Home KRYESORE Dhuna e shkatërron shtëtësinë dhe të ardhmen e Kosovës

Dhuna e shkatërron shtëtësinë dhe të ardhmen e Kosovës

Nga Enver Bytyçi

Dje në Prishtinë dikush ka gjuajtur me një predhë zjarri godinën e parlamentit të Kosovës. Kjo ngjarje e rëndë, e pajustifikueshme, me sfond terrorist kundër institucioneve të shtetit të Kosovës, dëmton jo vetëm imazhin, por edhe interesat jetike të shtetit më të ri në Europë.

Unë nuk mund të ve gishtin se kush e kreu aktin e shëmtuar e kush qëndron prapa tij, siç nguten disa ta bëjnë këtë. Por jam i bindur se konflikti politik në këtë vend i ndihëmon armiqtë e Kosovës që të hedhin gurin, të fshehin dorën e ta nxisin Kosovën në një luftë civile, në zjarrin e së cilës do të ngroheshin e shullaheshin të gjithë ata që nuk e duan Kosovën shtet sovran e të pavarur.

Mesa duket qarqet antishqiptare, ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës e ata që kanë bërë krime makabre, masakra dhe terror kundër shqiptarëve nuk janë të kënaqur me mosfunksionalizimin e institucioneve të Prishtinës dhe duan me çdo kusht asgjësimin e tyre, si parakusht për asgjësismin e shtetësisë e më pas të popullsisë.

Për fat të keq institucionet e Kosovës funksionojnë dobët e shumë dobët. Ato nuk mundën në më shumë se tetë vite pavarësi t’i dëshmonin botës se janë të aftë të bëjnë shtet modern, demokratik e të së drejtës, ku të gjithë qytetarët, pa dallim të jenë të barabartë para ligjit, para shtetit, siç janë para Zotit. Nuk po shkoj më tej, por bisedat telefonike të Adem Grabovcit janë vetëm një pjesë e kësaj dëshmie të hidhur e fatkeqe për Kosovën e përvuajtur e të masakruar me dekada pikërisht për shtetësinë e saj. Prandaj dhe nëse rendis shembuj të tjerë, nuk besoj se lexuesi do të më durojë duke i numëruar.

Për fatin edhe më të keq të Kosovës, aty është formuar një opozitë që jo vetëm nuk pajtohet me institucionet e vendit, por ka shpallur si program të saj “asgjësimin” e tyre. Madje jo thjesht si program, përkundrazi dhe si praktikë pune e lufte opozitare. Një opozitë, e cila në vend të reagojë me mjete demokratike kundër qeverisë, reagon me mjete të dhunshme kundër institucioneve të vendit. E padëgjuar dhe e paparë kjo në vende të civilizuara.

Në këtë sfond erdhi dje sulmi luftarak kundër godinës së Kuvendit. Nuk them se është autore e këtij sulmi opozita. Kjo e bën përgjegjëse gjithë politikën shqiptare në Kosovë, por në veçanti opozitën, e cila duhej e duhet të distancohet, siç bëri Ramush Haradinaj, nga kjo aventurë antishqiptare dhe e rrezikshme.

Shteti, opozita si pjesë e institucioneve, të gjithë shqiptarët, i gjithë opinioni publik, do të duhet të bëjnë presion të pandërprerë që rasti të ndriçohet, të zbulohen fajtorët dhe të dënohen ata me ashpërsinë më të madhe të ligjit.

Dhuna nuk është e nuk mund të jetë zgjidhje e asnjë prooblemi në Kosovë. Dhuna është shërbet në bakllavanë e Serbisë dhe vendeve e qarqeve të tjera, të cilat do të donin një Kosovë të destabilizuar. Dhuna krijon një imazh negativ të shqiptarëve në botën e civilizuar. Dhuna do ta vështirësojë ndihmën e përpjekjet e miqve të Kosovës për ta ndërtuar ardhmërinë e saj brenda institucioneve ndërkombëtare si subjekt i njohur shtetëror. Dhuna do të destabilizoje politikën dhe gjendjen sociale të qytetarëve të vendit, do të shkaktojë ritme të ngadalta ekonomike dhe do të çojë në krizë financiare e papunësi.

Nëse dikush e ushtron dhunën, me qëllim përkeqësimin e situatës politike, sociale, ekonomike e financiare atje, dhe, duke shfrytëzuar këtë situatë të marrë pushtetin, atëherë duhet ditur se ky është krim politik, krim shtetëror dhe krim antishqiptar.

Por edhe qeverisja, sidomos qeveria, nuk mund të vazhdojë të qeveris kësisoj. Kosova ka e do të ketë shumë probleme për të zgjidhur. Sot është vija e kufirit me Malin e Zi, nesër do të vijë në rend dite përsëri çeshtja e asosacionit të komunave serbe. Pasneser do të shohim se do te duhet të vendoset vija e kufirit, apo demarkacionit, me Serbinë. Madje do të duhet të vijë në rend dite edhe marrëveshja për kufirin me Shqipërinë. Nuk po flas për çeshtje të tjera, si energjia, Trepça, telekomunikacioni, vendosja e sundimit të ligjit mbi Urën e Ibrit. Të gjitha këto janë të parashikuara në pakon Ahtisaari, si dhe janë pranuar në bisedimet midis Prishtinës e Beogradit.

Një mënyrë e tillë e komunikimit me qytetarët e me publikun e qeverisë së Kosovës do të çojë gjithnjë në konflikt. Por ky vend nuk është në gjendje të përballojë konflikte politike e sociale kaq të shpeshta e kaq serioze. Prandaj duhet ndryshuar stili dhe metoda e punës së qeverisë, koncepti dhe filozofia e saj, cilado të jetë ajo. Transparenca, diskutimi i çeshtjeve para se të firmosen marrëveshjet, e para se ato të vijnë në qeveri e parlament për ratifikim, është metoda më e mirë për të siguruar rezultatin e duhur. Eshtë e ditur se çdo projekt, çdo marrëveshje ka e do të ketë kundërshtarët e vet, por nëse gjithçka argumentohet e ballafaqohet para se të vijhet te vendimmarrja, atëherë konflikti do të zbutet dhe vendi nuk do të vuajë pasojat, çka i kemi parë para disa muajsh dhe çfarë i pamë dje në Prishtinë.

Share: