Home KRYESORE Neranxi: Kjo reformë dëshmoi se ne si shtet, jemi të rëndësishëm për...

Neranxi: Kjo reformë dëshmoi se ne si shtet, jemi të rëndësishëm për perëndimin

Nga Nikollaq Neranxi

Edhe unë si shumica e shqiptarëve, jam gëzuar shumë për arritjen e konsensusit dhe votimin në mënyrë unanime të Reformës në Drejtësi. Ne do t’i donim ndryshimet mundësisht qysh sot, por për fat të keq mendoj se ato do ndodhin me ritme më të ngadalta. Gjithsesi e rëndësishme është që ne tashmë kemi hyrë në këtë rrugë dhe mbi të gjitha, kjo reformë dëshmoi se ne si shtet, jemi të rëndësishëm për perëndimin, pasi shpesh na dukej sikur ishim pa peshë përballë tyre dhe problemet tona të mëdha, ngjanin si të padukshme për ta.

Personalisht, gjithnjë e kam shprehur se na duhet një sistem gjyqësor më i mirë. Gjatë jetës time, kam patur të bëj shumë me Gjykatat. Momentalisht jam përsëri në disa procese gjyqësore për problemet e biznesit, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë. Ne kemi hedhur në gjyq pushtetin dhe gjyqtarët nganjëherë tkurren sapo e kanë atë përballë si të akuzuar, kur në fakt duhet të merren vetëm me faktin se nga cila anë është e drejta. Shpresoj që reflektimi të fillojë që tani për pjesën e cila nuk i ka shërbyer si duhet qytetarit.

Nga ana tjetër, bashkë me bashkëqytetarët e mi nga Himara, jam në një betejë dramatike me pushtetin qendror dhe atë vendor, për çështjen e pronave në Himarë. Fakti që ne nuk kemi akoma certifikata pronësie në dorë, e bën edhe sistemim gjyqësor njëlloj fajtor ashtu si të gjithë pushtetet që kanë qenë deri më sot. Prandaj dua të besoj që më në fund do të bëhet drejtësi në sistemin e drejtësisë shqiptare, sepse kemi shumë punë për të zgjidhur me ta. Urime shqiptarëve!

Share: