Personi që ka gjetur trupin e pajetë të 12 vjeçarit A. Zaharia në fshatin Palasë, ka qenë një punëtor ndërtimi nga Librazhdi, i cili ndodhej duke punuar vetëm pak hapa larg vendit ko ndodhi ngjarja. Ndriçim Muzhaqi, tregon në një intervistë për “Panorama” se si e gjeti viktimën dhe menjëherë lajmëroi Policinë, duke telefonuar në numrin 129.
Çfarë po bënit kur ndodhi ngjarja?
Unë kam qenë duke punuar këtu te kjo godina e vjetër. Më patën punësuar mua dhe një mikun tim për ta rikonstruktuar. Dje (të mërkurën) kishim ardhur nga Dhërmiu, pasi mbyllëm një punë atje dhe po punonim këtu në Palasë. Vetë jam nga Librazhdi, por punoj kështu herë pas herë kur më kërkojnë. Ngjarjen e mora vesh kur dëgjova një plakë që po qante me të madhe. Më tërhoqi vëmendjen dhe dola të shoh çfarë kishte ndodhur. Aty pastaj pashë pamjen e tmerrshme, që s’do të mundem ta heq dot nga mendja sa të kem jetë.
Pra, ju jeni personi që keni gjetur trupin e pajetë?
Po, unë e pashë djalin.
Ishte shumë larg jush?
Jo, ja disa hapa, siç e shihni edhe vetë. (Tregon me gisht vendin pranë një avllie ku janë vendosur lule e qirinj).
Si e gjetët viktimën?
Nuk di çfarë t’ju them. Ishte e tmerrshme ajo që pashë. Djali kishte veshur një palë pantallona të bardha të shkurtra, një palë shapka me gisht dhe një bluze, që tani nuk di t’ju them çfarë ngjyre kishte se mund ta imagjinoni vetë.
Çfarë bëtë, si vepruat?
M’u prenë gjunjët. Nuk di si ta përshkruaj atë gjendje. Për disa minuta, nuk e mblidhja dot veten. Më pas i thirra një fshatari këtu dhe i tregova çfarë kishte ndodhur. Nxora telefonin nga xhepi dhe i rashë 129. Në fillim s’mu përgjigj njeri. Më pas brenda sekondash më mori dikush dhe më tha që ishte Policia e Shtetit. Ja, shikojeni telefonin, se e kam telefonatën këtu. Ka qenë ora 10:06 kur kam njoftuar Policinë.
Erdhi shpejt Policia?
Po, po, shumë shpejt. Në fillim erdhën disa policë Rrugorë që ishin afër. Më pas ata të Policisë Kufitare. Brenda pak minutash këtu u mbush vendi me policë. Si e gjetën autorin? Duke ndjekur gjurmët e gjakut që kishte lënë rrugës deri te shtëpia e tij./PANORAMA