Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka folur për koalicionin qeverisës, ‘përplasjet’ e saj me përfaqësues të LRI-së dhe reformën në drejtësi. Në rubrikën “Opinion” në News24, Spiropali deklaroi se opozita nuk e donte reformën në drejtësi por se u detyrua ta votonte pasi ishin bërë votat me kërbaçin e ndërkombëtarëve.
E pyetur se si po përmbushen detyrimet nga të dyja palët e koalicionit, Spiropali thotë se maxhoranca e ka treguar vullnetin e saj politik. – “Nuk më takon mua të bëj rolin e gjykatësit për vlerësimin e koalicionit. Maxhoranca ka patur vullnet për ta votuar reformën, ndërsa ka pasur një stepje nga opozita për ta votuar, e cila u detyrua. Interesi më i madh i partnerëve tanë, që Shqipëria të kenë një zhvillim të mbarë dhe të jenë një shtet i fortë, i konsoliduar dhe shtet i së drejtës. Vullneti politik mund të bëjë ndryshimin. Nëse vullneti politik është nga të gjitha forcat, unë mendoj se nuk ka hezitim. Sot jemi një hap më afër BE-së, falë miratimit të reformës. E gjithë zhurma dhe të gjitha akuzat dhe kundër akuzat në treg janë një mënyrë për të hequr vëmendjen nga ajo që është thelbësore, miratimi i këtyre ligjeve”, – u shpreh ajo ne News 24.