Home KRYESORE Re Rama?! Jo, akoma më keq; Dështove.

Re Rama?! Jo, akoma më keq; Dështove.

Nga Besart Kadia

“Re Rama” mund ta kuptojmë si përshkrim të politikës së javës së shkuar, ku kryeministri Rama qartazi nuk kishte më në kontroll situatën e reformës në drejtësi. Në vend që të ishte iniciues i akteve politike, në shumicën e kohës gjatë tensionit për kalimin e reformës në drejtësi Kryeministri ishte i heshtur dhe ndjekës i veprimeve të marra nga opozita dhe Kryetari i Parlamentit njëkohësisht. Me shpejtësi shumë mbështetës të opozitës menduan dhe mendojnë se mënyra se si reforma në drejtësi u miratua dhe qëndrimi i fortë që mbajti Kryetari i saj Basha, treguan se Rama ra.

Por në këtë shkrim duhet të shohim “Re Rama”, mbreti i vetëshpallur në qershor të vitit 2013 e pagëzuar si “Ed Reformatori”, si modernizuesi i jetës së shqiptarëve duke premtuar ndryshime radikale në arsim, shëndetësi, energji, rend e çdo gjë tjetër që shqetëson Shqipërinë… Rama u vetëshpall “Re” i ndryshimit, por i mungon Ramizmi (mos e ngatërrojmë me Ramizin, i cili edhe pse nuk çoi në një revolucion, ishte të paktën aktor i tij). Rama premtoi revolucion, por një gjë dihet mirë; revolucionet nga natyra zgjasin javë ose muaj, efektet e së cilës i ndiejnë dekada e shekuj më pas brezat.

“I Riu” Rama erdhi në Tiranë në vitin e largët tashmë 1998 nga Kryeqyteti i revolucionit, Parisi. Atëherë dhe çdo ditë të jetës së tij publike Rama ka premtuar revolucion, por gjithnjë nga zyra. Rama personifikon tipin e politikanit që ka 18 vite të plota në politikë dhe premton e premton revolucion. Kështu ka bërë si Kryebashkiak dhe tani gjatë tri viteve si Kryeministër, duke premtuar kudo vetëm revolucion: “Të vendosur për revolucion në drejtësi”; “duhet revolucion në arsim” ; “Tërhiqni kuponin tatimor se na ndihmon të bëjmë revolucion në ekonomi”; “Shërbimi shëndetësor falas do të vijë por kërkohet një revolucion i sistemit” etj. Të gjitha këto revolucione të shtrira në kohë e në fusha të ndryshme të jetës Rama i ka të pamëshirshme por jo detyrimisht të logjikshme, ku dinamiti e burgu janë pjesë e bërjes së revolucionit.

Padyshim “re Rama”! thërrasin edhe shumë prej mbështetësve të LSI. Sipas tyre Rama i ka eklipsuar ata gjatë tri viteve të fundit në debate publike, në konferenca me ndërkombëtarë, në shpërndarje merite etj. Ata mendojnë se në tri vite, Rama nuk ka respektuar partnerin e tij më të vogël dhe takimet e përjavshme në qendrën e politikëbërjes së periudhës së komunizmit, në vilat e bllokut, janë dukur në opinionin publik gati banditeske, arrogante e në mungesë të plotë të transparencës se pse dhe për çfarë mblidhen. Po ashtu “Re Rama”, mund të mendojnë shumë mbështetës të PS që janë larguar nga Rama këto tri vite. Mos harrojmë deputetin Blushi, apo së fundmi ish-deputetin e biznesmenin Kokëdhima e deputetin e biznesmenin Kosta. Këta të fundit por sidomos Blushi, kanë artikuluar se ka ardhur koha që nga “Re Rama” socialistët të thërrasin “re Rama”, pasi më në fund “metodës mbretërore” të përqendruar dhe të papërfaqësuar të ushtrimit të pushtetit në mënyrë të njëanshme po i vjen fundi dhe kjo ishte e paralajmëruar.

Por për të gjitha arsyet e mësipërme duhet thënë se të gjithë janë të nxituar në përfundimin e tyre. Rama as ka rënë as do të bjerë politikisht. Ai është kryeministër për vetëm tri vite, dominon prej 11 vitesh i vetëm partinë socialiste, luan dhe ka akoma elokuencë publike. Rama mund të tolerojë më shumë pushtet për LSI e t’u premtojë sërish “botën” atyre. Në shtator, interesat e tyre mund të rregullohen sërish dhe Rama nuk bie, përkundrazi bëhet sërish “Re Rama”, mbreti që i mbijetoi një atentati oborrtar në sezonin veror. Ndaj, “Rama Ra” mund të duket e nxituar kur të vijë shtatori. Rama do të bëjë çmos të mbijetojë politikisht dhe ky pushtet mund t’i ikë nga akte jo të iniciuara prej tij, siç është shkëputja e LSI. Ajo që duhet të na shqetësojë dhe që duhet të mbajë opozitën e opinionin publik zgjuar është dështimi i tij në politika ekonomike. Është dështim që vjen për shkak të vendimeve të ndërmarra prej tij, prej qeverisë së tij e prej partisë së tij. Është një politikë që ka përkeqësuar klimën e biznesit me 35 vende sipas Bankës Botërore; ka rritur borxhin në 72% të PBB-së; ka dështuar në hapjen e vendeve të punës; ka rritje të korrupsionit sipas Transperancy International; ka dështuar në thithjen e Investimeve të Huaja; ka çuar në mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë që kërkojnë azil në Gjermani etj.

Rama ka dështuar në politika ekonomike dhe s’ka rekord të premtimeve të tij për të dalë para publikut në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj dhe këtë muaj po fillon të “blejë” vota me paratë publike. Rama ka premtuar rritje rrogash, rritje pensionesh, falje kamatëvonesash për energjinë, amnisti fiskale etj. Fjalimin nëse se ka shkruar po jua shkruajmë ne, është shumë i thjeshtë. Do të fillojë gjithnjë me: “Pasi na e lanë si mos më keq demokratët, ne morëm masa dhe bëmë revolucion e tashmë pas tri vitesh arritëm t’ia dalim mbanë. Ndaj këtë vit po rrisim pensionet e pagat, por në katër vitet e ardhshme do t’i rrisim akoma dhe më shumë….”.

Re Rama?! Jo, akoma më keq; Dështove.

Share: