Drejtuesi i Komunitetit Himariot, Nikollaq Neranxi deklaroi se më 14 gusht do të mbahet një protestë nga banorët e Himarës në lidhje me projektin e bashkisë së tyre.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në “News24”, Neranxi pohoi se një shqetësim që ai ka ngritur është problemi që lidhet me pronat e Himarës, që sipas tij janë të trashëguara.
Nga ana tjetër ai theksoi se paratë publike po përdoren për investime në sektorin privat. Ai tha ndër të tjera se komuniteti është kundër shembjes së shtëpive të vjetra himariote, ndërsa akuzoi pushtetin vendor se po bënë ‘lojën’ e pushtetit qendror.
“Pronat e Himarës janë të trashëguara. Paratë publike po përdoren për investimet private. Ne jemi kundër rrëzimit të shtëpive të vjetra. Ndaj, vota jonë do shkojë për partinë që do të na japë pronat e trashëguara. Shëtitorja është bërë me beton, që ka zënë dhe rërën. Ne nuk do ta lejojmë që të betonizohet Himara”, tha Neranxi.
“Në Hipotekën e Vlorës janë regjistruar disa prona nga Dhërmiu, deri në Qeparo, në kufi me Borshin. Reforma territoriale është bërë vetëm për Himarën, se iu lutëm drejtuesve të kësaj reforme të mos bashkonin komuna apo bashki pa shkuar prona të i zoti. Ata e bënë reformën vetëm për Himarën, që të mos shkonte prona te himariotët. Janë bërë shumë regjistrime pronash me kërcënime, u janë thënë edhe të falsifikojnë dokumentet. Dhe shumë të tjerë kanë regjistruar këto prona me miq. Pyetja ime si Niko Neranxi është: Pse duhet të regjistrojmë ne prona me mik? Këto prona duhet të ishin regjistruar që me prishjen e kooperativës. Pse nuk u vendosën këto prona në Hipotekë? U bë që të kishte problemi mes shtetit dhe pronarëve. Problemin mes shtetit dhe qytetarëve, Gjykata asnjëherë nuk e ka zgjidhur, ndaj himariotët janë sot pa pronë. Këtë përgjigje do ta japim ne pasnesër në orën 7 në Himarë. Ku do t’u tregohet himariotëve se çfarë është bërë me këta investitorë privatë”, tha Neranxi.
Ai tha se qytetarët do të reflektojnë lidhur me këtë situatë, ndërsa u shpreh se do të hedhin në gjyq krerët e pushtetit qendror, si dhe kryetarin e Bashkisë Himarë.
“Ne do të hedhim në gjyq drejtuesit e pushtetit qendror që kanë çuar ligjin e koncesioneve në parlament. Do të hedhim në gjyq kryetar të pushtetit vendor. Dhe po e them publikisht që Goro do të shkojë në burg për këtë që po bën himariotëve”, perfundoi Neranxi.