Home KRYESORE Italia heton djalin e Erdogan, Presidenti turk sulmon Renzin

Italia heton djalin e Erdogan, Presidenti turk sulmon Renzin

Hetimi i nisur nga autoritetet në Bolonja kundër djalit të Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, që dyshohet nga hetuesit italianë për pastrim parashë, ka ftohur edhe më tej marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Perëndimit.

“Çështja e hetimit të djalit tim në Bolonja minon marrëdhëniet tona me Italinë, që në vend të kësaj duhet të merret me mafian”, ishte deklarata e ashpër e Erdogan, thënë gjatë një interviste për Rai Neës 24.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit italian, Matteo Renzi, që ka përdorur Facebook.

“Në Itali ka një sistem drejtësi të pavarur që vepron në bazë të ligjeve dhe që lufton të gjitha format e paligjshmërisë. Gjyqtarët dhe hetuesit përgjigjen vetëm para Kushtetutës italiane dhe jo para Presidentit turk. Këtë sistem e quajmë ‘shteti i së drejtës’ dhe jemi krenarë për këtë”, shkruan Renzi.

Hetimet ndaj Bilal Erdogan kanë nisur që në vitin 2015 në bazë të një denoncimi të bërë nga Murat Hakan Uzan, një biznesmen i njohur turk e jeton në azil në Francë. Uzan u bë fillimisht protagonist në vendlindjen e tij në vitin 2013, kur akuzoi familjen e Erdogan për përfitimin e miliona eurove nga aktivitete të dyshimta.

Ajo që lidh djalin e Erdogan me Bolonjën është se në këtë qytet, Bilali ndjek studimet për doktoraturën, studime që i ka ndërprerë tashmë pasi nëse rikthehet në Itali rrezikon të arrestohet.

“Djali im duhet të mbyllë doktoraturën, por nuk kthehet dot në Bolonja pasi rrezikon të arrestohet. Përse? Nuk ka asnjë përgjigje për këtë dhe as kur u kërkojmë një përgjigje. Në Bolonja më quajnë diktator dhe bëjnë marshime pro PKK. Përse nuk veprojnë në këtë rast hetuesit? Ky është shteti i së drejtës?! Djali im është shembullor dhe akuzohet për pastrim parash. Më mirë të merren me mafian në Itali dhe jo me djalin tim”, ishte reagimi i Erdogan./T.Ch

Share: