Vogëlushi që shihni në foto quhet Ledio Çano, 4 vjeç. Është fëmija i dy prindërve nga Libohova, Edmondit dhe Nertilës. Historia e tij është ndoshta e ngjashme me të shumë fëmijëve të tjerë, të cilët përballen me kapriçot e fatit, ndonëse janë ende në hapat e parë të jetës. Prej muajit dhjetor 2015 Ledioja i vogël fatkeqësisht u diagnostifikua me tumor.
Në gjendje kritike për jetën, nga Janina u dërgua me autoambulancë drejt Athinës në një spital ku trajtoheshin fëmijë me probleme tumoriale. Ky ishte lajmi më i kobshëm për Edmondin dhe Nertilën, por beteja me të keqen sapo kishte nisur dhe ata duhet t’i bënin ballë, bashkë me të voglin e tyre që veç lodrave dhe botës së tij fëminore s’e kupton dot përse duhet të qëndrojë gjatë gjithë kohës në spital më shumë sesa në shtëpi.
Fillimisht fëmija iu nënshtrua një operacioni nga i cili doli biopsia e një tumori të rrezikshëm, sulmues dhe me një degëzim që arrinte deri në zemrën e Ledios. Menjëherë mjekët nisën me kimioterapinë, pasi zemra e fëmijës nuk rrihte siç duhej. Mes ankthit, dëshpërimit dhe vështirësive ekonomike për të përballuar kurimin e djalit, prindërit e Ledios morën një lajm të mirë. Para se të bëhej operacioni i dyfishtë nga dy skuadra kirurgësh u vërejt se problemi i zemrës ishte zhdukur, ndërsa masa tjetër tumoriale ka pësuar tkurrje, por sidoqoftë është akoma shumë shpejt për të thënë që rreziku ka kaluar plotësisht.
Mjekët e panë të arsyeshme të vazhdojnë me kimioterapinë dhe kurimin derisa në muajin shtator do të kryhet operacioni i vështirë. Në raste si këto, pacient nuk është vetëm fëmija, por në një farë mënyre edhe prindërit e tij, të cilët për shkak të gjendjes shëndetësore dhe psikologjike të vogëlushit nuk mund të shkojnë në punë. Janë të detyruar të qëndrojnë pranë tij gjatë gjithë kohës.
Fillimisht familja Çano është ndihmua nga Mariana Vardhinoiani, një zonjë greke e cila ka ndërtuar edhe spitalin për fëmijët me probleme tumoriale. Ajo e strehoi diku pa qera. Ndërkohë shteti grek nuk jep ndihmë për qytetarët e vendeve të treta, qofshin dhe me dokumenta të rregullta si familja Çano.
Prej 8 muajsh Edmondi dhe Nertila kanë shpenzuar çdo kursim, kanë shfrytëzuar gjithçka kishin për të mundësuar kurimin e djalit e tyre.
Sot ndodhen në një situatë shumë të vështirë prandaj apelojnë për ndihmë tek kushdo që ka mundësi, tek kushdo që i thërret arsyes dhe humanitetit që ka brenda vetes.
Prandaj vendosëm të ndajmë me ju historinë e tyre, me shpresën se dikush do të kontribuojë sadopak për të vazhduar mjekimin e Ledios së vogël.
Prandaj kushdo që mundet le të kontribuojë në llogarinë bankare IBAN:GR92 0140 1190 1190 0210 1377 389 (Alpha Bank, Edmond Çano) Ose të kontaktojë direkt në Facebook me babain e djalit duke klikuar KETU. Ose në numrin e celularit 0030 69 96 95 95 44.
Burimi: Libohova Online