Home KRYESORE Loja me Amnistinë mund t’i fal 57 milionë dollarë Bankersit

Loja me Amnistinë mund t’i fal 57 milionë dollarë Bankersit

Qeveria mund të detyrohet t’i kthejë kompanisë kanadeze Bankers Petroleum 57 milionë dollarë taksa nëse nuk ndryshon projektligjin e Amnistisë. Bëhet fjalë për një detyrim që Bankers u detyrua ta paguante pas një konflikti me institucionet shtetërore.

Vitin e kaluar, pas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Tatimet bllokuan llogaritë e “Bankers” duke i kërkuar kompanisë kanadeze të paguante 73 milionë dollarë detyrime. Sipas raportit, këto detyrime i përkisnin vitit 2011, por Bankers i kishte shmangur duke raportuar shpenzime më të larta nga sa kishte kryer realisht.

Konflikti zgjati për disa javë dhe në fund palët arritën një marrëveshje sipas të cilës, “Bankers” ra dakord që të paguajë 57 milionë dollarë me 12 këste mujore përgjatë vitit 2016, derisa të kishte një vendim final nga Gjykata e Arbitrazhit. Të dhënat zyrtare nga Tatimet tregojnë se deri tani kompania ka paguar rreth 25 milionë dollarë, por dalja në skenë e draftit të aministisë ka krijuar një situatë kaotike.

Projektligji i përgatitur nga Ministria e Financave fal tërësisht çdo detyrim tatimor para 31 dhjetorit të vitit 2011. Rrjedhimisht kjo përfshin edhe detyrimin e kompanisë kineze, çka do ta detyronte qeverinë të kthente paratë mbrapsh./syri.net

Edhe këtë herë duket se ka qenë pikërisht Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ajo që ka ngritur alarmin se formulimi i draftit e detyron shtetin të kthejë shumën e paguar nga kompania.

Falja e detyrimit do të krijonte probleme për buxhetin, por do ta nxirrte shtetin të humbur pasi për këtë konflikt qeveria ka shpenzuar para me konsulentët por edhe në proceset gjyqësore.

Financat: do ndryshojmë draftin

Ekspertët e Ministrisë së Financave që kanë përgatitur draftin duket se fillimisht e kanë “harruar” këtë detaj që mund t’i kushtojë jo pak buxhetit. Por pas reagimeve, ministria e Financave duket se do ta rishqyrtojë draftin.

Burime nga kjo ministria thonë se pas situatës së krijuar, drafti do të ndryshojë, ose nëpërmjet futjes së një neni të posaçëm që përjashton nga falja detyrimet e rivlerësuara pas vitit 2011 ose duke saktësuar se periudha referuese do të jetë ajo e rivlerësimit dhe jo lindja e detyrimit./Opinion.al

Share: