Home KRYESORE ERDOAN PREJ VITESH NDJEK NJË AGJENDË ISLAMIKE DHE NEOOSMANE, VECANERISHT E DUKSHME...

ERDOAN PREJ VITESH NDJEK NJË AGJENDË ISLAMIKE DHE NEOOSMANE, VECANERISHT E DUKSHME NË BALLKAN!

NË VEND SE TË FOKUSOHET NË THELLIMIN E PARTNERITETIT ME BE-NË DHE SHBA-NË, ERDOAN PREJ VITESH NDJEK NJË AGJENDË ISLAMIKE, KULTURORE DHE NEOOSMANE. MË SË SHUMTI KJO POLITIKË ËSHTË E DUKSHME NË BALLKAN. KUR ISHTE PËR VIZITË NË KOSOVË MË 2O13 ERDOAN THA SE KOSOVA ËSHTË TURQI, TURQIA KOSOVË.

Nga Enver Robelli

Duhet thënë, që në fillim të këtij teksti, disa fjalë pozitive për raportet shqiptaro-turke. Në vitin 1997, kur Shqipëria u fundos në një krizë të thellë dhe shteti shqiptar ishte para shpërbërjes (atëbotë Ibrahim Rugova jo pa ironi therëse dhe absurde thoshte se Republika e Kosovës është shteti më stabil në Evropën Juglindore), pra më 1997 ishte Turqia ajo që nga prapaskena garantoi sovranitetin e Shqipërisë. Kjo ishte një përgjigje e qartë kundër Greqisë, e cila kishte luajtur rol negativ gjatë krizës së piramidave financiare.

Në rastin e Kosovës, Turqia ka dhënë një kontribut të madh në afirmimin e shtetësisë kosovare në botë, sidomos në ato shtete ku Ankaraja ka ndikim dhe në Organizatën e Shteteve Islamike. Falë Turqisë janë siguruar disa njohje. Për këtë shqiptarët e Kosovës duhet t’i jenë mirënjohës shtetit turk. Është interes i përbashkët që Kosova, Shqipëria dhe Turqia të jenë faktorë stabiliteti brenda korpusit euroatlantik. Një kornizë e përshtatshme për këtë është NATO-ja, ku Turqia dhe Shqipëria janë anëtare, ndërsa Kosova aspiron të anëtarësohet.

Këtë shans bashkëpunimi nuk po e shfrytëzon presidenti Rexhep Taip Erdoan. Që nga dështimi i puçit në Turqi para një muaji, ai madje i është hedhur në përqafim Rusisë, po godet pamëshirshëm çdo kritik në Turqi dhe po kërcënon Evropën: nëse Brukseli nuk i heq vizat për turqit, atëherë qeveria turke do të tërhiqet nga marrëveshja për ndalimin e fluksit të refugjatëve drejt Evropës. Toni i palës turke kundër SHBA-së është ashpërsuar dhe Washingtoni, sipas njoftimeve të platformës mediale Euractiv, për shkaqe sigurie ka filluar t’i tërheqë armët bërthamore nga Turqia në Rumani. (Pala rumune e ka demantuar lajmin). Ministri i Jashtëm turk ka deklaruar se baza ushtarake Incirlik, ku janë të stacionuara trupa turke, amerikane dhe gjermane, mund të hapet edhe për avionë luftarakë rusë. Sipas Stimson Center, një fabrikë mendimi për çështje strategjike me seli në SHBA, siguria e kokave bërthamore në Incirlik nuk është më e garantuar. Njëkohësisht Ministria e Brendshme e Gjermanisë, duke u bazuar në një raport të Shërbimit Sekret Gjerman, ka akuzuar Turqinë se është shndërruar në platformë aksionale të grupeve islamike dhe se një gjë të tillë po e toleron qeveria e AKP-së, partisë së presidentit Erdoan.

Në vend se të fokusohet në thellimin e partneritetit me BE-në dhe SHBA-në, Erdoan prej vitesh ndjek një agjendë islamike, kulturore dhe neoosmane. Më së shumti kjo politikë është e dukshme në Ballkan. Kur ishte për vizitë në Kosovë më 2o13 Erdoan tha se Kosova është Turqi, Turqia Kosovë. Bosnjën e pati quajtur provincë osmane. Kur u kthye nga një vizitë në Afrikën veriore më 2013 nga aeroporti i Stambollit Erdoan përshëndeti Sarajevën, Mekën dhe Medinën. Ambicia për të lartësuar të kaluarën perandorake është bërë konstantë e politikës turke. Këtu ka një lloj misionarizmi që po i irriton njerëzit sidomos në hapësirën shqiptare: bëhet fjalë për një shtresë të gjerë të shoqërisë që ka respekt për Turqinë si shtet laik, por jo si shtet me agjendë islamike. Shumë politikanë të partisë së Erdoanit janë të prirë që Perandorinë Osmane ta shohin vetëm si parajsë të popujve, por e tillë nuk ka qenë Porta e Lartë. Po të ishte nuk do të derdhej aq shumë gjak në Ballkan, nuk do të dështonin aq shumë përpjekje për të futur nën kontroll territoret kryengritëse shqiptare, nuk do të ekzistonte epoka e rezistencës së Skënderbeut dhe Pjetër Bogdanit, nuk do të kishte ndodhur masakra e Manastirit e 26 gushtit 1830, kur në një përpjekje brutale për pacifikim të trojeve shqiptare guvernatori Mehmed Reshid Pasha i ftoi në një banket të madh krerët e fiseve shqiptare, të cilët pastaj i masakroi deri në burrin e fundit, nuk do të ishte vrarë më 1878 në Gjakovë Mehmet Ali Pasha, mareshali osman me origjinë gjermane.

Turqit janë krenarë për historinë e tyre dhe kjo është e drejtë e tyre që duhet respektuar, por politikanët e Ankarasë duhet ta kenë parasysh se shumica e shqiptarëve në Ballkan nuk mund të jenë krenarë për historinë turke duke pështyrë e injoruar historinë shqiptare. Fuqia ekonomike e Turqisë, blerja e ndërmarrjeve strategjike në Kosovë, hapja e shkollave nuk i jep të drejtë qeverisë turke ta trajtojë Kosovën si vilajet. Kjo qasje është kontraproduktive për vetë Turqinë. Turqia është partner i rëndësishëm i Evropës, rrjedhimisht edhe i shqiptarëve në Ballkan. Që ky partneritet të ruhet, Ankaraja duhet të heqë dorë nga agjendat e imponimit kulturor dhe fetar si dhe interpretimit tendencioz të historisë. Në këtë prizëm duhet parë edhe vendosjen e disa orëve me flamur turk në klasat e një shkolle në Prishtinë. Ngase qeveria turke ka meremetuar klasat, ajo mund të lërë një shenjë aty, një pllakë diku në oborr a korridor, ku tregohet se këtë apo atë punë të vlefshme e ka kryer qeveria turke. Dhe për këtë le të merren si shembuj organizatat përkatëse gjermane, zvicerane apo suedeze (GIZ, SDC, SIDA). Shteti i Kosovës nuk shpërbëhet nga disa sahate me flamur turk, por shpeshtësia dhe agresiviteti i nismave turke që kanë për qëllim glorifikimin e Perandorisë Osmane, imponimin e simboleve, vënien në dyshim të fakteve historike po shkaktojnë në shoqërinë shqiptare (jo vetëm në Kosovë) reagime të ashpra.

Nganjëherë këto reagime janë krejtësisht të pamatura dhe qesharake, sidomos kur ke parasysh se shteti i Kosovës nuk e kontrollon në mënyrë efektive gati një të tretën e territorit të vet, kur është pranuar ndarja etnike e Mitrovicës, kur gati 20 zona përreth objekteve ortodokse serbe janë shpallur eksterritoriale, kur për çdo ditë – si rezultat i përgjimeve të publikuara – opinioni mëson përmasën e vërtetë të kriminalizimit të politikës. Kosovarët kanë miliona arsye të tjera primare për t’u zemëruar.

Share: