Home KRYESORE AZEM HAJDARI DHE AUTOÇENSURA!

AZEM HAJDARI DHE AUTOÇENSURA!

Nga Haberet e Mitro Celes

Vajza e Azemit.

Më 10 shtator 1999, shkova në shtëpinë e Azem Hajdarit, së bashku me Besnik Mustafain. Shtëpia është më shumë se një muzeum. Foto. Libra. Kompjuteri. Djali i vogël, që nuk ka mbushur vitin, të kujton më shumë se kushdo babain, sepse edhe emrin e ka Azem.

Fatmira kur mendon për shkollën e Kirit në Francë, ëndërron të jetë një Azem i dytë. Po vajza?

Besniku:- Vazhdon të shkruash?…

Ajo:- Po…
Besniku:- Kur të mbarosh ndonjë cikël me vjersha, dua t’i lexoj…
Ajo:- Nuk bëj më vjersha. Po shkruaj kujtime për babin…

Ishte një bisedë e thjeshtë, që për një çast më ngacmoi. Por vetëm një çast, sepse duke vështruar disa foto të vjetra, biseda e Besnikut me vajzën e Azemit, më doli nga mendja. Vetëm kur u ktheva në shtëpi truri im u vu në lëvizje. Si e tha? Si shkruan? Çfarë mund të shkruajë një adoleshente!? Raporti midis vajzës dhe babait… Eskili… Kompleksi i Edipit… Krimi.

Si e parafytyron një fëmijë ndëshkimin? Hapa kompjuterin. Nisa të shkruaj me mendjen tek vogëlushja: Ishte një ëngjëll që më nxiti idenë për të bërë një libër për Azem Hajdarin…

Një pjesë të shënimeve i kam botuar, të shpërndara në kronika të ndryshme. Nuk më pëlqyen të shpërndara, ndaj i bashkova. Shto ujë e shto miell dhe janë bërë nja 100 faqe. Po më tej? Nuk është kaqë e lehtë që ato që shkruan ti botosh në një libër!…Të pengon autoçensura…Pse ka autoçensurë në demokraci?

Unë do të dëshëroja të “imitoja” librin e Fan Nolit “ Betoveni dhe revolucioni”. Noli shkruan se Betoveni, më i madhi i muzikantëve që ka nxjerrë bota, ishte i shëmtuar, shurdh, pijanec, qeflli grash, kurnac, vuante nga sifilizi…

Siç tregon vetë Noli, një kritik i paska thënë: “ Pse duhet të “pikturosh” antiportretin e Betovenit? Ai është gjeni…” Noli i është përgjigjur: “Po të mos kishte Betoveni “antiportertin si muzikant”, ndoshta botës do ti mungonte sinfonia numër nëntë!”…

Pas Dhjetorit ’90 së bashku me Azemin kemi ndënjur ditë e netë të tëra. Kemi shkuar disa herë në Romë dhe Athinë. Jo rrallë, të dy kemi pirë sa jemi bërë “thumb”!… Pse, mund të pijë një Hero si Azemi, mund të më qërtoi ndonjë militant?…

Unë, siç dihet, kam dobësi për bjondet edhe pse jam i martuar më një ezmerkë! Kur ishim të dy na kalonte ndonjë bjonde e kolme, koka më vinte vërdall si “lule dielli”. Azemi më thoshte: “Nuk je pa shije, skuth!”…Pse mund të bisedoi për femrat një Hero si Azemi, do të vërë kujën ndonjë demokrat i orëve të para!…

Një burrë i mirë, në vitin 1999-të donte të bëntë një libër për Azemin. I thashë se duhet të takonte edhe Arben Imamin, Neritan Cekën, Genc Pollon, Maks Haxhinë a Arben Likën…Ata kanë shumë kujtime të bukura nga jeta e Azemit. “Je në vete,- më tha! Ka mundësi një Hero si Azemi të ketë pasur miqësi me “tradhëtarë” të tillë të PD-së!…”

Po unë pse nuk e botoj librin? Fatkeqësia qëndron brenda meje: Pena ime nuk mund të “matet” me kollosin e letrave shqiptare, me Nolin e madh, që të “guxoj” ta përshkruaj Azemin si student i ardhur nga një provincë e largët, si politikan, si tribun, si qytetar, si njeri i zakoshëm, si hero! Ndaj edhe një pjesë e mirë e shënimeve për Azem Hajdarin “flenë” në kompjuter!…

Presin kur të më “dali lepuri nga barku”, kur të “pushkatoj autoçensurën”, dmth. kur lexuesit të kuptojnë se Herojtë e Demokracisë si Azem Hajdari nuk kanë asgjë të përbashkët me herojtë e realizmit socialit: Të bukur, të gjatë, gjithë muskuj, trima, të mënçur, filozofë, të “virgjër” nga çdo ves… si personazhet e librit sovjetik: “Si u kalit Çeliku!”…

Share: