Fate Velaj: Rregullojeni vetë qytetin tuaj, mos prisni Ramën. Ai ka për detyrë të hapë horizonte të reja idesh dhe debatesh.
Fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Bashkinë e Dibrës në 11 shtator duket se e ka shtyrë Partinë Socialiste që të fillojë të mendojë edhe për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Kur na ndajnë afro 10 muaj nga mbajtja e garës parlamentare, këshilltari i kryeministrit Rama, për diplomacinë kulturore, Fate Velaj paralajmëron se në rast të ndonjë rezultati negativ në këtë garë PS-ja nuk mund të shfajësohet më duke thënë: “Fajin e ka Saliu”. Në gjykimin e Velajt, zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë shumë të vështira dhe nëse mazhoranca qeverisëse nuk përmbush angazhimet e saj, atëherë ajo duhet të fajësojë veten dhe jo të tjerët. Dhe që të mos ndodhë kjo, këshilltari i Kryeministrit Rama ka kërkuar nga rinjtë socialistë të Vlorës më shumë angazhim gjatë këtyre muajve. Deklaratat e tij, Fate Velaj mësohet se i ka bërë tre ditë më parë gjatë një takimi me kandidatët për zgjedhjet e reja në Forumin Rinor të PS-së që u mbajt në Vlorë. “Aty ku unë për 25 vite jetova, thuhej një shprehje ” pas zgjedhjeve, është para zgjedhjeve” dhe ne sot, gjendemi disa muaj përpara zgjedhjeve të cilat janë shumë të vështira mbasi, në këto zgjedhje, nuk themi dot “Fajin e ka Saliu”. Por, nëse nuk përmbushim angazhimet tona, do të jemi vetë që do të themi “fajin e kemi ne” dhe që kjo most ë thuhet, ju bejë thirrje për t’u angazhuar fortë, t’i fitojmë sfidat e së ardhmes”- theksoi Fate Velaj, i cili fjalimin e tij e ka publikuar dje në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”.
Ndër të tjera, Velaj u ka kujtuar të rinjve të Vlorës që detyra e tyre, në këtë proces të transforimit që ka nisur e në të cilin ndodhet vendi është që të marrin përsipër angazhimet e tyre, për t’i paraprirë zhvillimeve shoqërore të vendit, dhe të mos presin gjithçka nga Edi Rama si kryeministër dhe deputet i Qarkut të Vlorës. “Ju duhet të ndërmerrni iniciativa dhe mos t’a lejoni kurrë shprehjen “Vlora ka fatin e madh që ka Edi Ramën, deputetin e saj si kryeministër” dhe se ai do e bëjë Vlorën dhe të prisni nëse i vete gjë në mendje atij. Edi Rama nuk ka vetëm Vlorën. edi rama ka gjithe shqipërine mbi shpatulla dhe nuk do vijë të marrë fshesën të pastrojë Vlorën; lopatën të hapë kanalet; të vendosë kosha plehrash në bulevardin Vlorë-Skelë, ku gjatë gjithë segmentit të tij ka vetëm 3 copë, dhe ato prej betoni veshur me pllaka maiolike një e bardhë e një e zezë, si flamujt e korneve stadiumeve mbasi ai që i vuri, përpara shumë viteve, ishte tifoz i çmendur i Flamurtarit”- u shpreh Velaj.
Me këtë argument, këshilltari i kryeministrit i bën thirrje çdo qytetari të Shqipërisë që të mos presin Ramën për të rregulluar qytetin e tyre, por ta bëjnë ata vetë, pasi sipas tij, Rama ka për detyrë të hapë horizonte të reja idesh dhe debatesh . “Nuk do vij Edi Rama të na bëjë punët e shtëpisë, mbasi detyra e tij është të hapë horizonte, të shtrojë trase idesh e debatesh mbi të ardhmen e Shqipërisë, kantiere ndërtimi e punësimi, ndërsa, detyrat e shtëpisë sonë, këtu në vlorë, dhe juve nëpër qytetet tuaja, duhet ti bejmë vetë ne, larg performancave të interpretimit të rolit si të jesh“bel-ami” apo personazheve ardhur nga romanet e Balzakut, por të marrim mbi shpatulla përgjegjësitë tona ashtu siç ka qenë dhe sllogani i jetës time “përgjegjësia fillon nga ëndrra””- theksoi Fate Velaj në takimin e tij me të rinjtë socialistë të Vlorës./Koha Jone