Dy raste dhune të denoncuara brenda ditës dhe një rrëfim i një polici me uniformë për implikimin e kupolës së rendit në kultivimin e kanabisit, qenë sot padyshim një goditje e rëndë për policinë e shtetit.
Të shënuara në qytete të ndryshme, ata dëshmuan me fakte se në ç’gjendje ndodhen sot forcat e rendit.
Dy policë të dehur në Pogradec dhunuan një grup gazetarësh pse po kryenin detyrën. Ata kishin dalë në postobllok për të ndëshkuar qytetarët që, nën efektin e alkoolit, u hipin makinave dhe shndërrohen në burim aksidentesh.
Kur gazetarët i filmuan, ata iu kthyen me agresivitet dhe morën zvarrë operatorin për ta futur në makinë “për shkelje të ligjit” apo “për mosbindje të urdhërit të policisë”.
Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë me gazetarët. Një gazetar i ABC News u sulmua po në të njëjtën formë pak muaj më parë nga shefi i komisariatit nr 4 në Tiranë. Policia tha se e pezulloi nga detyra, por më vonë Fatmir Lleshi u emërua drejtor i Policisë së Beratit.
Sot në Pogradec gazetarët arritën ta dokumentonin dhunën dhe shkeljen e ligjit nga policët me anë të pamjeve filmike. Vetëm atëherë drejtuesit e tyre u detyruan të marrin masë, duke i vënë në gjendje arresti, pasi testet e alkoolit rezultuan pozitiv.
Por sa qytetarëve të tjerë janë ndaluar sot nga këta policë të dehur?
Pa kaluar një orë nga kjo ngjarje e rëndë, një efektiv i policisë rrugore u filmua në Tiranë duke goditur me grushte një taksist. Faqja e internetit që e denoncoi me video, shkruante se ngjarja kishte ndodhur në zonën e quajtur “Xhamlliku”, në Tiranë, këtë pasdite (shih më poshtë videon në rubrikën lajme të lapsi.al).
Nuk dihet arsyeja, por në video shihet se si polici e qëllon disa herë pa ndërprerje taksistin, në mes të rrugës, në mes të ditës.
Përpara këtyre rasteve flagrante, një efektiv i policisë ishte xhiruar në fshehtësi teksa tregonte se si funksiononte pazari i mbjelles së kanabisit mes drejtuesve të policisë dhe narkotrafikantëve.
Drejtorët dhe shefat e komisariateve, – rrëfente polici, – merrnin 20 euro për çdo rrënjë dhe 50 % të fitimit nga shitja. “Paratë u shkojnë me thasë drejtorëve”, thotë ai (shih më poshtë videon në rubrikën lajme të lapsi.al).
Kjo që po ndodh me policinë e shtetit vjen në një kohë kur drejtuesit e saj janë nën akuzë të pandërprerë nga opozita se nuk po i shërbejnë ligjit, por po kujdesen për kultivimin e kanabisit nga ku përfitojnë 30 % të fitimit, nuk luftojnë krimin, por u shërbejnë grupeve kriminale, nuk janë pranë qytetarëve, por nën urdhërat e politikës që i ka emëruar pa meritë në detyrë, nuk arrijnë të kapin kriminelët dhe të parandalojnë vrasje, grabitje e ngjarje të tjera nga më të rëndat, sa për shkak të paaftësisë, aq edhe për arsye se e kanë braktisur detyrën për t’u marrë me “aktivitete kriminale fitimprurëse”.
Denoncimet e opozitës, ministria e brendshme i quan përbaltje për arsye politike. Por larg retorikës politike, vetë të dhënat e policisë për “korrjen” e kanabisit janë një akuzë e rëndë për drejtuesit e sotëm të policisë, pasi nuk ka ushtruar detyrën për të parandaluar kultivimin e plantacioneve të tëra me bimë narkotike.
Rastet e sotme, kultivimi masiv i kanabisit dhe ngjarjet e rënda kriminale, përveçse dëshmi e shthurjes, kompromentojnë rëndë besueshmërinë e policisë në opinionin publik. Besueshmëri, që siç do të deklaronte vetë Prokurori i Përgjithshëm, pak kohë më parë, është në pikiatë. /Lapsi.al