Nga Nikollaq Neranxi
Të dashur miq! Do të doja të sillja akoma në vemendjen tuaj, ngjarjen e djeshme të shëmtuar të Himarës. Ju bëj me dije, se në media ka patur presione të mëdha, me qëllim që ngjarja të dilte si një konflikt banal, ose siç e kishte shkruar policia në komunikatën e saj zyrtare, “zënkë për motive të dobëta”. Pra të jesh në punën tënde, duke diskutuar si njeri për hallin e shtëpisë tënde dhe të të hyjnë me forcë në institucionin e shtetit e të të dhunojnë, sipas policisë së shtetit e cila mbahet me taksat tona, na qenka zënkë për motive të dobëta!!!
Është shumë e rëndësishme të kuptohet e vërteta dhe më mirë se kjo video, asnjë tjetër nuk na e rrëfen. Në sekondën e 14-të, shfaqet Manol Zoto duke folur në mbledhje, kur disa të rinj hyjnë me forcë në mbledhje dhe fillojnë dhunën, terrorin dhe raprezaljen.
Në emër të banorëve të Himarës, i bëj thirrje organeve të drejtësisë ta zbardhin këtë çështje sa më parë. Ndërkohë iu kërkoj gazetarëve, kryesisht atyre që kanë hapur portale shumë të mira informative dhe janë vetë pronarë të tyre dhe mbi të gjitha, që nuk kanë interesa koncesionesh dhe leje ndërtimesh me pushtetarët, që të investigojnë më thellë mbi këtë çështje. Pse erdhën këta njerëz në Himarë, çfarë kërkojnë, kush i solli, kush i sponsorizon dhe kush i mbështet?
Do shikoni sa gjëra interesante do zbuloni! Ka një skenar të errët për Himarën, për ta ç’bërë krejtësisht si vend, me gjithë historinë e saj.
Personalisht angazhohem të jap ndihmën time modeste për ato portale apo media të ndryshme, të cilat marrin përsipër të thonë të vërteta, duke iu vënë në dispozicion reklamat e biznesit tim si dhe do flas me sipërmarrës të tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë nuk kemi pse ushqejmë batakçinj, si dhe do ndihmojmë njëri tjetrin që të jetojmë me dinjitet dhe me kokën lart. Kjo vlen jo vetëm për këtë rast, por çdo herë. E vërteta e thënë nga ju, e shpëton Shqipërinë, përndryshe kemi mbërritur pa kuptuar në diktaturë!