Home KRYESORE Kohrat e këqija që po vijnë

Kohrat e këqija që po vijnë

Nga Artur Zheji

Tony Blair bëri ca poza të bukura me kryeministrin. Tony, një ish kryeministër karizmatik laburist, i famshëm dhe padyshim në formë të plotë shëndetësore dhe menaxheriale, sot çuditërisht mik i shqiptarëve, ose negociator i kompanive të mëdha ndërkombëtare. Ai u bë i njohur edhe për të pavërtetat që mediat britanike denoncuan kohë më parë për luftën e Irakut.

Por për arësye shtetërore ato që u bënë, u bënë, duhej hequr qafe një Saddam Hysein dhe fort mirë u bë, që bota nuk e ka sot nëpër këmbë një diktator të tillë, gjakatar dhe të rrezikshëm. Por britanikët nuk i harruan, të pavërtetat e tij dhe e detyruan të largohet nga të gjitha. Por ai mbetet një burrë shteti. I pashëm dhe puntor.

Por kuturisja e tij e vazhdueshme në Shqipëri, është pak si shumë e pakuptueshme gjithësesi. Ndoshta do ta marrim vesh një ditë. Ndoshta jo. Por dihet se pesha të tilla të rënda, lëvizin vetëm për interesa vërtet të rënda financiare.

Askush ndër ne nuk mund të besojë se ka zënë merak dhe simpati, me kryeministrin shqiptar, apo me peisazhin e Dhërmiut, mister Tony.

Sepse dihet që Ish kryeministri britanik, e nxjerr sot “bukën e gojës” si këshilltar i gjithkundshëm, kryeminstrash apo Sheikësh, e pra edhe në Shqipëri. Dhe nuk është ndonjë bamirës shëtitës si Nënë Tereza e Kalkutës.

Erdhën këtu edhe me ndërmjetësinë e tij, Crown Agents, të cilët i dështuan doganat shqiptare për faqe të zezë. Sa edhe kryeministri shqiptar, pro Blair, u detyrua ti largojë dhe të mbulojë me sa mund vrimën e tyre të madhe dhe të zezë financiare.

Por edhe këtu nuk mund të vihet faj, me aq info sa kemi, as mbi Blairin dhe as mbi Ramën. Mbetet vetëm për tu zbardhur një ditë një Pikëpyetje shumë e Madhe.

Iku dhe u shit konçesioni i Bankers Petroleum. Thuhet se la pas një evasion fiskal të frikshëm të shtrirë në 3 qeveri të ndryshme shqiptare.

Një gropë financiare të rendit mbi 1.000.000.000 $, për ata që nuk lexojnë me kollajllëk shifrat: mbi një milliard dollarë amerikanë.

E frikshme!

Shumë para, për çdo vend dhe shtet të zhvilluar. Jo më për një Shqipëri mjerane dhe varfanjake. Pa spitale, pa shkolla publike për të qënë, pa rrugë për të qënë, pa ura, pa vepra publike serioze dhe me një nivel grabitjeje të parasë publike në nivele të frikshme.

Cfarë bën në këtë rast gazetaria shqiptare?

Është mbytur në telenovelën Rama-Meta dhe Meta-Rama, apo Basha-Meta-Rama-Berisha… ndërkohë që vidhet me të dy duart nëntoka shqiptare. Një pasuri pa kthim.

Dhe një grabitje sistematike dhe me mbulesë ligjore dhe kontraktuale të rregullt.

Ku askush nuk fut hundët.

Me përjashtim e në ca raste të deputetit Erion Braçe, që ka bërë disa beteja të respektueshme për “Bankers Gate”, por i humbi ato, sepse me sa duket ju kundërvunë në heshtje shumëkush që ishte pjesë e përfitimit të madh mbi 1 miliard dollarësh.

Tani në naftën shqiptare, të asaj që është nën tokë dhe nuk duket me sy të lirë, miliarda dollarë të tjera pra, ka zbarkuar një Kompani e Re. Askush nuk ka asgjë për të dhe askush nuk flet.

Sepse këto Kompani të Mëdha, kanë shumë dollarë për të gjithë, që nxirren nga nëntoka jonë.

Dhe askush nuk mund të presë përshembull ndonjë transparencë nga Damian Gjiknuri, që dukshëm e ka mirë me të gjithë dhe që askush nuk merret me të, sepse me sa duket di të shëprndajë “mirënjohje” të bollshme për heshtjen që e rrethon.

Sepse në një vend normal, kur bëhet një Transaksion i këtyre përmasave, duhet të gjithë të informohen dhe të jenë sidoqoftë të informuar se në duart e kujt përfundoi Nafta Shqiptare!

Miliardat e ardhshme të dollarëve të fshehura nëntokë.

Se zë e shkruan pastaj Fevziu ynë kombëtar, që “turizmi është e vetmja pasuri që kemi”, sepse të gjithë kemi harruar, apo bëjmë sikur harrojmë, që kemi për frymë popullsie, nëntokën më të pasur në Europë. Krom, bakër, nafte, ar, argjënd, madje edhe minerale më të rralla akoma dhe shumë të kushtueshme, që përbëjnë një pasuri përrallore për shqiptarët e varfër.

Mero Baze, është një gazetar inatçi dhe nuk lë rast pa më përbaltur, por është njëkohësisht një gazetar që di të krruajë mirë fundin e një gjëje, po të dojë. Por i ka mbetur ora te familja Berisha dhe tani sëfundi te Basha. Ndërkohë që miliardat e dollarëve shkojnë e vijnë.

Andi Bushati është një gazetar, që di dhe mundet të shkruajë hidhur dhe ka një laps me majë të mprehur, por nuk merret pothuajse asnjëherë me pasuritë e nëpërkëmbura shqiptare. Ndoshta nuk i duket një temë trendy…

Kush më shumë e kush më pak nga ne, në këtë drejtim jemi të gjithë njësoj, në mos kontributet tona në këtë drejtim.

Dhe telenovelat byzantine të politikës shqiptare, na e kanë hedhur, sepse na lënë në sipërfaqe të dukurive dhe jo në thellësi të tyre. Aty ku më së shumti e kanë dhe origjinën e tyre:

“Tek grabitja pa dëshmimtarë e Pasurisë Kombëtare Shqiptare!”.

Shkruajmë dhe komentojmë pafund për grabitjen e Rinasit. Ditën për diell. Por sado të kenë vjedhur dhe grabitur maskat e talentuara në Rinas, janë veçse thërrime në krahasim me çfarë i vidhet Fiskut shqiptar. Dhe nëntokës Shqiptare, ditë mbas dite, dhe ditën për diell.

Nëse kryeministri rilindës, që ka merak të deklarojë mes rreshtash dhe në mënyrë delirante, se “e ka sjellë mes nesh historia”, i kishte në dorë mjetet, që i dha populli me votat e veta të majta. Por tani shfaqet mbi kurriz të këtyre votave si një Baron modern, që ka punët e veta në terezi, ndërkohë që ka një lëngatë të gjerë popullore.

Ka në dorë përgjimet dhe investigimet. Dhe bilancet reale të Gjiknurit. Por ai e ka mendjen vetëm te pushteti, e ka mendjen te Basha, te Meta, te gazetarët që nuk e lënë të qetë, te intrigat e oborrit dhe te përgjimet e kundërshtarëve politikë.

Dhe askujt nuk i rezulton, që ky “Akuzonjës i madh”, që përditë e më tepër ngjan me një “Akuzonjës të Rremë”, të ketë lëvizur qoftë edhe një gisht, një gisht politik dhe social, në drejtim të zbardhjes së destinacionit të Lumit të Madh të Parave shqiptare që grabiten nga Multinacionalet në bashkëpunim me qehajajtë vendas, nga fusha e politikës apo e biznesit.

Duke e lënë këtë popull të marrë akoma rrugët e kurbetit. Të ëndërojë pjatalarjen nëpër botë. Të ëndërojë dhe të zbatojë edhe shërbesat seksuale, për një jetë më të jetueshme. Të ëndërojë të grabisë thërrimet e shtëpive të pasanikëve, që u kanë vjedhur me lezet gjithshka.

Po çfarë bën kryeministri? Shpërndan edhe ai, me dorë të vet, konçesione dorëlëshuara, klienteliste dhe qindramilionëshe, edhe ato pak para, që mblidhen nga djersa dhe gjaku i të shumtëve shqiptarë.

Dhe ne merremi se çfarë tha Rama dhe si e shpotiti Meta dhe çfarë do të bëjë Basha.

Kohra me të vërtetë të këqia për Shqipërinë/360grade.al.

Share: