Nga Nikollaq Neranxi
Si fillim ju kërkoj ndjesë që jam një ditë me vonesë për këtë shenim, por menjëherë pas mitingut madhështor në Himarë, për cështjen e grabitjes së pronave, ditën e djeshme kam qenë i zënë me takime shumë të rëndësishme, të cilat do t’i bëj publike në ditët në vazhdim.
Dua të falenderoj të gjithë banorët e Himarës, prezentë në protestë si dhe ata që janë larg, por që ishin aty me zemër dhe kishin dërguar fjalën e tyre. Duke u bashkuar dhe duke qenë të vendosur në kërkesat tona, tashmë të gjithë kanë mësuar se cfarë planesh mafioze po përgatiten për vendlindjen tonë.
Spekulimet kanë qenë të shumta mbi këtë protestë, dikush e ka quajtur laramane. Po, e vërtetë, në atë tribunë janë ngjitur dhe kanë folur njerëz të cilët ndajnë pikpamje të ndryshme, të cilët kanë qëndruar në llogore të ndryshme për vite me rradhë dhe me siguri do vazhdojmë të qëndrojmë përsëri. Por, ama për cështjen e pronës, ne do të jemi të bashkuar deri sa kauza jonë të fitojë, sepse jemi të gjithë himarjotë!
Falenderojmë gjithashtu forcat politike të cilat pa përjashtim janë në mbështetjen tonë, përvec pushtetarëve të cilat duan të na grabisin dhe të na përzënë.
Protesta ka dalë me një rezolutë, e cila u lexua në miting nga Kryetari i Shoqatës Komuniteti Himariot, Stavri Marko dhe e gjeni të plotë në faqen e kësaj shoqate. Aty i kërkohet qeverisë shqiptare dhe organizmave ndërkombëtare, që të mos bëhet asnjë ndërhyrje në Himarë deri sa banorët të pajisen me certifikatat e pronësisë.
Plani mafioz i pushtetarëve, ka për qëllim grabitjen dhe dëbimin tonë përfundimtar nga pronat tona dhe kjo tashmë i është bërë e ditur të gjithëve. Ndërkohë gjatë mitingut është firmosur një peticion i përmasave referendare, ku tregohet se banorët nuk janë dakord me projektet mafioze.
Rreth 2000 firma u mblodhën gjatë mitingut dhe ndërkohë po mblidhen të tjera, pasi po shkohet fshat më fshat për këtë punë. Ky peticion do na shërbejë edhe për betejat tona ligjore të cilat ne do t’i nisim në shtator kundër pushtetit vendor dhe qendror.
PS: Më poshtë keni fjalimin tim të plotë, mbajtur në protestën e 14 gushtit 2016 në Spile, Himarë. Faleminderit të gjithëve! Jam krenar për himariotët e mij!
Nikollaq Neranxi eshte drejtor ekzekutiv i Shoqates Komuniteti Himarjot