Home KRYESORE Loja politike Rama – Meta si loje toreadoresh!

Loja politike Rama – Meta si loje toreadoresh!

 Nga Sokol Balla

Prej disa ditësh, që kur sovranistët iu dorëzuan sovranit amerikan dhe si karavidhet e kombit u vunë në rresht të votojnë një reformë që nuk e deshën, ka plasur një garë e ethshme për të ndarë frytet e një fitoreje që në fakt nuk u përket.‎ Thuthuqët dialektorë u lodhën të bëjnë heronj të paqenë por nuk po ia dalin dot.

Nuk di nëse është e vërtetë ajo që thotë Spartak Ngjela për 105 deputetët që ishin gati të votonin reformën edhe jashtë konsensusit politik, por sigurisht që një bilanc i gjithë kësaj është i nevojshëm.

Dhe po e nis nga vetja pasi më duhet të reflektoj mosbesimin e thellë që kam pasur tek dy ambasadorët që iu vunë kësaj reforme ta realizojnë dhe ja dolën.

Sigurisht më shumë vlerësim kam për Donald Lu që ia doli veç të tjerave të “përdorë” flokët e kuq të Vlahutin si “escape goat” për sulmet e sovranistëve, por ndërkohë t’i vinte të gjithë me shpatulla pas muri dhe t’i detyronte si delet të shkonin e votonin në Kuvend.

Mentor Kikia kolegu im, më tregoi pak ditë më parë një anekdotë për të cilën nuk besoj të më përgënjeshtrojë se e di që unë them gjithnjë të vërtetën. Pronarit të një arene demash ku zhvilloheshin ndeshje me toreadorë i çonin cdo mbrëmje topet e demit që vritej. Por një mbrëmje kamarieri i hapi tabakanë dhe pronari pa me çudi një palë tope të vogla dhe pyeti se çfarë kishte ndodhur: “Sonte fitoi demi zotëri”, ja ktheu kamarieri.

Kështu edhe në rastin e Reformës në Drejtësi fituan amerikanët dhe europianët. Prej 25 vjetësh talleshim me ta, u merrnim paratë, mbështetjen dhe fotot dhe në darkë u hanim topet, me qesëndi dhe nën shoqërinë e rakisë, verës Gaja dhe të bukurave sinjorina. Por jo kësaj radhe. Ndaj ndër politikanët shqiptarë nuk duhet të ketë dilemë: asnjëri prej tyre nuk fitoi. Ata duhet të kënaqen vetëm me faktin se topet e tyre nuk janë në atë tabaka amerikane. Por të kujt janë? Këtu përgjigja bëhet interesante.

Dikush mund të thotë janë të Edi Ramës. Por kjo pak mund të besohet.

Eshtë e vërtetë se Edi Rama politikisht ishte OK edhe nëse reforma rrëzohej pasi nëse kjo ndodhte, atëherë fajtorët do ishin dy. PD dhe Meta. Por nga ana tjetër Edi Ramës dhe mbështetesit të tij kryesor në këtë mesele, Fatmir Xhafës, nuk mund ti mohosh faktin se e deshën këtë proces, me apo pa konsensus por totalisht nën drejtimin e ndërkombëtarëve. Fatmir Xhafa hyn kështu tek ai grup i vogël politikanësh që nesër mund të dalin në pension me mision të përfunduar me sukses.

Edi Rama nuk ka tope për tek tabakaja sepse në përgjithësi nuk i ka ato as për veprime të tjera që do ishin normale në këtë moment: kërkim llogarie publikisht partnerit të tij politik Ilir Meta për sjelljen e tij dhe jo vetëm në javën e fundit para votimit të Kushtetutës së re. Por ai ama mund të kënaqet e të presë hapjen e tabakasë pa pasur frikë e vënë duart instiktivisht mes shalëve.

Kjo s’mund të thuhet ama me siguri për Lulzim Bashën. Investimi më i rëndësishëm amerikan në PD që prej Sali Berishës, ai u përpëlit deri në sekondën e fundit duke zemëruar Uashingtonin deri në pikën e fundit: kërcënimin për futjen në listën e zezë. Basha ngazëlloi para kohe në telefon edhe zonjën e hekurt të Berlinit. Merkel përmes skifterit të saj ama më pas, i bëri të qartë atij se PD po rrezikonte jo thjesht përjashtimin nga PPE, por edhe një afat të rrezikshëm: deri në zgjedhjen e lidershipit të ri të PD. Përpëlitja e Bashës rrezikoi edhe dezintengrimin e PD, me tre deputetë që u deklaruan të gatshëm të votonin jashtë rreshtit të partisë dhe të tjerë në heshtje por gati që ta bënin këtë. Basha dështoi gjithashtu të jepte idenë e perhershme se “Fajin e ka Saliu”. Ky i fundit mbajti një qëndrim asnjanës dhe e la Bashën në fatin e tij: të bënte zgjedhjen e vet. Por mënyra si shkuan punët e shpëtuan atë dhe topet e tij të reja politike nga tredhja amerikane. Prania e tij në Konventën Amerikane megjithë meriten e padiskutueshme të Podesta Group, është një shenjë se Uashingtoni i ka dhënë atij edhe një shans tjetër dhe për momentin edhe ai, mund të rrijë i qetë pa vënë duart instiktivisht në mbrojtje nga goditja e dënimit. As nga amerikanët por as nga partia e vet, të cilën e gënjeu kur e detyroi të votonte Vetingun, KLGJ dhe KLP fiks siç e donin amerikanët dhe Edi Rama.

Por një tjetër politikan, që megjithëse është aleat me Ramën, që megjithëse ishte në Konventën e Demokratëve në qytetin e Dashurisë, në Filadelfia, e humbi Qetësinë që e karakterizon. Ja tha Xhafa në kuvend, por Ilir Meta e tregoi nervozizmin në konferencën e famshme për shtyp, kur foli për prishje koalicioni dhe qeveri teknike.‎ Kur foli për skenarin e frikshëm maqedonas, kur i kujtoi amerikanëve të mos merren me thashetheme dhe i çoi mesazhin Ramës se tani e kishte përballë.

Por me kë është sot përballë Ilir Meta? Sigurisht me Ramën dhe pavarësisht thirrjeve për rikthim të koalicionit ne Qetësi, ai e di që kjo nuk është më e mundur. Përballë Lulzim Bashës, që e pret në koalicion zyrtar tashmë, por edhe para partisë së vet dhe opinionit publik që nëse e bën këtë, tashmë e di se çfarë do mendojnë për të. Është edhe përballë amerikanëve që nuk janë gjindje dosido dhe nuk të harrojnë asgjë. As edhe kur i refuzon t’u japësh dorën në Festën e tyre e lëre më të influencosh në institucione drejtësie që janë totalisht investimi i tyre. Ilir Meta po, ka gjithë të drejtën të shohë me frikë fundin e kësaj ndeshjeje ku ai kërkoi me ngulm të ishte ai toreadori kryesor, të ishte ai që tundte copën e kuqe para demit amerikan, të ishte ai që të jepte Colpo di Grazia në fund me shtizën e flamurit të konsensusit, patriotizmit, sovranitetit. Por kjo shtizë fillimisht vrau dashurinë, qetësinë por nuk u duk ta vriste demin, përveçse ta tërbonte edhe më shumë atë.

Ndoshta në mbrëmje kur kamarieri të hapë tabakanë për të parë topet e kujt janë aty, mund të ndodhë që ajo të jetë dhe bosh.

Por për këtë duhet të presim. Ne dhe Ilir Meta.

Dhe pritjet në ankth ndonjëherë janë mjaft për të prishur gjumin, Qetësinë dhe harruar Dashurinë e zëvendësuar atë me Paranojën. Dhe Iliri fatkeqësisht është i ndjeshëm ndaj saj.

Share: