Home KRYESORE Koalicioni u duk në Dibër, por “Drejtimi i duhur” u zhduk!

Koalicioni u duk në Dibër, por “Drejtimi i duhur” u zhduk!

Nga Alfred Lela

Koalicioni i ‘Drejtimit të duhur’ është shfaqur i ribashkuar dje në Dibër në prag të zgjedhjeve të ‘jashtëzakonshme’ të 11 shtatorit për bashkinë. Shumë gjëra mund të kenë lëvizur në drejtimin e duhur, por dibranëve u duhet të numërojnë të paktën dy gjëra të cilat kanë bërë exit diku në Qafë të Buallit apo dhe më para: rruga e Arbrit dhe kandidatura e para një viti e së majtës.

Dy në dorë.

Duke e filluar numërimin nga ky -2, e majta mund të fërkojë duart për pajtimin që ka ndodhur dje në Dibër. Pyetja se cila është tipologjia e këtij pajtimi apo ribashkimi të së majtës, mund të interpretohet sa me nevojat akute të partnerëve të luhatur aq edhe me të mosllogariturit të Dibrës si vend apo kohë për një shkak lufte. Nëse skanon ‘tribunarët’ e djeshëm të Dibrës, të bien në sy Edi Rama me gjatësinë dhe rrallësinë me të cilën viziton Veriun; Aqif Rakipi me mungesën e çdo lidhjeje të mundshme me Dibrën; Luan Rama, njëfarë ‘golden boy’ i Dibrës; dhe, Përparim Spahiu, i cili megjithëse i përjashtuar nga grupi parlamentar i LSI si ‘sovranist’, brenda sovaranitetit të vet u shfaq në mitingun mbështetës të Muharrem Ramës me qëllimin ‘color me happy’.

A patën sy me pa malet e Dibrës?

Tubimi, me gjithë përpjekjen për të qëlluar në shenjë me penelatën e unitetit, i ngjante më shumë një momenti ‘impromptu’, domethënë një mizanskene më shumë se solidaritetit. Kjo sigurisht reflekton edhe ligështimin e përgjithshëm nga i cili po mundohet të dalë koaliconi i majtë, ligështim që nuk e zbeh, por e thekson edhe grupi ‘happy go lucky’ i PDIU. Madje kjo e fundit thellon pikërisht frikën që PS e LSI kanë prej njëra-tjetrës. Në anijet e mëdha transoqeanike gjërat më të çmuara nganjëherë janë objektet ngjyrë portokalli.

Shiheni si të doni një komardare.

Kapiteni i Concordia-s, anijes që u duk se po mbytej por qëndron megjithatë mbi ujë me kryeneçësinë e një cikli të cilit nuk i del shpirti pa mbaruar kohën e vet, Edi Rama, vazhdon të jetë i gjatë, shpërfillës dhe tashmë i bronzuar. Muharrem Rama, kandidati i dytë i tij për Bashkinë e Dibrës brenda një viti, nuk mund të jetë ‘i dyti në bronz’, duke ditur historinë e varaktë të të parit. Ai kallaj që doli shpejt ka lënë zbuluarkitsch-in e një zgjedhjeje. Të cilin kryeministri Rama dje në Dibër u mundua ta mbulonte me portretizime të kundërshtarit, i cili sipas tij ishte ‘burrë i mirë, por i lodhur’. Një metaforë që e pat përdorur edhe për Berishën në zgjedhjet e shkuara parlamentare. Vetëm pjesën e ‘të lodhurit’, sigurisht.

Tri palë zgjedhje nuk fitohen me një metaforë.

Sepse këto janë në fakt zgjedhjet e treta në radhë të z. Rama. Asgjë nuk e përjashton mundësinë e një ‘fitoreje në zgrip’ edhe kësaj here, por dërgata që u shfaq dje në qytetin verior, shenjat e një alarmi të paktën i jep. Sherefedin Shehu, ‘burri i mirë dhe i lodhur’, dukej edhe më i fortë dje, edhe pse i vetëm. Asgjë më shumë nuk e shfaqte këtë se sa dekori i ndryshuar elektoral i së majtës. Nga fasada dhe slogani ishte zhdukur ‘Drejtimi i duhur’ që theksohej me të kuqe mbi bojë allën e përgjithëshme të zgjedhjeve të shkuara. Shukri Xhelili nuk ishte ‘Drejtimi i duhur’ për Dibrën. Tani e majta po e provon me sloganin e ri ‘Rama për Dibrën’. Po cilin Ramë?

Një ekuacion me dy të panjohura.

Share: