe vlerave politike që ngrihen mbi traditën, identitetin kombëtar dhe vlerat më të mira europiane.
Ne do të kujdesemi këtu që të tokmbledhim edhe përvojat tona si aktivistë civilë e përfaqësues të lëvizjeve tradicionale të ish-pronarëve dhe ish të persekutuarve, të qytetarisë dhe shtresës së mesme, të shtresave të marxhinalizuara dhe individualiteteve të lira, e patjetër edhe dijenitë tona të buruara prej shkollimit, leximeve dhe studimeve të përthelluara.
Qëllimi është ti shpallim këto ide e parime si Programin Politik Paraprak apo edhe si Kartën e Vlerave të LDE, të dalëzotsave shqiptarë por edhe të hapim një debat publik mbi këto ide e vlera të paraqitura më poshtë për mënyrën sesi duhet të jetë, sesi duhet ndjerë, kuptuar dhe ndërtuar veprimtaria politike shqiptare e cila ka domosdoshmërisht lipsjen e madhe për tu ngjizur e përtërirë.
Ngase në Shqipëri ka vobektësi debatesh ideore, vlerore dhe programore brenda të gjithe spektrit politik, mes partive politike të të gjithë spektrit të majtë e të djathtë, ne nuk do të mjaftohemi vetëm me shpalosjen e këtyre ideve dhe parimeve por do të dëshmojmë me akte dhe vendime se ne do të dime ti zbatojmë këto parime duke ndërtuar modelin e një partie ndryshe, parti idesh dhe parimesh, parti dinamike, të lirë, demokratike dhe thellësisht euroatlantike në mendësi dhe veprimtari, si parti opozitare apo si parti në qeverisje.
Ne që kemi qenë kahhera të angazhuar si aktivistë të sinqertë, ndihemi natyrshëm si të lindur nga liria, në liri dhe për lirinë, dhe po krejt natyrshëm duam që Shqipëria të bëhet një vend më modern, më i lirë, më i drejtë, më i përparuar dhe autentikisht solidar.
Ne, të rinj dhe të reja, burra dhe gra të Shqipërisë jemi krenarë që jemi qytetarë të këtij vendi që ndonëse mes shumë sakrificash e vuajtjesh historike ka ditur të gjejë forcat dhe energjinë pozitive për tu ringritur.
Jemi krenarë që i përkasim një qytetërimi mijëravjeçar, një qytetërim i cili i ka dhënë njerëzimit kontribute e vlera të çmuara kulturore dhe historike.
Ndaj edhe dëshirojmë e synojmë që Shqipëria të përparojë në vazhdën e traditës së saj, vendosmërisht europiane dhe perëndimore.
Rrënjët vlerore të Europës dhe trashëgimia e saj e përbashkët kulturore klasike dhe humanistike, së bashku me pjesën më të mirë të iluminizmit e të prurjeve e ndërshkëmbimeve të mëdha kulturale për shkak të historisë sonë specifike, janë themelet e vizionit tonë për shoqërinë.
Vlerat në të cilat ne gjejmë vetveten janë posaçërisht ato vlera të cilat bashkëndahen nga familja e madhe e Bashkimit Europian: dinjiteti i personit, liria dhe përgjegjshmëria, barazia, drejtësia, ligjshmëria, solidariteti dhe subsidiariteti.
Këto janë vlerat e përbashkëta të demokracive të mëdha perëndimore, të themeluara mbi pluralizmin demokratik, mbi shtetin e së drejtës, mbi jodiskriminimin, mbi tolerancën, mbi pronën private dhe mbi ekonominë sociale të tregut të lirë.
Ne mendojmë se ka një dallim ndërmjet politikanëve që jetojnë për politikën dhe atyre që jetojnë prej politikës. Në rastin e parë, politikanët bëjnë një ideal çështje të jetës së tyre dhe përpiqen që ta vënë në jetë. Ky tip politikani është hasur rrallë në histori.
Por, tipi më i keq i politikanit është ai që jeton prej politikës. Ky është tipi më i keq i politikanit, sepse ai do ta shesë drejtësinë e pozicionit të tij për hir të pasurimit ekonomik të tij. Tashmë, çdo njeri, cdo qytetar shqiptar është i bindur se deri sot kemi parë vetëm tipin e dytë të politikanit.
Por, a duhet të tërhiqemi para një situate të tillë? A duhet që ta braktisim lirinë e sapo fituar dhe të qahemi për drejtuesit? Sigurisht që jo.
Prapa kemi një përvojë mjaft të hidhur. Edhe pse e tashmja është e hidhur dhe askush nuk guxon të premtojë, nuk duhet të ketë tërheqje prapa. E vetmja rrugë për të dalë nga ky impas historik është që të ecim përpara duke shpejtuar hapin për të kombinuar lirinë me drejtësinë.
Në qoftë se shoqëria do të rrijë e mbërthyer vetëm në një vlerë, shpirtin e përfitimit, atëherë demokracia mbetet e kërcënuar.
Ka periudha historike, si kjo që po jetojmë, kur normat, vlerat dhe bindjet e mëparshme janë tronditur thellë dhe kur shoqëria ende nuk e gjen dot orientimin etiko – moral, në një kohë kur kjo shoqëri po ndryshon me ritme të shpejta. Në periudha të tilla njerëzit ndodhen përballë dilemash të shumta.
Ata nuk po e identifikojnë veten me institucionet e krijuara. Ata nuk kanë besim tek to.
Kur shteti mund t’i shkelë angazhimet që merr, atëherë kujt mund t’i zihet besë?
Në qoftë se ligjet kanë një frymë moderne dhe tërheqëse, por që nuk gjejnë zbatim, atëherë kujt mund t’i drejtohemi për të patur, në mos sigurinë e plotë, të paktën ndjenjën e sigurisë dhe të paqes sociale? Në një kohë kur korrupsioni, gënjeshtra, lakmia, egoizmi, mashtrimi, hipokrizia, cinizmi si dhe klima e ankthit dhe e pasigurisë u ka zënë frymën virtyteve morale, kërkohet një ringritje shpirtërore për të dalë nga kjo gjendje.
Të tilla vese si dhe manipulimi me termat e militantizmit dhe të meritokracisë kanë krijuar një gjendje irritimi, lodhjeje dhe indiferentizmi të përgjithshëm.
Askush nuk flet për vlerat morale. Politika dhe etja për pushtet dhe përfitim ka pushtuar jetën politike dhe sociale, prandaj ne ndeshemi me dobësimin dhe çarjen e të drejtës dhe të moralit, me egërsinë dhe rritjen e injorancës.
Në të tilla momente, rreziku më i madh është humbja e shpresës dhe braktisja e lirisë për shkak të varfërisë ekonomike.
Ajo që ne kemi nevojë është që të ushqehemi me artin e lirisë dhe arti i lirisë dhe demokracisë është shumë i vështirë. Ai duhet mësuar.
U takon më së pari gjeneratave të reja, na takon neve, së bashku edhe me aktorë të tjerë shoqërorë që t’ua mësojmë njerëzve këtë art me qëllim që ta përdorin demokracinë në funksion të dinjitetit të tyre.
A nuk shihet kudo se atmosfera e korrupsionit po moleps çdo gjë, madje kërkon të ngjitet deri edhe në shkatërrimin e dinjitetit të njeriut?
A nuk po shikojmë individë të caktuar, që manipulojnë shuma të mëdha në duar, duke kujtuar se janë në gjendje të bëjnë qiellin dhe tokën, kërkojnë të tallen me varfërinë e njerëzve dhe përpiqen që vesin ta shesin për virtyt?
A nuk po shikojmë se nga të gjitha anët flitet për korrupsion dhe ai mbetet impersonal?
Në një situatë të tillë mund të ndodhë që ajo ç’ka mbetet nga liria e porsafituar të bëhet e padurueshme dhe arbitrarizmi të na shpjerë drejt autoritarizmit.
Prandaj edhe burrat e gratë, djemtë dhe vajzat të bashkuar në LDE, që ndihen si të lindur nga liria, kanë një përgjegjësi të madhe për të ngjallur shpresën dhe për të shpëtuar lirinë.
Ne mendojmë se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, e jo qytetarët në shërbim të politikës.
Pyetja është: A do ta ndërtojmë këtë vend së bashku, apo do të lejojmë që ta ndërtojnë gjithmonë nga e para fitimtarët e rradhës?
Jemi ende viti e para te 100 vjetorit të dytë, të Pavarësisë së Shqipërisë, e ne ende nuk e kemi të qartë nëse kemi festuar 100 vjetorin e shtetit shqiptar apo kemi lënguar në 100 vjet tranzicion.
Për gati gjysëm shekulli përjetuam marrëzinë e diktaturës komuniste e cila ndërtoi industri të rëndë, bëri tufëzime e kolektivizime e patjetër që bëri gjithë ç’mundej për të çbërë shqiptarin e për të ngritur ‘Njeriun e ri’.
Sfida e këtyre 25 – 26 viteve postkomunizëm që kemi shpenzuar por edhe e viteve që vijnë më pas, është nëse ne do të vazhdojmë të dergjemi e kandisemi nëpër kllapi pushtetëronjëse të paprincipta, apo do të gjejmë maturinë për të rimbledhur e ridrejtuar energjitë tona kombëtare, burimet njerëzore, pasuritë natyrore, të mirat, për të përtërirë dhe lartësuar kombin tonë, jetën e tij dhe për të ecur përpara në përmirësimin e cilësive të qytetërimit tonë shqiptar.
Ne besojmë sidomos tek rinia shqiptare ndaj i drejtohemi brezit të ri, se pasioni juaj, pastërtia juaj, imagjinata, nismat dhe indinjata juaj do të jenë vendimtare, nëse ne do të ndërtojmë një shoqëri ku progresi është shërbëtori i nevojave tona, apo një shoqëri ku vlerat e së shkuarës e së sotmes dhe vizionet e reja do të varrosen nën zhvillimin e shfrenuar dhe kaotik pa rregulla, vlera e parime.
Sepse kjo është koha, sot është dita, kur ne kërkohet të bëhemi të gjithë bashkë ndonëse të ndryshëm, ndonëse në konkurencë me njëri-tjetrin, për ti dhënë forcë mundësisë për ta transformuar shoqërinë tonë në mënyrë që të mos ecim thjesht e vetëm drejt një shoqërie më të mirëqenë e më të zhvilluar materialisht, por të shqipnojmë ( shqipnojmë – fluturojmë lart si shqiponja) drejt një Shoqërie të Madhe ku domosdoshmërisht edhe Qytetari është i madh.
Shoqëria e madhe ka në mbushullinë e saj, plotësi dhe liri për të gjithë, ajo kërkon demokraci reale të vërtetë, të prekshme, shtet të së drejtës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësi, parime, integritet, virtyte, dinjitet dhe lartësim për qytetarin, si edhe fundin e varfërisë e padrejtësive sociale.
E megjithatë këto janë vetëm fillimi.
‘Shoqëria e madhe’, do të thotë që ne të synojmë e punojmë së bashku për të mbërritur në ditën kur Shqipëria do të jetë një vend ku çdo fëmijë, çdo i ri të ketë drejtën dhe mundësitë e mbrojtura nga të gjithë ne, për të kërkuar e gjetur dijet, për të pasuruar mendjen dhe për të zgjeruar e zhvilluar talentin dhe aftësitë e tij.
‘Shoqëria e madhe’, do të thotë që Shqipëria do të bëhet vendi ku koha e lirë nuk do të jetë më gjendja jonë mbytëse, e cila njihet si kafeneizimi i gjithë aktiviteteve dhe punëve tona të përditshme, apo si ‘shtyrja a bjerja e kohës’ me kotësi, pamundësi, mërzi, shqetësim dhe dëshpërim individual e kolektiv, por një shans i mirëpritur për të reflektuar dhe ndërtuar.
‘Shoqëria e madhe’ është vendi ku qytetet dhe fshatrat nuk shërbejnë vetëm si vendbanime ku njerëzit plotësojnë nevojat e tyre jetike dhe nevojat për tregëti, por janë shëmbëlltyrat dhe inkurajuesit e bukurisë dhe urisë për komunitarizëm si edhe për ripërtëritjen e kontaktit të njeriut me natyrën.
‘Shoqëria e madhe’ është vendi ku qytetarët janë më shumë të shqetësuar për cilësinë dhe fisnikërinë e qëllimeve dhe synimeve të tyre, sesa për sasinë e të mirave materiale. Por mbi të gjitha ‘Shoqëria e madhe’, nuk është një liman i sigurtë, tokë e palëvizshme, objektivi përfundimtar, apo një punë e kryer, ajo është një sfidë e parreshtur, e ripërsëritur, duke na shenjëzuar neve atë fat të përbashkët ku kuptimi i jetëve tona do të përputhet tërësisht me frytet e punës dhe veprave tona.
Ndaj edhe ne si dalezotsa jemi këtu për tju kërkuar vëmendjen për 3 ‘vende’ ku ne mendojmë se ne mund e duhet tia nisim për ta ndërtuar të gjithë së bashku ‘Shoqërinë e madhe’.
1. Qytetet tona.
Në këto 25 – 26 vite kemi parë se si janë rritur me shpejtësi qytetet tona, sidomos Tirana.
Edhe statistikat më të fundit të bëra publike nga INSTAT pas përfundimit të proçesit të rregjistrimit të popullsisë, flasin për një rritje të popullsisë urbane e cila ka mbërritur në shifrat 53.75%, kundrejt 46.3% të popullsisë që jeton në fshat.
Kjo prirje dëshmon se në dekadat që vijnë ne duhet të përgatitemi për rritje drastike të numrit të popullsisë që jeton në qytete duke mare parasysh këtu edhe vetë rritjen natyrale të popullsisë e cila flet me shifra optimiste, nëse i referohemi numrit të lartë të lindshmërisë.
Kësisoj do të nevojitet zgjerimi i qyteteve dhe tokave që ato kërkojnë, do të kërkohet ndërtimi i shtëpive, banesave, rrugëve, autostradave dhe gjithë infrastrukturës dhe lehtësive urbane.
Ndërkohë që ne po e ndërtojmë gjithçka plot bujë nga e para me ritëm çmendurak, këto 25 – 26 vite, është mirë që ta ndalim pak frymën, e të bashkëbisedojmë e reflektojmë të gjithë së bashku, sepse shumë shpejt në vitet që vijnë do të na duhet ta rindërtojmë nga e para të gjithë Shqipërinë urbane.
Pikërisht për këtë arsye kërkohet nga ne që gjithçka që bëjmë sot, ta bëjmë mirë, ta bëjmë drejtë, ta bëjmë të menduar thellë dhe strategjikisht, duke pasur parasysh nevojat e së sotmes por edhe ato të së nesërmes.
Aristoteli ka shkruar: “Njerëzit vijnë bashkë në qytete për të jetuar, por ata qëndrojnë bashkë në qytete për të jetuar një jetë të mirë.” Nisur nga kjo na duhet ta pranojmë me dhimbje se është bërë gjithnjë e më vështirë për të jetuar në qytetet shqiptare në ditët e sotme.
Akoma më e dhimbshme bëhet kjo e vërtetë nëse ne i kthejmë sytë nga Kryeqyteti ynë Tirana, i cili nuk është vetëm Kryeqyteti i Shqipërisë, por është detyrimisht dhe natyralisht Kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve.
Në Tiranë është ndërtuar marrëzisht, e vazhdon të ndërtohet, por megjithatë paradoksalisht nuk ka banesa për të gjithë banorët, bazuar në mundësitë e tyre për ti blerë apo marë me qera ato. Sidomos nuk ka banesa për banorët që pritet të vijnë apo shtohen në Tiranën e viteve dhe dekadave të mëtutjeshme.
Rrugët dhe transporti brenda e ndër qytetet tona, janë në gjendje të mjerë si cilësi apo standarte, ndonëse një pjesë e tyre janë rishtazi të ndërtuara, trafiku lemeritës, tokat e lira po zihen e zhduken me shpejtësi ashtu si edhe parqet e gjelbërimi.
Monumentet, vlerat kulturore dhe historike janë ose mungestare ose keqazi të lëna pasdore, qendrat e qyteteve po zhezhiten nga betoni e rrokaqiejt, ndërsa periferitë po zhvishen nga dlirësia e natyrës e po pushtohen nga babëzia e shpirtit të përfitimit që ngre kioska, pallate, e gjithçka mundet, kudo e sido, shëmturisht, mendzbrazëtisht e shpirtboshësisht.
Ky realitet kaq i zymtë po gërryen fort dhe me ngulm, vlerat e shtrenjta që kemi pasur e nderuar ndër shekuj, të komunitetit, fqinjësisë së mirë, mikpritjes, kuvendimit, bashkëveprimit, bashkëndërtimit, me njëri-tjetrin plot dinjitet, kujdes e respekt, si edhe ndërlidhjen me natyrën.
Bjerrja e këtyre vlerave ushqen individualizmin esktrem dhe meskin, vetminë, shpërfilljen, limontinë dhe indiferencën.
Kësisoj lipset të kuptojmë se shoqëria jonë nuk do të jetë kurrë e madhe, nëse qytetet tona nuk do të jenë të mëdhenj. Edhe sot me këtë realitet që kemi, jam i bindur se kufiri i imagjinatës, talentit, energjisë transformuese dhe inovacionit është brenda qyteteve tona dhe jo përtej kufijve të tyre apo përtej kufijve të vendit tonë.
Duhet ta ndjejmë si detyrë të brezit tonë që ti bëjmë qytetet shqiptare vende ku ndoshta edhe vetë ne nëse do të jemi me fat, por patjetër brezat e ardhshëm që do të vijnë, nuk do të vijnë thjesht për të jetuar, por për të jetuar një jetë të mirë.
2. Fshatrat tona.
Një vend i dytë ku ne duhet të fillojmë të ndërtojmë ‘Shoqërinë e Madhe’ janë fshatrat tona.
Duke sjellë ndërmend poezitë e Naim Frashërit por edhe refrenin e ripërsëritur nga politikanë të të gjitha kohërave dhe krahëve, asnjëherë nuk kemi rreshtur së besuari se Shqipëria jonë është e bukura e dheut. Por sot kjo bukuri është në rrezik serioz.
Uji që ne pijmë, frutat, perimet, ushqimet që ne hamë, vetë ajri që ne thithim, janë të kërcënuara nga ndotja, moskujdesi dhe tregëtia e pandershme.
Pyjet po zhuriten e shfarosen nga prerjet pa kriter, lumenjtë po gërryhen e varfërohen nga shfrytëzimi barbar për inerte, kodrat e malet po gurorëzohen, livadhet, fushat, tokat pjellore po pushtohen çdo ditë nga shtëpiza e ndërtime pa kuptim e pa arsyetim, ndërkohë që plazhet po mbillen me karabina e përbindësha tullash e llaci dalamendshe.
Derimësot kemi qenë thellësisht të shqetësuar për imazhin problematik të ‘shqiptarit të shëmtuar’ kudo nëpër botë, ndaj është ora që ne ta ndalim sa më parë të jetë e mundur turravrapin tatëpjetë kah ‘Shqipëria e shëmtuar’.
Nëse këtë betejë do ta humbasim, nëse bukuritë e të mirat tona natyrore do të rrënohen, atëherë do të jetë shumë e vështirë që ti rikthejmë.
Ditën kur qytetarët shqiptarë nuk të bashkëudhëtojnë me bukuritë dhe të mirat që u ka falur natyra, ditën kur ata nuk do të kujdesen për këto bukuri e këto të mira, ditën kur nuk do të punojnë me dashuri, mençuri e përkushtim për ti shumëfishuar këto bukuri e këto të mira, atë ditë qytetarët shqiptarë do të kenë humbur jo vetëm mundësitë e tyre për tu mbajtur dhe zhvilluar ekonomikisht por edhe do të kenë tharë shpirtin e tyre.
3. Shkollat tona.
Vendi i tretë ku mund ta ndërtojmë ‘Shoqërinë e Madhe’ janë shkollat dhe universitetet tona.
Aty marin formë jetët e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë.
Shoqëria jonë nuk do të mund të drejtformësohet e rritet, deri atëherë kur mendja e çdo fëmije dhe të riu shqiptar nuk do të fitojë lirinë për tu takuar me arritjet më bashkëkohore të mendimit, dijes dhe imagjinatës.
Këtu ku jemi, jemi shumë larg nga mbërritja e këtij objektivi.
Edhe pse flasim për moshën e internetit, e vërteta është se klasat janë të tejmbushura, shpesh me kushte gjysmake ose pa kushte fare, tejet të ftohta në dimër dhe tmerrësisht të nxehta në verë, kurrikulat janë të prapambetura.
Pjesa më e madhe e mësuesve të kualifikuar janë të pavlerësuar dhe të papaguar në masën e meritës e të inkurajimit, ashtu sikurse numri më i madh i mësuesve që paguhen e shpërblehen janë të pakualifikuar.
Duhet ti qasemi standartit kur çdo nxënës duhet të ketë vendin e tij për tu ulur në bankën e tij, në klasën e tij, si edhe mësuesin e tij të kualifikuar prej nga ku do të marrë dijet.
Varfëria nuk duhet të bëhet pengesë për mësimin, marrjen e dijeve, ndërkohë që mësimi dhe marrja e dijeve duhet të ofrojnë mundësitë për të shpëtuar e larguar nga varfëria.
Por më shumë klasa, më shumë shkolla, më shumë mësues të kualifikuar, nuk mjaftojnë.
Ne duhet të synojmë e përpiqemi që sistemi ynë arsimor, të shndërrohet në një sistem edukimi, i cili ndërsa rritet në përmasa, rritet edhe në ekselencë.
Kjo nënkupton më shumë trajnime e kualifikime për mësuesit tanë, më shumë përgatitje për fëmijët dhe të rinjtë tanë që ti japin kuptueshmërinë dhe vlerën e duhur si orëve të mësimit, ashtu edhe orëve të lira, e pse jo edhe orëve të punës(mësimore).
Nënkupton eksplorimin e teknikave dhe metodave të reja të mësimdhënies, qëmtimin për gjetjen e mënyrave të reja për të nxitur tek nxënësit dashurinë për mësimin, dijen dhe kapacitetin për të krijuar dhe imagjinuar.
Ne si dalezotsa apelojmë këtu vëmendjen e çdo shqiptari, sidomos të rinjve, për këto ide të cilat shpresojmë e besojmë se mund të na afrojnë me shoqërinë e madhe ku qytetari është i madh.
Jo gjithçka që kemi shkruar këtu është shterruese, por krejt dëshirëmirë ne si dalezotsa synojmë të ngucim ndërgjegjet tuaja për tiu rikthyer mirësisë dhe madhështisë së diskutimit të problemeve të thjeshta që prekin drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë dhe të ardhmen e vendit tonë.
Zgjidhjet e këtyre problemeve nuk munden të vijnë as nga Programet, Strategjitë e Projektet e mëdha të Qeverisë qendrore, as mund të ngrihen mbi burimet e vakëta a të mangëta të autoriteteve lokale, as nga vullneti i Shumicës në pushtet, apo objektivat e Opozitës.
Ato kërkojnë që të gjithë ne së bashku të krijojmë një klimë, kulturë, shprehi dhe koncepte të reja të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit mes palëve politike, institucioneve, grupeve të interesit, qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, si edhe një derregullim më kreativ ndërmjet Qeverisë qendrore dhe komuniteteve vendore.
Woodrow Wilson dikur ka shkruar: “ Cdo njeri që del nga Universiteti duhet të jetë një njeri i Kombit të tij dhe i Kohës së tij.”
Për mirë a për keq, brezi ynë meriton e volitet të ndjejë thirrjen për të qenë brezi i përcaktuar për tu përkushtuar që të gjejë mençurinë, kurajon dhe aftësitë për një marrëveshje të madhe kombëtare për zgjidhjen e këtyre çështjeve, e kësisoj ta çojmë Shqipërinë drejt një kohe të re.
Ne nuk duhet të lejojmë që ta humbasim edhe ne shansin e mundësinë, që e kanë humbur të gjithë pararendësit tanë në dekadat e shekujt që kanë shkuar.
Ne mundemi që të ndërtojmë një shoqëri ku ripërtëritja morale dhe përmbushja e nevojave të dlirëta shpirtërore ia dalin të bëhen të prekshme dhe mëkuese të jetës së Kombit tonë.
Ndaj pyetjet që kemi për vete e për çdo shqiptar e sidomos për çdo te ri, janë:
A do ti bashkohemi, e a do të bashkohemi të gjithë së bashku në vizionin, betejën për ti dhënë çdo qytetari shqiptar pavarësisht besimit e përkatësisë fetare, politike, kulturore, etnike, statusit social apo fizik, madhështinë e merituar, dinjitetin, si edhe barazinë e plotë në shanse e mundësi, të cilat kënaqin edhe vetë Zotin, por edhe kërkohen e garantohen nga Kushtetuta dhe ligjet tona?
A do ti bashkohemi, e a do të bashkohemi të gjithë së bashku në betejën për ti dhënë çdo qytetari shqiptar një rrugëdalje nga pesha e rëndë e varfërisë?
A do ti bashkohemi, e a do të bashkohemi të gjithë së bashku në betejën për të ndërtuar një ‘Shoqëri të Madhe’, për ti dëshmuar vetes, brezave që vijnë dhe të gjitha kombeve të tjera, se përparimi dhe zhvillimi yne material është vetëm fillesa në të cilën ne do të ngremë një jetë më të pasur dhe më të vlefshme në shpirt dhe mendje të qytetarit shqiptar dhe kombit shqiptar?
Ndoshta ka ndër ju, ndër ne, shpirtra mosbesues, dekurajues, shpërfillës, të cilët mund e do të na thonë se gjithçka është shkruar më sipër është patetike, janë vetëm fjalë, e asgjë nga këto nuk mund të arrihet, e kjo betejë as mund të nisë, e jo më të fitohet. Krejt në të drejtën e tyre janë.
Por ne si dalezotsa nuk kemi dëshirë ti dëgjojmë.
Nuk duam tu japim asnjë sekondë të jetës sonë, asnjë copëz të mendimeve tona, këtyre shpirtrave mosbesues apo dekurajues. Nuk duam ta besojmë se ne jemi të dënuar që të ndërtojmë një vend, një shoqëri me zhvillim e mirëqenie materiale, por pa shpirt.
Ne si dalezotsa besojmë se ne e kemi të gjithë fuqinë për ta ngritur e ndërtuar qytetërimin që ne duam.
Por për ta arritur këtë kërkohet dalëzotsia, vullneti dhe puna e gjithësecilit prej nesh me gjithë forcën e mendjes dhe zemrës sonë.
Ne mendojmë e besojmë se politika duhet të jetë e themeluar dhe ngritur më shumë mbi vlerat sesa mbi interesat.
Ne besojmë se personi – me vlerat e tij/saj, me moralin e tij/saj, dhe me arsyen dhe të drejtën e tij për të ekzistuar dhe përmirësuar- duhet të jetë fillimi dhe mbarimi, parimi dhe qëllimi i çdo komuniteti politik, e domosdoshmërisht i vetmi burim legjitimiteti për të.
Ndaj edhe mos mundshin të ekzistojnë një drejtësi autentike dhe një solidaritet autentik, nëse liria e cilitdo personi të vetëm nuk arrin të njihet si kusht thelbësor nga Shteti.
Koncepti ynë për personin përjashton e refuzon me bindje çdo formë të kolektivizmit po aq sa edhe individualizmin egoistik.
Cdo person i përket një komuniteti dhe duhet tia nënshtrojë interesin personal përkatës, autoritetit legjitim të komunitetit përkatës, duke pranuar kufizimet që janë të nevojshme dhe domosdoshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Pa ligj dhe rend nuk mund të ketë liri.
Ne besojmë se liria e vërtetë nënkupton autonominë përbashkuar me përgjegjshmërinë, por kurrësesi pavarësinë e papërgjegjshme.
Liria e vërtetë e bën çdo person të përgjegjshëm për aktet dhe veprimet invidividuale në mirëkuptim me ndërgjegjen e tij/saj, përballë komunitetit të cilit i përket dhe përballë brezave të ardhshëm.
Ne mendojmë se brezat e ardhshëm duhet të vendosen në kushte për të jetuar në harmoni me ambjentin natyral.
Cdo qenie njerëzore është e thirrur që të administrojë të mirat natyrore me mençuri dhe urtësi e jo mbi bazën e interesave të saj specifike.
Personat, familjet, grupet sociale, komunitetet, popujt, kombet dhe shtetet duhet kësisoj të japin llogari për aktet dhe veprimet e tyre përpara çdo qenieje të vetme njerëzore, të së sotmes dhe së nesërmes.
Ne besojmë se shoqëria dhe Shteti duhet ti shërbejnë personit dhe të mirës së përbashkët.
Personat dhe komunitetet duhet të kenë të drejtën për të realizuar gjithçka munden faleminderit nismës dhe aftësive të tyre.
Atë që organizatat/organizimet e dimensioneve të vogla nuk janë në gjendje ta realizojnë, duhet tu besohet organizatave/organizimeve të nivelit më të lartë: Qeverive dhe Administratave apo Enteve Lokale, Rajonale, Shtetit, Organizatave Ndërkombëtare.
Subsidiariteti, duhet të jetë formula bazë e decentralizimit dhe integrimit europian. Cdo aktivitet social ka si natyrë të vetën dhe për qëllim subsidiaritetin.
Ne besojmë se politika ka për detyrë të mbështesë jetën dhe aktivitetin e personave, familjeve, të komuniteteve të ndërmjetme, e kurrësesi ti shkatërrojë apo absorbojë ato.
Ne besojmë se koha në të cilën jetojmë imponon një ndryshim kursi.
Nëse nuk ndryshojmë, madje nëse nuk ndryshojmë me shpejtësi, do të jetë në fakt realiteti ai që do të na ndryshojë për keq.
Ne ndihemi pranë familjes së madhe Europiane dhe me të bashkëndajmë një ide shpirtërore për Europën, idenë e etërve themelues, qe është në vetë origjinën e Europës.
Kemi një rrugë të gjatë përpara nesh.
Një rrugë të angazhimit civil, në të cilën të drejtat dhe detyrat bashkëpuqen si faqet e të njëjtës monedhë.
Kërkojmë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë të rinjve e të rejave, burrave dhe grave, të cilët e duan lirinë dhe dëshirojnë të jenë të lirë.
Kërkojmë bashkëveprimin, bashkëautorësimin dhe bashkëfaktorizimin e tyre për të mbrojtur dhe garantuar këto vlera dhe për të realizuar këto ide dhe vlera tonat që këtu po i bëjmë pronësi të qytetarëve shqiptarë.
Ne duam një shoqëri që të kujdeset realisht për të varfërit dhe për më të dobëtit.
Ne nuk duam një shoqëri të ndarë mes të pasurish dhe të varfërish, mes të fortësh dhe të dobëtish.
Ne duam një shoqëri në të cilën të gjithë të kenë mundësi të gëzojnë një nivel jete të denjë dhe të përshtatshëm.
Ne besojmë se personat kanë detyrën për të siguruar mirëqenie për veten e tyre sipas parimit moral të përgjegjshmërisë, por po sipas këtij parimi dhe mbi këtë bazë personat duhet të ndihmojnë dhe mbështesin tjetrin që është në vështirësi.
Me këtë frymë ne besojmë se është detyrë themelore, si e shoqërisë ashtu edhe e Shtetit, për të ndihmuar ata të cilët nuk munden ta arrijnë këtë objektiv.
Ne mendojmë veçanërisht se janë të nevojshme aksione të forta pozitive për të siguruar, rritjen aksesit të grave në arsim, punë dhe në postet më të larta të përgjegjësisë në botën publike dhe private.
Një barazi më e madhe dhe më efektive mes burrit dhe gruas do ta bëjë vendin tonë jo vetëm më të drejtë, por edhe më të zhvilluar.
Ne mendojmë se familja është bërthama themelore e shoqërisë sonë.
Sot familjet dhe shoqëria janë gjithnjë e më të fragmentizuara.
Ne mendojmë se është në fakt e domosdoshme njohja e qartë e rolit aktiv të familjes me ndërgjegjësimin e plotë se familja nuk mund të zëvendësohet nga figura të tjera sociale.
Në një situatë të vështirë sikurse është kjo aktuale, familjet janë edhe një element i çmuar i stabilitetit social dhe ekonomik sepse i bëhen ndihmë strukturave publike duke kompensuar limitet e politikave sociale.
Nuk mund të injorojmë sot faktin se shumë familje nuk ia dalin dot mbanë që të kenë “një jetë të qetë, të patrazuar dhe me dinjitet të plotë.”
Ndaj familja duhet mbrojtur edhe sepse është thelbësisht jetike për personat më të dobët, për të moshuarit, për të pamundurit fizikisht, për të rinjtë e papunë. E jo vetëm kaq.
Ne besojmë se familja ka detyrën e pazëvendësueshme për të edukuar fëmijët dhe adoleshentët.
Bazuar në këtë prespektivë ne mendojmë se mund të arrihen rezultate të mira duke ulur ngarkesën fiskale për familjet në raport me numrin e anëtarëve të familjes, duke filluar nga fëmijët.
Ne e dime se vlerat humanistike kanë nevojë për të bashkëudhëtuar me vlerat dhe arritjet shkencore sidomos në fushën e mjekësisë.
Ne besojmë se progresi shkencor i cili ka arritur maja të paimagjinueshme në botën e zhvilluar, porse edhe në vendin tonë i cili ekspozohet me kënaqësi ndaj këtij progresi, ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ne e pohojmë këtë gjë me forcë.
Ne mendojmë se liria dhe progresi i kërkimit bio-mjekësor mbrohen me kujdes, ndaj për këtë duhet të bashkëpuqen edhe me parimet e mbrojtjes dhe promovimit të dinjitetit njerëzor, me të drejtën për jetën, unicitetin e çdo jete njerëzore, barazinë e të gjitha qënieve njerëzore, kujdesin për shëndetin.
Duke njohur parimin e dinjitetit të qenies njerëzore, sjell në fakt që shkenca duhet të jetë në shërbim të personit dhe përjashton mundësinë që personi të jetë në shërbim të shkencës.
Ne mendojmë se politika ndërkombëtare duhet të bazohet në vlerat e lirisë dhe mbi raportin themelor mes paqes, lirisë dhe të drejtave.
Kjo është filozofia që ne besojmë se duhet të bëhet pjesë e aspiratave dhe mundësive të të gjithë popujve.
Në një rajon të trazuar si Ballkani Perëndimor, ku Shqipëria ia ka dalë mbanë të luajë më së miri rolin e një vendi kontribues në stabilitet dhe në një botë të sfiduar nga terrorizmi, ne vendosim ndërtimin e paqes dhe dialogut mes popujve si një frymë dhe detyrë bazale të politikës sonë ndërkombëtare.
Bazuar në këtë frymë dhe detyrë ne vendosim aleancat dhe marrdhëniet tona misionet jashtë vendit që burojnë nga anëtarësia në NATO e Shqipërisë dhe më gjerësisht strategjinë e vendit tonë në skakierën Rajonale dhe pse jo Botërore. Në këtë kontekst mbeten themelore zgjedhjet europeiste dhe atlantike.
Ne mendojmë se i duhet shtuar lirisë edhe një vlerë tjetër, ajo e plotësimit të sigurisë së identitetit tonë kombëtar përballë sfidave të integrimit dhe globalizmit.
Pikërisht për këtë arsye duhet dhe mundemi e duhet të jemi të hapur ndaj të resë, por pa hequr dorë ndaj vetvetes sonë, e njëkohësisht duke përvijuar, promovuar dhe theksuar traditat tona, identitetin tonë, lirinë tonë.
Sepse vetëm duke gjetur thellë në të shkuarën tonë, duke dritësuar, krijuar dhe ruajtur vlerat tona, përtej krizës së vlerave që po përjetojmë në ditët tona, ia dalim mbanë të ruajmë identitetin, sigurinë dhe të jetojmë në liri.
Bazuar në këtë frymë ngrihet një strategji ku Shteti Shqiptar ka një rol themelor si shumator i vlerave tona të përbashkëta dhe si seli e fatit tonë të përbashkët.
Shteti shqiptar në këtë vizion ushtron një rol subsidiar dhe riekulibrator mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes të brendshmes dhe të jashtmes.
Kjo është zemra e ideve, parimeve dhe vlerave tona të paraqitura këtu.
Kjo është qendra e vizionit tonë si në krahun politik ashtu edhe në krahun ekonnomik, si në Shqiperi ashtu edhe në Europë, dmth, mbrojtja e parimeve morale dhe vlerave qytetare, fetare, besimore, mbrojtja e familjes dhe e rrënjëve tona, angazhimi për të respektuar qytetërimin tonë dhe orientimin europeist dhe atlantik të vendit tonë, mbrojtjen e sipërmarrjeve dhe bizneseve shqiptare dhe të punës sonë si komb.
Ne e dimë se vlerat tona janë të rrënjësuara nga traditat më të mira politike të vendit dhe shoqërisë sonë duke mbartur frymën e të gjithë atyre që aq shumë e deshën Shqipërinë dhe shqiptarinë ndër shekuj, e deri në ditët tona, ku vlerë e patjetërsueshme, motivim dhe frymë mbeten për ne edhe Lëvizjet Studentore të Dhjetorit 1990 dhe Dhjetorit 1998 dhe idealet e qëllimet e këtyre dy lëvizjeve, sikurse edhe të gjitha lëvizjet dhe kontributet pozitive politike dhe civile shqiptare në vitet që kanë ardhur më pas, ku lajtmotiv kanë qenë kërkesat për Liri, Demokraci, dhe Europë.
Tek këto ide, parime e vlera, shpresojmë e dëshirojmë të gjejnë veten, në fakt, laikët dhe besimtarët, muslimanë, bektashinj, katolikë, ortodoksë, dhe ungjillorë.
Tek këto ide, parime e vlera, shpresojmë e dëshirojmë të gjejnë veten punëtorë, sipërmarrës, biznesmenë, bujq dhe fermerë, intelektualë, akademikë, të rinj dhe të reja.
Jemi krenarë për këtë karakterin dhe natyrën tonë popullore, sepse na konfirmon vizionin tonë që është ai bashkimit të shoqërisë shqiptare, e për ta udhëhequr atë drejt një të ardhmeje më të mirë.
Ne besojmë se pronësimi i qytetarëve shqiptarë me këto ide, parime dhe vlera do të ketë si qëllim të përftuar, promovimin e tolerancës, dialogut dhe bashkëpunimit midis aktorëve politikë por dhe të aktorëve të tjerë në fusha të ndryshme të shoqërisë si Biznesi, Shoqëria Civile, Media, rrethet akademike të cilat ndikojnë në zhvillimin e jetës normale në vend.
Ne gjykojmë se disa nga pengesat kryesore në ngadalësimin e zhvillimit politik, ekonomik dhe social në vend janë mungesa e besimit dhe e bashkëpunimit reciprok.
Në Shqipëri politika e derisotme ka gjeneruar shumë konflikt dhe polarizim për shkak se ajo nuk vjen si politikë e lindur prej vlerave dhe parimeve por motivohet nga interesat meskine, individuale dhe të ditës.
Ne nuk dëshirojmë që këto ide të mbeten te izoluara thjesht në një grup njerëzish por te përçohen dhe tek aktorët me influencë në shoqërinë tonë dhe në institucionet e shtetit shqiptar.
Ne besojmë se drejtues që kanë mirëbesim tek njëri-tjetri pavarësisht diferencave politike mund të arrijnë të transformojnë shoqërinë.
Vizioni i ynë është të krijojmë një lëvizje gjeneruese të ripërtëritjes morale në Shqipëri nëpërmjet një veprimtarie të qartë dhe konkrete politike.
Ne besojmë se mund ta ndryshojmë shoqërinë me anë të ideve dhe veprimeve tona duke drejtuar nëpërmjet shembullit dhe integritetit tonë personal.
Qëllimi ynë është përmirësimi i klimës politike duke synuar për të ndikuar për të ndryshuar frymën, ligjërimin dhe ambientin politik ku veprohet dhe merren vendimet.
Është zgjedhja jonë e përbashkët dhe e secilit prej nesh individualisht që të mos jemi vetëm ambiciozë për karrierë personale por të përfaqësojmë politika ambicioze që sjellin ndryshim dhe rritje në shoqëri.
Ky është një poçes që kërkon kohën e vetë dhe që ndikimin e vetë e kryen individ pas individi, ditë pas ditë dhe rrethanë pas rrethane.
E rëndësishme është se ne synojmë që më së pari të krijojmë një komunitet moral para se të kemi një komunitet politik, biznesi apo kulturor.
Ne nuk kërkojmë vetëm metodat dhe strategji të mira, por mbi të gjitha ne kërkojmë dhe inkurajojmë njerëz më të mirë, liderë më të mirë.
Integriteti personal i një drejtuesi është thelbësor për mirë-funksionimin dhe mbarë-vajtjen e proçesit që sjell ndryshim brenda ambientit politik dhe social.
Ne mendojmë se së bashku do të bëjmë përpjekje të mëdha për të iniciuar një stad të ri të marrëdhënieve ndërpolitike dhe sociale shqiptare i cili kryesisht lidhet me vendosjen e një kualiteti që i nevojitet politikës dhe shoqërisë sonë, klimën e bashkëpunimit dhe vazhdimësinë në qeverisje, forcimin e institucioneve dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit, demokracisë, lirive dhe etikës.
Ne besojmë se njeriu duhet të synojë të bëhet ai lloj personi prej të cilit veprat e ligjit rrjedhin natyralisht.
Me pak fjalë, çelësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë nuk janë vetëm aksionet, veprat tona apo sjellja jonë. Ato na çojnë veçse në Korrektësi Politike.
Celësi i jetës së mirë dhe shoqërisë së mirë është karakteri i individit.
Kështu pra gjithësecili që e njeh vendin kritik të karakterit në momente kaq të mëdha të historisë, flet për karakterin jo si për një klishe fetare apo për një temë luksoze, që është i parëndësishëm në këto kohët tona të ngutjes, ambicjes , egos dhe imazhit pakufi. Karakteri është një sfidë e pamatë personalisht dhe kulturalisht.
Ne qëndrojmë dhe besojmë se vendi ynë ende prodhon shpresë.
Ne kemi ekzaminuar dhe është mirë të vazhdojmë ti ekzaminojmë mundësitë tona ngase jemi besimplotë që jemi shumë, ndaj edhe duhet ti ushtrojmë të gjitha të drejtat, kapacitetin, energjitë, dijet, eksperiencën, dëshirat, vullnetin për të qenë shërbëtorë dhe autorë të së mirës ndërkohë që së bashku të gjithë si shoqëri punojmë për ditën kur Shqipëria do të bëhet Europë.
Ne jemi plot shpresë dhe besim se ne jemi shumë, e në çdo zemër të qytetarëve shqiptarë gjen vend e fjetur apo e ndrojtur, “shpresa dhe ngasja për të mirën”.
Ne jemi përnjimend shumica e heshtur. Ne jemi forca e vërtetë lëvizëse në shoqërinë shqiptare, ndonëse ka vite e mbase dekada që e keqja në pakicë ushtron kontroll mbi pushtetet e këtij vendi. Për të shkuar më thellë në shpresën tonë, ne mendojmë dhe besojmë se edhe brenda vetë vendimmarrësve të derisotëm shqiptarë, udhëheqësve, deputetëve, drejtuesve qendrorë apo lokalë, qoftë si qenie njerëzore, qoftë si grup social, është dhe mund të marrë forcë e kurajo, kahja e së mirës.
Ka dhe mund të zbulojmë apo ngremë drejtues që i kanë karakterin, integritetin dhe parimet si element themelor të formimit të tyre si bartës dhe ushtrues të detyrave publike, dhe pushtetit në shërbim të vendit, ligjit dhe qytetarit.
Ne u propozojmë shqiptarëve një shoqëri të bërë në liri, me zhvillim ekonomik dhe solidaritet.
U propozojmë shqiptarëve një shoqëri të bazuar në vlerat liberale, europiane e perëndimore, bazuar mbi familjen natyrale të themeluar nga martesa e krijuar nga bashkimi i një burri me një grua, nga e cila mund të lindin, rriten dhe edukohen fëmijët.
Propozojmë një Shqipëri të respektuar, plot dinjitet dhe të fortë në Rajon, Europë dhe pse jo edhe në Botë. Propozojmë një Atdhe me të cilin të gjithë shqiptarët të identifikohen dhe ta duan, sepse është shtëpia e përbashkët e të gjithë neve pa asnjë përjashtim.
Përndryshe nga realiteti i derisotëm, kur ballafaqohemi me një Shqipëri të pasigurisë, ndarjeve, urrejtjes sociale, varfërisë, ne dëshirojmë dhe propozojmë një Shqipëri të dashurisë ku të gjithë e shohim njëri-tjetrin në sy plot dinjitet dhe respekt.
Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë e pafundme me të cilat do të përballemi, ne jemi dhe do të jemi të preokupuar për mirëqenien, dinjitetin e të gjithë shqiptarëve pa dallime mes të majtës dhe të djathtës.
Qeveria, është dhe duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve, për shqiptarët dhe duhet të ketë kryefjalë të aksionit dhe misionit të saj Mirëqenien dhe Dinjitetin e tyre. Ky është moraliteti i vërtetë i politikës.
Ne duam një Shqipëri të njerëzve të lirë dhe të përgjegjshëm në gjendje për të marrë në duar të ardhmen e tyre.
Ne duam një Shqipëri të njerëzve të lirë dhe të përgjegjshëm që të jenë në gjendje të zgjedhin një punë të mirë, që të rrisin fëmijët sipas vlerave dhe ideve të tyre më të mira.
Ne duam një shoqëri në të cilën të gjithë të rinjtë, pa dallime të tipit social, të shkojnë në shkolla dhe universitete prej nga ku të marrin dije të thella e serioze, si edhe diploma të vlefshme dhe kualitative.
Duam një shoqëri në të cilën të rinjtë të kenë një punë e cila tu krijojë atyre mundësinë të jenë të lirë për të ndërtuar një familje të tyren.
Duam një shoqëri në të cilën askush të mos mbetet mbrapa.
Sepse çdo person ka një vlerë të paçmueshme dhe sepse mirëqenia e çdo qytetari nënkupton mirëqenien e të gjithë qytetarëve, mirëqenien e të gjithë shoqërisë.
Ne duam një ekonomi të fortë dhe vitale, të bazuar mbi sipërmarrje moderne dhe efiçente, mbi kreativitetin dhe inovacionin, ndershmërinë dhe ligjshmërinë. Sepse pa rritjen ekonomike nuk mund të zgjidhen problemet sociale, e kësisoj nuk mund tu garantohen të gjithë qytetarëve shërbimet për të cilat kanë të drejtë.