Home KRYESORE Përse po i ndan shqiptarët Z. Kryeministër ?

Përse po i ndan shqiptarët Z. Kryeministër ?

Nga Jonadër Agolli

Sa shpejt na mori malli për kryeministrin patriot të modernizuar dhe vizionar për një komb, një gjuhë, një flamur…

U veshët me kostumin patriotik që dukej bukur në staturën tuaj. Në telajon e re të trojeve shqiptare, ju me penelin tuaj të vjetër u munduat ti jepni ngjyra e lloj-lloj formash spektakolare.

Eh sa zili kishte Abdyli me shokë tek ju shihte të krekoseshit së bashku me ministrat tuaj duke bërë atë që ata nuk mundën ta bëjne. Firmosët marrëveshje, folët gjërë e gjatë për lidhjet e gjakut, traditat, gjuhën e plot gjëra të tjera që na bëjnë një komb, sa edhe vetë kancelaritë ndërkombëtare ju cilësuan si liderin ballkanik të shumëmunguar.

“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” ka thënë Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit më 1878-ën, dhe ju Z. Kryeministër që e njihni mjaft mirë trashëgiminë nuk latë pikë e presje pa e vënë në zbatim “Lidhjen”.

Ju e kuptuat i pari se sa shumë e duan shqiptarët njëri-tjetrin dhe bëtë të pamundurën për të na e treguar. Aq shumë duhen, sa duhet të paguajnë për tu takuar ose e thënë ndryshe, të japin haraç ndërmjetësit që ua mundëson këtë. Juve Z. Kryeministër, sepse vetëm ju mundeni…Vetëm ju e kuptuat se duke paguar rritet cilësia e të mirave që mund të shkëmbejnë mes tyre, të paguajnë sa më shumë studentët në të dyja anët për të marrë dije, pedagogët dhe akademikët që japin dije duhet të paguajnë më shumë. Fermerët e njejta gjë, tregtarët i lumturove tej mase pasi mbas torturave në Dogana do fluturojnë për në destinacion duke ju paguar edhe haraçin tuaj. Ministritë tuaja i bëtë me krahë(por jo duke pirë Red Bull) sepse më në fund do marrin frytet nga punët e rëndomta që bëjnë përditë. Gati për konçesionin e rradhës për këtë vepër që ju me aq shumë mund e ndërtuat.

Ju kujtohet kur keni qënë Kryebashkiak ? Sa shumë i donit shqiptarët e atyre viseve duke i ledhatuar dhe pagëzuar me emrin “Çeçen” ! Po shqiparët e Kosovës si do i pagëzoni sot Z.Kryeministër?

Shqiptarët nuk po e marrin dot veten nga arritjet e shumta nën qeverisjen tuaj dhe ju ja bëni bam me një tjetër surprizë duke vendosur taksën e dashurisë dhe bashkimit. Shqiptarët nuk janë mësuar me kaq shumë suksese dhe i bën dëm, ndaj bëni pak pushim se u lodhët shumë.

Të gjithë presim me padurim t’ju rivotojmë për të na vendosur sa më shumë taksa, sepse vetëm ju dini ta bëni relitet…

Share: